Fidanishtja

Muzeu i Kosovës nuk di të përfitojë nga anëtarësimi në rrjetin ballkanik

/ 2 minuta lexim

Prishtinë – Ani pse ka një vit që është pjesë e Rrjetit të Muzeve të Ballkanit, Muzeu i Kosovës nuk ka bërë as një hap t’ia shohë hairin në promovimin e pasurisë që ka.

Muzeu i Kosovës që nga vitit 2011 është një nga 11 anëtarët e rrjetit, i cili mëton të ndërtojë një platformë muzesh përgjatë Ballkanit Perëndimor. Por deri më tani, në adresë të koordinatorëve të “Ballkans Museum Network” nuk është dërguar ndonjë kërkesë për bashkëpunim.

Udhëheqësit e rrjetit thonë se presin propozime nga muzetë anëtare, derisa drejtori i Muzeut të Kosovës i emëruar së fundi, premton se do të angazhohet në këtë drejtim. Nga ana tjetër, njohës të muzeut e çështjeve të trashëgimisë kulturore, janë të bindur që sikur të kishte menaxhim të duhur, Muzeu i Kosovës do të përfitonte më shumë nga privilegji i të qenit pjesë e Rrjetit Ballkanik të Muzeve.

Institucioni më i lartë muzeor në vend, deri para një javë ka qenë me dyer të mbyllura për shkak të rinovimit që ka nisur qysh në maj. Të shtunën e javës së kaluar është funksionalizuar kati i poshtëm përderisa në pjesët tjera ende po punohet.

Fidanishtja

Rrjeti i Muzeve të Ballkanit është themeluar më 2006 dhe është pjesë e organizatës suedeze “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”. Pjesë e rrjetit janë Muzeu i Republika Srpskës në Banjallukë, Muzeu Kombëtar i Serbisë në Beograd, Muzeu Kombëtar i Malit të Zi në Cetinë, Muzeu i Kosovës në Prishtinë, Muzeu Kombëtar i Bosnjë-Hercegovinës në Sarajevë, Muzeu Historik i Shkodrës, Muzeu Kombëtar i Maqedonisë në Shkup, Muzeu Kombëtar i Historisë Shqiptare në Tiranë, Muzeu i Zenicës dhe Muzeu i Gjakovës.

Diana Walters, koordinatore e Rrjetit të Muzeve të Ballkanit, thotë se deri më tani nuk ka marrë ndonjë propozim për bashkëpunim nga Muzeu i Kosovës.

Sali Shoshi, drejtor i Degës në Kosovë të organizatës joqeveritare “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” (CHwB), ka thënë se Muzeu i Kosovës do të mund të përfitonte më shumë nga Rrjeti i Muzeve të Ballkanit, sikur menaxhmenti i këtij institucioni të përkushtohej më tepër (gjerësisht në “Kohën Ditore”).