Ndërhyn Jahjaga

Presidentja Jahjaga ka vendosur që të fillojë përpjekjet për të “pajtuar” Qeverinë dhe opozitën në zhbllokimin e punës në Kuvend. Megjithatë, zgjidhja nuk duket e lehtë pasi Qeveria dhe opozita mbajnë qëndrime të kundërta rreth marrëveshjes për Asociacionin dhe për Demarkacionin.
Me rekomandim të diplomatëve ndërkombëtarë, presidentja Atifete Jahjaga ka vendosur që të mos rrijë më si “spektatore” e zhvillimeve të fundit në Kuvendin e Kosovës, por të inkuadrohet drejtpërdrejt për të gjetur një solucion për dalje nga kriza. Përfshirja e Jahjagës në proces, vjen në momentin kur të dy palët, Qeveria dhe opozita kanë dhënë “shenja” se mund të bisedojnë ndërmjet vete, edhe pse qëndrojnë diametralisht kundër, sa i përket marrëveshjeve.
Qeveria thotë se është e gatshme të diskutojë me opozitën, por rithekson qëndrimin e saj se marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe ajo për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi nuk zhbëhen, ndërsa opozita thotë se mund të ulet në një tavolinë me qeveritarët, por vetëm nëse këta të fundit janë të gatshëm që t’i rikonsiderojnë këto dy marrëveshje./zeri/