KKGJILAN

Ndërkulturaliteti konician

/ 12 minuta lexim

Shefik Shkodra, Adhuruesit e kulturës evropiane (Faik Konica dhe Gijom Apoliner), ShB Sogjetime, Gjilan, 2018. Poet, publicist, editor, kritik, studiues e pedagog, Shefik Shkodra ka vënë në fokusin e interesimeve të tij Faik Konicën, pa dyshim njërin ndër intelektualët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohëve me një përqendrim të veçantë në kryeveprën e tij e të publicistikës shqiptare – revistën “Albania”. Në këtë pikëpamje ai shfaqet si njëri ndër studiuesit e shumtë që ka dëshmuar interesimet për ta njohur më thellësisht Konicën – mjeshtrin e letrave shqipe, këtë mendimtar, polemist dhe veprimtar të shquar të kombit tonë.

Mirëpo, Shefik Shkodra ka shkuar një hap më tej duke e konstekstualizuar njohjen e këtij gjeniu shqiptar në një rrafsh përtejkombëtar, që, në fund të fundit, ndërlidhet me hapësirat në të cilat veproi ai. Sikundër dihet, marrëdhëniet e Konicës, përveçse me bashkëkombësit bashkëkohës, shtriheshin në një kontekst më të gjerë kulturor, pra në atë evropian. Kultura e tij e gjerë, erudicioni dhe kreativiteti autorial bazohen në njohjen e kulturës tradicionale dhe moderne evropiane, e cila i ka krijuar ura komunikimi me personalitete të shquara erudicionale në planin global. Pa dyshim marrëdhënia e tij më sinjifikative në këtë drejtim është ajo me Gijom Apolinerin, poetin e shquar frëng. Ndonëse shumëçka rreth jetës dhe veprës së tij shfaqet si kundërthënëse në planin e fakteve, autori ynë është bazuar në studiues të mirënjohur të Apolinerit, duke qartësuar mjaftueshëm origjinën polivalente e deri diku edhe misterioze të tij, përfshirë emrin e tij të lindjes, marrëdhëniet me bashkëkohësit dhe veçmas shkëlqimin në veprimtarinë e tij letrare.

Nevoja për një uverturë të këtillë imponohet qoftë për vetë rëndësinë që ka Apolineri si personalitet i shquar në fushën e artit letrar dhe të atij figurativ, qoftë për faktin se vënia e tij në një plan komparativ me Konicën gjithsesi kërkon njohjen më të plotë nga lexuesi ynë. Referencat për jetën dhe veprën e Vilhelm Apolinaris de Kostrovickit, të njohur gjithandej në botën e artit e të kritikës si Gijom Apoliner, përbëjnë një bazament të qëndrueshëm për portretizimin e tij. Në rend të parë si referenca zënë vend kontributet e Pierre Marcel Adéma-së, por edhe të Pascal Pia-s, të André Salmon-it, të autorëve të librit “Histoire de la littérature française”, pa përjashtuar në këtë plan edhe kontribute të autorëve tanë, sikundër është ai i Luan Starovës “Një miqësi evropiane”, pastaj shkrime e përkthime të Profesor Ymer Jakës etj.

Në vijim të librit janë theksuar edhe vlerat dhe përkatësia artistike e Apolinerit, i cili kundruar në planin doktrinar, pra të poetikës, del mjaft eklektik, autor që lëviz nga surrealizmi në letërsi – nga shkrimi automatik si shprehje e tij e deri te kubizmi në artet figurative dhe më tej edhe deri te dadaizmi si negacion i plotë i vlerave tradicionale. Apolineri është vlerësuar si transformues dhe princ i poezisë, të cilën e realizonte në trajta interesante të sinkretizmit ndërmjet artit poetik dhe artit figurativ. Vlera esenciale e gjeniut të tij artistik, edhe sipas Shefik Shkodrës, është origjinaliteti.

Ka diçka përcaktuese në veçantinë letrare të Apolinerit, e cila është vënë në pah edhe në këtë libër: është marrëdhënia e tij specifike me gratë. Autori i ka parë në një rrafsh paralel “ngarendjen pas tipit të femrës së përsosur”, pra femrës ideale, nga njëra anë dhe “pangopësisë për të bukurën artistike si tendencë përsosurie”, nga ana tjetër.

Edhe pse Apolineri është autor i njohur në qarqet tona kulturore, poezitë e tij janë përkthyer në shqip dhe janë botuar edhe më parë, këto dhjetëra faqe tekst të librit përfaqësojnë një përpjekje domethënëse për ta portretizuar me sa më shumë objektivitet njërin ndër autorët më të rëndësishëm të kulturës evropiane të fillimit të shekullit XX, vlerat e të cilit nuk perënduan me shuarjen e tij; përkundrazi, sikurse dihet gjithandej, ato dolën në pah më shumë pasi autori i tyre i mbylli sytë. Madje, mund të thuhet se Apolineri zgjoi vëmendjen, jo vetëm për mënyrën si krijoi dhe jetoi, por edhe për mënyrën se si vdiq, për idealet e tij që e shpunë në luftë, e cila për të u bë një uverturë e vdekjes.

