UBT

Nagip Arifi zgjidhet kryetar i Bujanocit

/ 2 minuta lexim

Më 21 vota të 12 këshilltarëve shqiptarë të Partisë Demokratike, pesë të GQ “Dr. Stojança Arsiq” dhe 4 të listës serbe të PD-së, kryetar i Komunës së Bujanocit u zgjodh Nagip Arifi, Hajredin Hyda u zgjodh kryetar i Asamblesë komunale ndërsa sekretar Emurullah Lutfiu.

Seanca e djeshme, e ftuar nga këshilltari më i vjetër i Kuvendit, Stojança Arsiq, vetëm një ditë pasi kishte dështuar seanca konstituive e ftuar nga kryetari i përbërjes së kaluar, Jonuz Musliu, ishte maratonike, ndërkohë që ftesës për pjesëmarrje i ishin përgjigjur të gjithë grupet e këshilltarëve të subjekteve që kanë fituar mandate në zgjedhjet lokale të 6 majit.

Pas verifikimit të mandateve nga salla janë larguar këshilltarët shqiptarë të PVD-së, LPD-së dhe UDSH-së, të cilët dy ditë më parë arritën koalicionin për bashkëveprim politik në mbrojtje të interesave kombëtare brenda Kuvendit Komunal. Ndërkohë që sallën e kanë lëshuar edhe dy këshilltarët serbë të listës së Partisë Përparimtare Serbe – Tomisllav Nikoliq, të cilët, siç janë deklaruar, një gjë të tillë e kanë bërë duke mos qenë pjesë e asnjë grupi që përbën shumicën në Kuvend.

Mobi Casa

Ndryshe, në zgjedhjet e fundit lokale, partitë e shqiptarëve të komunës së Bujanocit fituan 30 ulëse, nga gjithsejtë 41, sa ka Kuvendi Komunal, raporton PreshevaNews .

Analistë dhe njohës të rrethanave politike koalicionin e ri të partisë së Arifit me këshilltarë serbë e shohin si një pushtet më multietnik, por ai vlerësohet jo i qëndrueshëm dhe me pasoja evidente, sidomos për shqiptarët që jetojnë në këtë rajon, duke pas për bazë benefitet që kanë fituar partitë serbe karshi PD-së shqiptare të Nagip Arifit.