RCCOLA

Na sillni një flamur në Preshevë në këmbë nga Vlora !

/ 6 minuta lexim

Nga Nefail Maliqi- Presheva po ju pret, mirësevini, por jo pa flamur! Për ne preshevarët, e drejta më elementare nacionale, ajo e ngritjes e shpalosjes, e puthjes, e mbështjelljes me flamurin kuqezi të Ismail Qemalit, është një “mollë e ndaluar” por edhe një krim që dënohet nga Beogradi.

“Katër persona nga Presheva nisen në këmbë për në Vlorë”. “Tre persona nga Gjilani nisen për në Vlorë”. “Katër të rinj nga Struga, kanë marrë udhën për në qytetin e pavarësisë”. “100 veta me bajrak në dorë po i afrohen Vlorës, por do të bëjnë edhe një ndalesë në Tiranë…”.

Mediet shqiptarë kanë sjellë këto ditë disa nga lajmet që janë mbushur me patriotizëm dhe patetizëm kuqezi nga rreshti i parë e deri në fund. Këta pelegrinë kombëtar, i sjellin padyshim një epizëm dhe fuqi jashtë-protokollare ceremonive të shpallura për 100 vjetorit e themelimit të shtetit shqiptar, pasi normalisht Vlora personifikon “Qabenë” për shqiptarët, si tempulli kuptimplotë dhe shtëpia natyrale e flamurit kuqezi. Por, në Vlorë, jo vetëm normale që ta ngresh flamurin, është një veprim që kushto mund ta bëjë pa protokoll, e ble në një kioskë dhe e vë ku të duash, dhe nuk pyet për ceremoni. Prej 100 vitesh Shqipëria është shtet dhe e ka simbolin e saj.

Pas pavarësisë së Kosovës, asaj dite të 17 shkurtit 2008, që jo vetëm Prishtina por të gjitha viset u veshën më shumë kuqezi sesa me flamurin zyrtar të Kosovës, çdo shqiptar mund ta bëjë lirisht dëshirën e tij nacionale. Por më duket se në këtë 100 vjetor është harruar “cepi” i shqiptarizmës, por që nuk është vetëm se barkushja e djathtë e zemrës kuqezi që rreh prej mijëra vjetësh-Lugina e Preshevës.

Asaj pjese që dikush i thotë Kosova Lindore dhe Beogradi e quan Serbia Lindore, por tre komunat: Presheva, Bujanoci dhe Metvegja, janë trevat më të fundme ku rrënja kuqezi është e ndaluar dhe e dënuar nga shteti, por që brezat nuk ndalen së pasuri ëndërr jo vetëm bashkimin, por edhe aspektin që nuk do të ngelen gjithnjë “jetimë” të qendrave vendimmarrëse, gjegjësisht Tirana dhe Prishtina.

Për ne preshevarët, e drejta më elementare nacionale, ajo e ngritjes e shpalosjes, e puthjes, e mbështjelljes me flamurin kuqezi të Ismail Qemalit, është një “mollë e ndaluar” por edhe një krim që dënohet nga Beogradi. Ju lutem, meqë në mediat tona po shohim shumë flamurtarë këto ditë nëpër Shqipëri, a na i sillni dhe ne në Preshevë, se po ti sillni ju nuk ju dënojnë, i referohen zyrtarëve dhe politikanëve. Nëse kthehemi prapa ekzaktësisht 101 më herët, atëbotë kishte patriotë të cilët luftuan e luftuan dhe gjetën një vend për ta ngritur, për ta vënë një flamur të shtetit shqiptar. Dhe ashtu ndodhim me gjak e plot sakrifica më 28 Nëntor 1912, ku Ismail Qemali me bashkëpunëtorë nga Kosova e viset tjera shqiptare e shpalosi flamurin në Vlorë…

Mobi Casa

Por sot pas 100 vjetësh, a nuk do të ishte mirë që patriotët tanë të “thyejnë” rrugën që flamuri kombëtar të ngrihet në ato mjedise ku ka nevojë dhe ku e pret me admirim populli ynë. E trevat në Ballkan, që kanë nevojë për flamur sot janë Presheva dhe Janina. A do të ishte mirë që dikujt t’i shkonte mendja të merr një rrugë nga Vlora për në Preshevë për ta vënë një flamur, aty mu ku ka nevojë popullata, gjest i cili do ta kishte peshën dhe vlerën e vet ndoshta sa krejt Kosova apo Shqiptarët që do të shkonin në Vlorë.

Kjo pasi çështja e flamurit në Vlorë, sot në Shqipërinë e çliruar nuk është më as teme tabu e as një aktivitet i ndaluar nga serbët apo turqit…dhe një flamur nga kushdo që do të sillej sot në Preshevë do të kishte simbolikën e vet. Sepse të marrësh rrugën për në Vlorë ta zëmë nga Presheva është lehtë, të cilën do ta bënte edhe nëna Rukë me vitet e saj mbi supe, e cila ndoshta nuk do të arrinte për dy javë si djemtë e rinj, por ndoshta për nja 3-4 javë.

Por, a mundet ndokush që nga Vlora të niset në këmbë për në Preshevë të na e sjellin një “pikë flamur” sepse shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të etur për simbolin kombëtar dhe shtetëror. Për këtë etje e kanë paguar edhe me gjak, sakrifica, burgosje, keqtrajtime, e ndjekje, duke filluar nga protestat e viti 1968, pastaj 1974, 1981, 1990 dhe tani së fundit me rënien e 28 dëshmorëve që luftuan për liri dhe mu për ketë flamur që e presin të na e sjellin nga Vlora…

Një aktivitet i tillë do të mund të organizohej fundja përmes një pik-nik te Molla e Kuqe, pse jo edhe në Karadak në fshatin Sefer, vendlindjen e Idriz Seferit për t’i përkujtuar apo treguar atyre që nuk e dinë se ky dhe është pjesë e tokave shqiptare. Ndërkaq, se si e sheh Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në Ballkan 100 vjet pas pavarësisë, Kadare për agjencinë informative kombëtare “Presheva Jonë” ishte shprehur, se “kombi ynë në përgjithësi ka arritur shumë suksese, sidomos dekadën e fundit, në çdo sferë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë dhe viset e tjera të Ballkanit.

Por, jo edhe në Preshevë të cilët kanë halle të shumta si të flamurit, por probleme tjera përballë politikës diskriminuese serbe. Prandaj, kjo nuk do të thotë të ndalemi këtu. Me suksese Shqipëria dhe Kosova duhet të vazhdojë… gjithnjë duke menduar dhe punuar dhe përkujdesur për viset tona jashtë territorit administrativ të dy shteteve tona me perspektivë drejt Europës të bashkuar si komb..” Presheva po ju pret, mirësevini, por jo pa flamur!

*Autori është drejtor i Agjencisë Informative “Presheva Jonë” dhe korrespodent i Gazetës “Shqip” në selinë e OKB në Gjenevë