Sado e vështirë një ndërmarrje e tillë portretizuese, ajo shfaqet si kusht i domosdoshëm për të tërhequr në vijim një paralele përqasëse ndërmjet këtyre dy figurave të shquara të kulturave kombëtare dhe përtej tyre kundruar edhe në rrafshin evropian. Marrëdhënia e Apolinerit dhe Konicës veçmas është e rëndësishme për historinë tonë kulturore, ngase ne, për fat të keq, nuk mund të krenohemi me shumë shembuj të këtillë të raportesh ndërkulturore e ndërnjerëzore.

Ky raport përgjithësisht nga studiuesit është vlerësuar si miqësi ndërmjet Konicës dhe Apolinerit. Askush se vë në dyshim një format të këtillë marrëdhënieje, por autori i librit që po paraqesim sot, Profesor Shefik Shkodra, e vë theksin më shumë te bashkëpunimi ndërmjet tyre, si konkretizim faktik profesional e artistik që shkon përtej sentimentit të zakonshëm njerëzor. Francezi i adoptuar, i ardhur nga një origjinë mikste, i pajisur me pikëpamje kozmopolite dhe shqiptari i evropianizuar, pinjoll i një dere të oxhakërisë shqiptare, i pajisur me një ndjeshmëri të qartë kombëtare, që dallonte nga ajo tradicionale e bashkëkombësve të tij, bashkëpunuan duke botuar shkrime në revistat respektive të njëri-tjetrit që atëbotë i nxirrnin, përkatësisht në “Gostinë e Ezopit” dhe në “Albani”.

Gjurmët e lëna në kulturën frënge, shqiptare dhe përgjithësisht evropiane janë e përbashkëta më e madhe e këtyre autorëve. Ata shkëlqyen në metropole kulturore të Evropës, ndërsa vlerat e tyre intelektuale e kreative dilnin në pah në gjuhë të huaja. Kujtojmë se Faiku ynë ishte një poliglot i vërtetë, njihte gjuhët e lashta dhe ato moderne, gjuhët e lindjes dhe të perëndimit, komunikonte për vlera të shquara kulturore që ishin të një shtrirjeje mijëvjeçare dhe të dimensioneve të ndryshme hapësinore.

RCCOLA

Them se autori ynë ka pasur të drejtë kur konstaton rëndësinë e këtyre mjeshtërve të rrallë të shkrimit letrar e dituror, ngase poezia frënge, por përgjithësisht edhe ajo evropiane kohës pa Apolinerin do të shëmbëllente me një torzo, me një skulpturë pa kokë, identiteti i së cilës nuk do të mund të kuptohej; ndërkohë që kultura shqiptare, publicistika jonë, mendimi kritik, polemika, eseistika, letërsia shqipe në plotëninë e saj, e konceptuar në trekëndëshin autori – kritiku – editori, nuk mund të mendohen pa Faik Konicën, i cili veçse bëri punë pionieri në këto fusha, njëkohshëm u bë ura lidhëse kulturore më e fuqishme e botës shqiptare me kulturën dhe opinionin e gjerë evropian.

Megjithëse në këtë vepër ka pikëpamje të shumta për këta mjeshtër të letrave, do të doja të sillja në vëmendjen tuaj konstatimin sintetizues të autorit Shefik Shkodra: “Përgatitijet e tyre (pra të Apolinerit dhe Konicës) në gjuhë e letërsi ishin gjithnjë e më të avancuara. Si duket, në këtë pikëpamje, Faiku kishte më shumë ambicie. Dallimi i tyre si letrarë ishte se Apolineri, veç publicistikës, tregimeve, kritikës dhe romaneve, poezinë e kishte primare dhe për shpirt. Faiku, veç publicistikës, ishte kritik i hollë dhe polemist me stilin e tij të shquar”.

Është interesante në këtë mes edhe sjellja e rrëfimit apolinerian për Faikun, në të cilin portretohet miku i tij shqiptar. Me këtë rast do të shkëpusim vetëm një pjesë të vlerësimit, në të cilin poeti i njohur shprehet për mikun e tij shqiptar në kuadër të rubrikës “Anekdotique” të revistës “Mercure de France”: “Ne bënim shëtitje të gjata dhe unë përfitoja nga rasti ta njihja çfarë shpirti i pastër dhe i edukuar ishte Faik Beg Konica”. Në elitën e artistëve figurativë dhe të autorëve të shquar evropianë, me të cilët Apolineri krijoi një marrëdhënie bashkëpunimi dhe miqësie, krahas emrave të mirënjohur si Pablo Pikaso, Anri Matis, Zhorzh Brak, Mari Loransë, Andre Salmon, Maks Zhakob etj., bënte pjesë edhe rilindësi ynë, pa asnjë dyshim njëri nga themeltarët e mirëfilltë të kulturës shqiptare. Përgjithësisht mund të thuhet se autori i librit, Shefik Shkodra, ofron dëshmi dhe interpretime të qëndrueshme mbi njërën ndër marrëdhëniet e intelektualëve tanë me ata evropianë, duke dëshmuar njëkohshëm se prurjet në kulturën shqiptare herë-herë shkonin përkrah vlerave kulturore të kombeve të përparuara.

