Uji Dea

Naser Ulaj, për të tretën herë në krye të LAPSH-it për Kantonin e Cyrihut

/ 4 minuta lexim
Eco Higjiena

Në Glattbrug të Cyrihut të dielën është mbajtur kuvendi i rregullt zgjedhor i LAPSH-it „Naim Frashëri“ për Kantonin e Cyrihut.

Delegatë, mësimdhënës nga shkollat ku zhvillohet mësimi plotësues në gjuhën shqipe janë mbledhur në Glattbrug të dielën për të marrë pjesë në kuvendin zgjedhor të LAPSH-it „Naim Frashëri“ për Kantonin e Cyrihut.

Në këtë kuvend ishte i pranishëm edhe konsulli i Konsullatës së Kosovës në Cyrih, Sali Sefa.

Ai tha se LAPSH-i ka bërë një punë të rëndësishme në ruajtjen e gjuhës shqipe te fëmijët mërgimtarë.

„Konsullata e Kosovës do të jetë vazhdimisht në shërbim të LAPSH-it, ndërsa mësimdhënësit le të drejtohen në konsullatë kurdo që kanë nevojë për ndihmë të caktuar, me qëllim të mbarëvajtjes së mësimit plotësues“, ka thënë Sali Sefa.

Pastaj kuvendarët zgjodhën Këshillin drejtues të kuvendit, i cili nën udhëheqjen e Nexhat Malokut drejtoi punimet e kuvendit.

Kryetari i deritanishëm, Hasan Spahiu, ka paraqitur një raport për punën e LAPSH-it në kohën sa e kishte udhëhequr këtë organizim për Kantonin e Cyrihut.

„Aktualisht mësimin e ndjekin rreth 650 nxënës, numër që krahasuar me numrin e përgjithshëm të nxënësve është ende i vogël“, tha Spahiu.

Ndërsa Nexhat Maloku në cilësinë e koordinatorit ka raportuar për punët e kryera në cilësinë e koordinatorit, duke vlerësuar bashkëpunimin e mirë me autoritetet arsimore të Kantonit të Cyrihut dhe me Drejtorinë e Arsimit të Kantonit të Cyrihut.

„Ndër punët më të rëndësishme që janë kryer gjatë kësaj periudhe është botimi i fletoreve tematike për tri nivele, të cilat kanë ndikuar pozitivisht në kualitetin e mësimit plotësues. Ky botim u bë falë ndihmës financiare të Kantonit të Cyrihut si dhe bashkëpunimit të ngushtë me Ministrinë e Arsimit të Kosovës“, tha Maloku.

Eco Higjiena

Më pas arkëtari Lulzim Hasi ka paraqitur raportin financiar me të dhëna konkrete për këtë periudhë të funksionimit të shkollave shqipe në Kantonin e Cyrihut.

„Prindërit bëjnë pagesat rregullisht dhe është rritur gatishmëria për t’i shlyer obligimet e tyre ndaj LAPSH-it“, theksoi Hasi.

Delegatët e pranishëm kanë theksuar nevojën e angazhimit konkret në rritjen e numrit të nxënësve që do të vijojnë mësimin në gjuhën shqipe.

Gjithashtu është theksuar nevoja e një koordinimi më të mirë në mes të Konsullatës së Republikës së Kosovës dhe LAPSH-it në Cyrih.

Në vazhdim delegatët me një votim të fshehtë zgjodhën kryesinë e re të LAPSH-it për Kantonin e Cyrihut si dhe delegatët për kuvendin qendror të LAPSH-it.

Kryetar i ri u zgjodh Neser Ulaj, koordinator Nexhat Maloku, sekretar Hasan Spahiu.

Kryesia e Cyrihut numëron gjithsej shtatë anëtarë, pesë mësimdhënës dhe dy prindër.

Në këtë kuvend u zgjodhën edhe 13 delegatë, të cilët do të përfaqësojnë LAPSH-in e Cyrihut në kuvendin e përgjithshëm të LAPSH-it „N. Frashëri“ për Zvicër, që do të mbahet gjatë muajit të ardhshëm.

Kuvendi mbylli punimet në një atmosferë konstruktive, duke i falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar për mbarëvajtjen e mësimit plotësues në Kantonin e Cyrihut, thuhet në një njoftim të LAPSH-it për Cyrih.(albinfo..Sevdail Tahiri)