KKGJILAN

NATO-ja nuk e ka kryer ende punën në Kosovë dhe Ballkan

/ 7 minuta lexim

Në samitin e Çikagos, NATO-ja ka dalë me ide se si do të duket kjo Aleancë në të ardhmen kur duhet të përballet me sfida të reja. Por duhet rikujtuar se NATO-ja nuk e ka kryer ende punën e nisur para 20 vjetësh në Ballkan, por as misionin e saj në Kosovë.

Kosova është pa dyshim një vend, fati i të cilit është i lidhur ngushtë me Aleancën e NATO-s. Ajo kishte ndërhyrë në pranverën e vitit 1999, pikërisht në 50-vjetorin e themelimit të saj, për t’i dhënë fund represionit, pastrimit etnik dhe tentim të gjenocidit serb në Kosovë, duke ia sjellë lirinë Kosovës. Pa NATO-n nuk dihet se si do të dukej sot Kosova, por gjithsesi me qindra e mijëra shqiptarë me siguri nuk do të ishin sot të lirë në vendin e tyre.

Në anën tjetër. edhe fati i NATO-s ishte i lidhur me Kosovën. Ndërhyrja në Kosovë ndodhi në kohën kur kjo Aleancë kërkonte identitetin e saj të ri në botën, e cila kishte ndryshuar para syve të saj, pasi që kishte përfunduar lufta e ftohtë. NATO-ja me vetë ekzistencën e saj, pa pasur nevojë të shkrepte asnjë plumb, e kishte fituar këtë luftë, e kishte mbrojtur Evropën Perëndimore nga kërcënimi i bllokut komunist të Lindjes, ndërsa gjithçka kishte rezultuar në fund më nisjen e procesit të anëtarësimit në NATO të ish- vendeve komuniste si: Polonia, Republika Çeke dhe Hungaria, pikërisht gjatë luftës në Kosovë. Përfundimi i luftës së ftohtë kishte hapur debate në Evropë se a ka nevojë më të ekzistonte NATO-ja, a ka më arsye të shpenzohej në një Aleancë të tillë tash kur nuk ekziston më kërcënimi sovjetik.

Një element tjetër ishte edhe dështimi i bashkësisë ndërkombëtare që të parandalonte krimet e tmerrshme në Kroaci dhe gjenocidin në Bosnjë-Hercegovinë. Kështu, ndërhyrja e NATO-s në Kosovë shërbente si një shembull se njerëzimi, sidomos Evropa, ka nevojë për një organizëm si NATO-ja. Ishte edhe një dëshmi se kur një popull i tërë është i kërcënuar nga gjenocidi, organizatat, siç është NATO-ja, kur kanë vullnet politik, mund ta parandalojnë një gjë të tillë. Dhe pas fitores në luftën e Kosovës NATO-ja erdhi në Kosovë për të ndihmuar në ruajtjen e paqes dhe për të krijuar kushte në të cilat do të ktheheshin refugjatët, do të rindërtohej vendi dhe do të arrihej pavarësia.

Sot, 13 vjet pas fitores së NATO-s në Kosovë dhe 63 vjet prej kur ekziston kjo Aleancë, ajo po përballet me sfida krejt të ndryshme. Kjo është e kuptueshme, sepse edhe bota ka ndryshuar, ndërsa edhe rajoni i Ballkanit ka ndryshuar po ashtu. Mjafton të shihet harta e vendeve anëtare të NATO-s dhe në të si anëtare të plota sot janë vendet si: Sllovenia, Kroacia dhe Shqipëria. Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina kanë aspirata të hynë në NATO, ndërsa Maqedonia i ka përmbushur të gjitha kushtet për një gjë të tillë, me përjashtim të marrëveshjes për kontestin e emrit me Greqinë.

Ballkanit më nuk i kërcënohet një luftë çfarë kishte ndodhur në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit të kaluar. Por situata nuk është e mirë ende dhe ka shumë pasiguri, prandaj ka edhe shumë punë për NATO-n që të bëjë në rajon, nëse jo në aspektin ushtarak, atëherë gjithsesi në atë politik.