Megjithatë, pjesën qendrore të librit e përbën gjysma e dytë e tij, në të cilën autori bën fjalë për vlerat, përkatësisht trashëgiminë kulturore të Faik Konicës, duke e vënë theksin te njëri ndër monumentet më të rëndësishme të publicistikës shqiptare, tek e mirënjohura revistë “Albania”, pastaj te kontributi përmbajtjesor që dha ai në diskutimet dhe zgjidhjet konkrete lidhur me alfabetin e shqipes, për t’u ndalur te vendi që zënë politika dhe polemika në faqet e “Albanisë”. Një vend të posaçëm e marrin edhe interpretimet lidhur me pjesë nga krijimtaria e Konicës, por edhe kapitulli interesant i titulluar “Përjetimi shpirtëror i të bukurës artistike”. “Les adorateurs de la culture européenne” është titulluar rezymeja e këtij libri, e shkruar në frëngjisht, e cila ofron të dhëna biografike por edhe vlerësime përgjithësuese për këta dy kolosë të shkrimit.

Marrë parasysh kohën e caktuar për këtë fjalë përuruese, dua të ndalem vetëm te vëmendja që autori Shefik Shkodra ia ka kushtuar Konicës si polemist, evoluimit të pikëpamjeve të tij, por edhe dellit reagues që ndonjëherë kapërcente kufijtë e objektit polemizues. Tanimë është e ditur se Konica, në kohën e tij, ishte kthyer në një shkollë të debatit e të polemikës, ndërsa “Albania” e tij ishte njëra ndër tribunat ku rriheshin tema të rëndësishme për shqiptarët, kulturën, historinë dhe fatin e tyre. Mbase ndër bashkëkohësit e tij, që mund të mateshin me autorë të huaj të kohës, i rangut të tij në shqyrtime e argumentime, atëbotë ishte vetëm Mithat Frashëri. Megjithatë, marrëdhëniet e Faikut, sikundër dëshmohet edhe në këtë libër, kanë pësuar transformime varësisht nga zhvillimet dhe rivalitetet që shfaqeshin, si rezultat i koncepteve dhe zgjidhjeve të ndryshme që ofroheshin për çështje të caktuara kulturore apo kombëtare. Dy shembuj të përmendur edhe në këtë libër e dëshmojnë këtë fakt. Shahin Kolonjën nga një mik i tij shumë i afër e shohim të kthehet më vonë në njërin ndër më të kontestuarit prej Konicës, ndërsa Ismail Qemalin, për të cilin në fillim nuk kishte ndonjë mendim pozitiv, duke besuar në shtypin e huaj të kohës se madje ishte një tradhtar që punonte për interesa të huaja, e shohim që më vonë, në përputhje me veprimtarinë atdhetare, do ta vlerësonte shumë.

Faiku, përveç robërisë shekullore otomane, rrezikun për shqiptarët e shihte sidomos nga fqinjtë grabitqarë, sllavët dhe grekët, sikundër edhe nga pretendimet italiane në Shqipëri, duke treguar një afërsi me qëndrimet e politikës austro-hungareze, e cila edhe ishte subvencionuese revistës së tij dhe tek e cila shihte mundësinë e prosperimit të shqiptarëve në planin arsimor.

Me një fjalë, vepra e Shefik Shkodrës është një dëshmi shkencore, një argumentim për punën e madhe që e bëri Konica si zë që mbronte shqiptarët dhe shpërfaqte identitetin e tyre të veçantë kulturor e kombëtar, ndërsa “Albania”, për një kohë, ishte dritarja e vetme nëpërmjet së cilës shqiptarët e shihnin Evropën dhe Evropa i shihte ata.

Duke e përfunduar këtë fjalë dhe duke e përgëzuar autorin për kurorëzimin e projektit të tij më të madh, të mos them jetësor, do të sjell në vëmendje edhe njëherë Gijom Apolinerin, përkatësisht thënien e tij, vlerësimin lapidar për Konicën tonë, të cilin e konsideronte si “një enciklopedi që ecën”, me shpresën e madhe se edhe vepra “Adhuruesit e kulturës evropiane” e Shefik Shkodrës do të marrë rrugën drejt lexuesit të saj, të sotëm e të nesërm, do të rrugëtojë pafundësisht si një dëshmi e shqyrtimit shkencor të bashkëveprimit kulturor shqiptar me kulturat evropiane.

Hysen Matoshi