Ndahet nga jeta Rexhep Berisha, plaku i shumë ngjarjeve e sfidave
Gjilan – Mbledhja komemorative e Kuvendit Komunal të Gjilanit shtyhet për nesër (e enjte) me kërkesën e familjes Berisha. Për detajet tjera do të njoftohemi me kohë.
Kuvendi Komunal i Gjilanit mban mbledhje komemorative për nder të atdhetarit Rexhep Berisha, i cili u nda nga jeta të mërkurën në mëngjes. Me të drejtë bacën Rexhep e kanë quajtur edhe si njeri të urtësisë, bashkimit, unitetit dhe reflektues i skenës politike. Ka ditur që në momente të caktuara t`i ofrojë lider e politikanë, të iniciojë momente pajtimi e bashkimi. Dhe këto veti e kanë bërë njeri të dashur e të këndshëm nëpër ndeja e tubime madhështore.
Mbledhja komemorative e Kuvendit mbahet në sallën e Teatrit të Qytetit, të mërkurën (sot), më 28.06.2017, nga ora 11:00.
Lexojeni një shkrim të botuar më 28 nëntor 2012 në Rajonipress
Rexhep Berisha, plaku i shumë ngjarjeve e sfidave
Gjilan – Rexhep Berisha nuk ka ngjarje e takime ku flitet e përkujtohen dëshmorët e të mos jetë i pranishëm. Mosha dhe mërzia shumëvjeçare atë e kanë molisur pak, por nuk është dorëzuar për asnjë moment.
Plaku Rexhep Berisha, është babai i heroit e dëshmorit Nuhi Berisha. Një familje e madhe e respektuar nga të gjitha shoqëritë e pushtetet shqiptare. Edhe pse në moshë të shtyrë dhe me mërzi shumëvjeçare baca Rexhë, siç e thërrasin të gjithë merr pjesë në të gjitha tubimet përkujtimore, është i pranishëm kudo dhe kahdo kur flitet për dëshmorët, heroizmin e tyre.
Është i pranishëm fizikisht dhe madje u jep kurajë edhe familjeve tjera të dëshmorëve, ashtu siç ndodhi edhe në ditën e mërkurë kur baca Rexhep qëndroj pranë familjeve të dëshmorëve dhe priste e uronte zyrtarë e qytetarë për nder të 100 vjetorit.
Me të drejtë bacën Rexhep e quajnë edhe si njeri të urtësisë, bashkimit, unitetit dhe reflektues i skenës politike. Ka ditur që në momente të caktuara t`i ofrojë lider e politikanë, të iniciojë momente pajtimi e bashkimi. Dhe këto veti e bëjnë njeri të dashur e të këndshëm nëpër ndeja e tubime madhështore.
Çdo familje shqiptare, çdo parti politike, çdo institucion kulturor çdo shoqëri e shtet shqiptarë do të kishte dëshirë ta kishte në ballë të odës bacën Rexhë i cili me plisin e tij të bardhë tashmë ndodhet kudo dhe reflekton momente pozitiviteti.
Rajonipress ishte i pranishëm në momentet kur u bënë homazhe tek varrezat e dëshmorëve të mërkurën. “Diçka jam lodhur dhe nuk jam mirë, por jam mirë kur janë mirë shqiptarët, kur janë mirë njerëzit që po na vizitojnë e japin kurajë” u shpreh baca Rexhë, derisa priste të rreshtohej përkrah familjeve të dëshmorëve./rajonipress/


