UBT

Nataliteti i ultë dhe martesat e përziera rrezikojnë mësimin në gjuhën turke

/ 5 minuta lexim

Gjilan – Selim Selimi, përfaqësues i komunitetit turk në vendimmarrjen komunale, zëvendëskryesues i asamblesë, është i brengosur që në dy shkolla fillore dhe një të mesme, numri i nxënësve me mësim në gjuhën turke ka rënë në 90.

Turqit janë një komunitet i hershëm në Gjilan. Nataliteti i ultë, martesat e përziera me shqiptarë, që janë mjaft të preferuara nga të dyja anët, por edhe deklarimet e kombësisë varësisht nga interesat e momentit, kanë bërë që të ulet ndjeshëm numri i fëmijëve që ndjekin mësimin në gjuhën turke.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, në Gjilan jetojnë mbi 1200 banorë turq, që përbëjnë më shumë se një për qind të numrit të përgjithshëm. Ata janë të koncentruar në qytet dhe në fshatin Dobërçan. Disa familje jetojnë edhe në Livoç. Këtij komuniteti, pos mësimit në dy nivele të shkollimit, fillor dhe të mesëm, i garantohet edhe përdorimi zyrtar i gjuhës.

Komuniteti përfaqësohet edhe në vendimmarrjen komunale. Selim Selimi, përfaqësues i komunitetit turk në vendimmarrjen komunale, zëvendëskryesues i asamblesë, është i brengosur që në dy shkolla fillore dhe një të mesme, numri i nxënësve me mësim në gjuhën turke ka rënë në 90.

Në Dobërçan, ku jetojnë 70 familje, nga klasa 1-9 vijojnë 34 nxënës. Mbi 30 shtëpi tjera në këtë fshat, janë të zbrazëta. Banorët e tyre ndodhen në Zvicër, Gjermani e Turqi, ku punojnë përkohësisht. Në këtë lokalitet, mësimi në gjuhën turke zhvillohet prej vitit 1951, pa ndërprerje. Asokohe kishte edhe shqiptarë të këtushëm që vijonin mësimet në gjuhën turke.

Ndërkaq, shkollën fillore “Musa Zajmi” të qytetit, kanë mbetur vetëm 20 nxënës. Dy klasë janë shuar përkohësisht, pasi që nuk ka pasur nxënës. Madje edhe këta 20 nxënës të komunitetit turk, nuk janë të gjithë nga familjet vendëse. Mes tyre ka edhe shtetas turq, të cilët ndodhen këtu përkohësisht me familjet e tyre dhe shfrytëzojnë mundësinë për shkollim.

Mobi Casa

Në gjimnaz vijojnë 36 nxënës. Arsyet e zvogëlimit të numrit të nxënësve turq në shkollat e Gjilanit, Selimi i sheh te nataliteti, por jo vetëm këtu.
Disa liderë të komunitetit, kryetarë shoqatash të ndryshme, madje edhe mësimdhënës në shkollat turke, i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat shqipe, me arsyetim se ka mungesë të kuadrit cilësor në paralelet turke. Kjo dukuri është më e theksuar në qytet.

As Selimi nuk e përjashton mundësinë që të ketë mungesë kuadri për ndonjë lëndë, por këtë nuk e konsideron si arsyetim të pranueshëm, duke thënë se gjendja ka avancuar pozitivisht në krahasim me të kaluarën, sa i përket kuadrit, ndërkaq ka degraduar në pikëpamje të vijimit të nxënësve.

Nga 24 mësimdhënës turq, mbi 70 për qind, janë të kualifikuar. Selimin e brengos loja me identitetin. Disa persona janë të luhatshëm në identitetin e tyre. Herë ndihen e deklarohen turq e herë shqiptar, varësisht prej interesave të ngushta personale. Ka edhe prej shqiptarëve që e bëjnë të njëjtën gjë, për të përfituar punësim në emër të komunitetit.

Sot, komuniteti turk është i punësuar në administratën komunale, në arsim, shëndetësi, FSK, PK dhe institucione, struktura e ndërmarrje tjera. Selimi është i kënaqur sidomos me gjendjen në shëndetësi, sa i përket punësimit të komunitetit të tij, por nuk ankohet as sa i përket përfaqësimit në FSK e PK, ndërkaq kërkon më shumë hapësira në kompanitë publike. Kemi nevojë edhe për një përkthyes në shërbimin civil komunal, thotë Selimi, që njëherësh është edhe studiues i historisë së komunitetit turk në Gjilan.

Gëzohet që disa familje të shpërngulura më herët në Turqi, janë kthyer në Gjilan përsëri, pas disa viteve, tani që gjendja në Kosovë ka ndryshuar për të mbarë.
Selimi nuk është kundër martesave të përziera me shqiptarë, që tashmë shkojnë në 99 për qind, por apelon për ruajtjen e identitetit, ndryshe rrezikohet shuarja e mësimit në gjuhën turke. Dy klasë të fillores janë mbyllur për mungesë nxënësish. Komuniteti turk dëshiron të mbetet pjesë e identitetit kulturor dhe etnik në komunën e Gjilanit, si popull i hershëm në këtë vendbanim të lashtë. /rajonipress/