Ndaleni vandalizmin
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë një intervistë për Gazetën Express, lidhur me ngjarjet e fundit në Luginën e Preshevës dhe bisedimet që po zhvillohen në Bruksel.
Ai shfaqet i zhgënjyer me mosveprimet e shqiptarëve të atjeshëm për mbrojtjen e monumentit, e po aq i indinjuar tregohet edhe me veprimet e dhunshme ndaj varrezave dhe monumenteve serbe në Kosovë.
“Unë e kuptoj frustrimin dhe indinjatën që ka shkaktuar Serbia duke hequr monumentin në Presheve. Ai akt i Serbisë ka qenë i shëmtuar, i turpshëm dhe qyqarë. Mirëpo, fatkeqësisht të turpshme dhe qyqare janë edhe aktet vandale të shkatërrimit të varrezave të serbëve dhe përmendoreve që jo domosdoshmërisht janë pjesë e trashëgimisë serbe, sikur ajo që u rrënua në Viti. Këto veprime janë të papranueshme dhe nuk përkojnë me traditën dhe kulturën tonë shqiptare. Si të tilla duhet të ndërpriten menjëherë dhe Qeveria duhet të ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë për mbrojtjen e tyre”, ka deklaruar Thaçi.
Sipas tij, veprimet e fundit të Kryeministrit serb në Preshevë janë pjesë e strategjisë së Beogradit për shkëmbim territoresh.
Në intervistën që do të botohet nesër në Gazetën Express, Kryeministri Thaçi tregon se çka i udhëzoi të bëjnë shqiptarët e Luginës së Preshevës, pse monumenti nuk u hoq para 17 janarit dhe çfarë idesh ka plasur në tavolinën e negociatave homologu i tij serb, Ivica Dacic.


