Uji Dea

Mysafirët kishin më shumë motiv

/ 2 minuta lexim

Gjilan – Shtatë gola janë parë në ballafaqimin në mes të Dritës vendase dhe Lirisë nga Prizreni, në një ndeshje ku ka ngadhënjyer ekipi mysafirë, i cili me një rezultat të tillë është shumë afër që t’i shmanget ndeshjes së barazhit.

Drita e Gjilanit ka humbur 3:4 në ballafaqim më Lirinë e Prizrenit. Ishte përfolur se Liria do të ngadhënjente në Gjilan dhe një gjë e tillë ndodhi, ngase mysafirët kishin më shumë motiv për fitore e vendaseve asnjë rezultat nuk u bënte punë.

Vendasit kanë shënuar që në fillim të ndeshjes, kur Foniqi është shërbyer nga brendia dhe me urti ka gjetur portën mysafire. Një pakujdesi e Hashanit, që në mënyrë të palejueshme ka ndalë Mehjan, vendasve u ka kushtuar me dënimin më të rëndë. E tërë kjo ndodhi në minutën 10, kur përgjegjësinë e mori Tafili, që nga pika e bardhë ka shënuar efektshëm.

Në minutat 31 e 32, Behar Kurteshi ka ndalur dy herë gjuajtjet e mysafirëve, të Tafilit dhe Mehjes, por nuk mundi të ndalë gjuajtjen e këtij të dytit në minutën 34, kur nga largësia, me pjesën e jashtme të këpucës ka qëlluar topin që ka fërfëlluar në rrjetë.

Fundamenti

Vendasit barazuan në minutën 50 nëpërmjet Bejtullahut, që ka gjuajtur furishëm e në minutën 54 Tafili shënoi golin e dytë personal dhe sërish prizrenasit ishin në epërsi. Pesë minuta para fundit ka barazuar Përparim Osmani, që nga largësia la të shtangur Ruxhin e një minutë më pas ka shënuar Palushi që është shërbyer nga Kryeziu dhe dha rezultatin përfundimtar 3:4.

Stadiumi i Qytetit në Gjilan. Shikues: 100. Gjyqtarë: Idriz Kelmendi, Safet Berisha, Muharrem Aliu. Shënues: Foniqi 4’, Bejtullahu 50’, P. Osmani 85 – Tafili 10’ (nga penaltia), 54’, Mehja 34’, Palushi 86’. Kartoni i verdhë: Loshaj, Shala.

Drita: Kurteshi, Syla, Hashani (Baxhuku), Vi. Sermaxhaj, P. Osmani, Jetullahu (B. Osmani), Aliu, Bejtulllahu, Foniqi, Shaqiri, Alimi (Jakupi).

Liria: Ruxhi, Mazreku, Karahoda (Dobroshi), Brando, Loshaj, Sulollari (Shala), Guci, Mehja (Rexhaj), Tafili, Kryeziu, Palushi./rajonipress/