Në samitin e Çikagos, NATO-ja ka dalë me ide se si do të duket kjo Aleancë në të ardhmen kur duhet të përballet me sfida të reja. Përmes konceptit të „mbrojtjes së zgjuar“ Aleanca synon të jetë e gatshme të bëjë më shumë punë me mjetet që ka në dispozicion për të evituar që kriza financiare të shkaktojë një krizë të sigurisë. Prej ndërhyrjes në Kosovë NATO-ja ka pasur misione të tjera po ashtu historike.

Mobi Casa

Përderisa ndërhyrja në Kosovë ishte ndërhyrja e parë ushtarake e Aleancës, ndërhyrja në Afganistan dhe misioni atje ishin rasti i parë i angazhimit të saj në një zonë jashtë zonës euroatlantike. Së fundi, ndërhyrja në Libi, ndonëse jo ekskluzivisht e udhëhequr nga NATO-ja, por më shumë e koordinuar nga strukturat e saj, ishte po ashtu shembulli i parë në histori kur NATO-ja ndihmoi një popull që të hiqte qafe një diktator çfarë ishte Gadafi.

Tash NATO-ja mendon se si të parandalojë sulmet në internet, një botë virtuale por edhe reale e cila as që ishte në vëmendjen e dikujt para 63 vitesh kur u themeluar Aleanca dhe kur luftërat bëheshin me tanke e jo me sisteme informatike dhe kibernetike. Sot secila luftë ka elementin kibernetik, thonë ekspertët e NATO-s, prandaj, pos guximit të ushtarëve, me rëndësi është edhe ekspertiza teknologjike dhe puna e shërbimeve të inteligjencës në këtë sferë. Sulmi në një sistem kompjuterik të një shteti është po aq i rrezikshëm sa edhe ndërhyrja ushtarake.

Por, me gjithë angazhimet e reja të NATO-s, duhet rikujtuar se NATO-ja nuk e ka kryer ende punën e nisur para 20 vjetësh në Ballkan, por as misionin e saj në Kosovë.

NATO-ja ka arritur të ruajë një paqe në Kosovë dhe mund të thotë se ajo nuk ka përgjegjësi për problemet me të cilat sot përballet Kosova, sepse ato më nuk janë të natyrës ushtarake. Kjo mund të jetë po ashtu edhe e vërtetë. Por NATO-ja në Kosovë ka dështuar në një masë në aspektin politik. Ndasitë politike brenda Aleancës rreth statusit të Kosovës kanë ndikuar që NATO-ja me hezitimin e sajë të lejojë të krijohen dhe zhvillohen strukturat kriminale në veri dhe që ajo pjesë të mbetet një lloj „toke e askujt“. Edhe sot Kosova vuan pasojat e një dështimi të tillë që nuk është vetëm i NATO-s, por i pjesës më të madhe të bashkësisë ndërkombëtare.

Jo vetëm në veri, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës, NATO-ja ka mundur të bëjë më shumë edhe në parandalimin e krimit të organizuar, ndonëse një gjë e tillë nuk ishte detyrë parimare e NATO-s. Krimi i organizuar dhe korrupsioni i lidhur me strukturat e shtetit janë edhe problem i sigurisë e jo vetëm çështje e organeve gjyqësore. Këtu NATO-ja nuk ka bërë sa duhet në Kosovë dhe ende ka mundësi të përmirësojë gabimet.

Gjithsesi roli i NATO-s në Kosovë dhe puna që e ka kryer deri më tash është ndoshta edhe suksesi më i madh i kësaj Aleance. Në mënyrë që angazhimi në Kosovë të mbetet në histori si sukses i plotë, NATO-ja duhet të kryejë ende punën e mbetur në Kosovë, madje jo vetëm me mjete ushtarake por edhe me ato politike. Kusht për këtë sukses është që NATO-ja të arrijë konsensus për trajtimin e Kosovës si shtet dhe të nisë procedurën e afrimit të saj së pari në partneritet për paqe e pastaj edhe në anëtarësim të plotë.(koha)