Mustafi i mërzitur: Nuk e meritojmë të jemi pjesë e Valencias, penalltia nuk ekzistoi

I ashpër me veten e tij dhe bashkëlojtarët, ka qenë Shkodran Mustafi pas humbjes së thellë 7:0 nga Barcelona, në Kupën e Mbretit.
Mustafi që në këtë ndeshje barti shiritin e kapitenit, u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 45’, pas një ndërhyrje në zonë ndaj Lionel Messit.
Mbrojtësi me prejardhje shqiptare, ka thënë se asnjëri nga bashkëlojtarët e tij, përfshirë edhe veten, nuk e meriton të jetë pjesë e skuadrës së Valencias.
“Të gjithë lojtarët që kanë qenë në skuadër sot, nuk e meritojnë të jenë pjesë e Valencias”, ka deklaruar Mustafi, duke shprehur zhgënjimin pas humbjes së thellë.
Duke folur për penalltinë, Mustafi ka shprehur mendimin e tij duke thënë se në ndërhyrjen ndaj Messit, nuk ekzistoi penalltia.
“Mendoj se nuk ishte penallti. Gjyqtari nuk sqaroi asgjë, pse? Unë nuk mund ta kuptoj pse ne nuk mund të flasim”, ka shtuar Mustafi./Indeksonline/