Uji Dea

Mustafa, vota përmes vizionit të Ibrahim Rugovës

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Lidhja Demokratike e Kosovës i është rikthyer figurës së Ibrahim Rugovës përmes të cilës po synojnë të marrin vota. Kështu, Isa Mustafa iu ka bërë thirrje qytetarëve t’i japin mundësi Lidhjes Demokratike për të udhëhequr me Kosovës.

Sipas tij, alternativa e LDK’së është e bazuar në vizionin e Ibrahim Rugovës, i cili ka ndërruar jetë në vitin 2006, transmeton express.

“Duke i dhënë mundësinë Lidhjes Demokratike të Kosovës për të qeverisur vendin, Ju po përçoni mesazhin se mendoni që Kosovën, në të ardhmen, duhet ta qeverisë alternativa që përfaqëson Lidhja Demokratike, e bazuar në vizionin e ideuar nga Presidenti Ibrahim Rugova”, thuhet në postimin e Mustafës në Facebook.

Të dashur miq,

Lidhja Demokratike dhe unë, këto ditë po shohim gëzimin e qytetarëve që u është caktuar data kur do të vendosin për ndryshimin e kursit aktual të stagnimit dhe t’i hapin perspektivën Kosovës sonë të dashur.

Këto ditë, ne në Lidhjen Demokratike të Kosovës po vazhdojmë angazhimet tona që qytetarëve t’ua ofrojmë alternativën qeverisëse më të mirë të mundshme. Ne jemi të bindur se kemi identifikuar të gjitha nevojat dhe kemi gjetur zgjidhjen për secilën prej tyre. Ne kemi punuar në ekipë dhe ashtu do ta zbatojmë programin tonë, që synon ta ndryshojë në mënyrë rrënjësore situatën në vendin tonë, në secilin aspekt.

Me mbështetjen tuaj të fortë për Lidhjen Demokratike të Kosovës, Ju po përçoni mesazhin se dëshironi qeverisje demokratike, zhvillim ekonomik, tërheqje investimesh, krijimin e vendeve të reja të punës, luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Fundamenti

Duke i dhënë mundësinë Lidhjes Demokratike të Kosovës për të qeverisur vendin, Ju po përçoni mesazhin se mendoni që Kosovën, në të ardhmen, duhet ta qeverisë alternativa që përfaqëson Lidhja Demokratike, e bazuar në vizionin e ideuar nga Presidenti Ibrahim Rugova.

Ne në Lidhjen Demokratike jemi plotësisht të përgatitur për ta udhëhequr Kosovën në sfidat e plotësimit të standardeve për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit me partnerin kryesor strategjik të popullit dhe shtetit të Kosovës-Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të udhëheqë politika bashkëpunimi me fqinjët, përfshirë edhe Serbinë, në kushte trajtimi të dinjitetshëm, të barabartë dhe për interesat e përbashkëta të qytetarëve.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të angazhohet për thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat, sidomos me Republikën e Shqipërisë, për t’i bërë më të forta lidhjet natyrore dhe shpirtërore të kombit shqiptar.

Lidhja Demokratike e Kosovës, do të punojë me vendosmëri për ta bërë Kosovën shtet ku funksionon rendi e ligji, vend atraktiv për investimet e huaja dhe përmes modelit të ekonomisë sociale të tregut, një vend të njerëzve që kanë mundësi të punojnë për mirëqenien e tyre, të familjeve të tyre dhe për forcimin e shtetit, në mënyrë që ai të mund të kujdeset për shtresat në nevojë.

Duke na dhënë besimin, Ju na ngarkoni me përgjegjësinë për t’i bërë institucionet e Kosovës të besueshme për Ju dhe të dinjitetshme për fqinjët dhe krejt botën.

Lidhja Demokratike e Kosovës, Ju garantoj se do ta kryej me përgjegjësi këtë detyrë dhe të gjithë ne do të mburremi me atdheun tonë.