Hidromorava

Mustafa: Unë kandidat për kryeministër

/ 7 minuta lexim
FIDANISHTJA

Lidhja Demokratike e Kosovës përkrah dialogun që aktualisht po zhvillohet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duke besuar se përmes këtij procesi mund të vijë deri te normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, ka thënë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Duke folur për situatën aktuale të skenës politike dhe qeverisëse në vend, Mustafa ka thënë se vazhdimisht do ta sfidojnë qeverinë aktuale, por pret që zgjedhjet të mbahen në vjeshtë kurse ai do të jetë kandidat për kryeministër.

“Ne, si Lidhje Demokratike e Kosovës, e kemi përkrahur dialogun, ngase konsiderojmë se problemet që ne i kemi me Serbinë, por edhe me vendet tjera fqinje, meritojnë të zgjidhen përmes dialogut, sepse është mënyra më e mirë për tejkalimin e problemeve, është një mënyrë, më e mira, edhe për stabilizimin e raporteve dhe marrëdhënieve me Serbinë”, ka thënë kreu i LDK-së, Isa Mustafa në një intervistë për Rel.

Ai ka thënë se nga dialogu pret rezultat pozitiv “në mënyrë që të bëhet integrimi i serbëve që jetojnë në Kosovë, të bëhet ushtrimi i sovranitetit në tërë territorin e Republikës së Kosovës…”.

“Pres që ne do të kemi vullnet dhe gatishmëri që të japim ofertën tonë, e cila gjithmonë duhet të kornizohet me atë çfarë është përcaktuar me Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Po ashtu, pres që komuniteti evropian duhet të kontribuojë, edhe SHBA-ja, që Serbia t’i tërheqë forcat e veta nga veriu, sepse ka strukturë të MUP-it atje, ka struktura ilegale që veprojnë atje dhe të bëhet rikthimi i strukturave që menaxhojnë me arsimin, me shëndetësinë dhe fushat e tjera në suaza të asaj që Pakoja e Ahtisaarit e parasheh si të drejtë të këtyre komuniteteve”, tha Mustafa.

Mustafa ka folur edhe për takimin e fundit me liderët e partive tjera politike në lidhje me reformat zgjedhore, duke thënë se gjatë këtij muaji pritet të kornizohen çështje, të cilat kanë mbetur të pa definuara akoma.

“Kanë qenë çështje zonat zgjedhore, mbetet akoma çështje të diskutohet lista zgjedhore nëse do të jetë e hapur apo e mbyllur, përbërja e Komisionit Qendror Zgjedhor dhe pragu zgjedhor.
Ne, në LDK konsiderojmë se listat e hapura janë më demokratike, ofrojnë më shumë shanse për njerëzit, u ofrojnë më shumë shanse edhe votuesve që ata të zgjedhin se kush do të jenë përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës, por njëkohësisht lënë edhe më shumë hapësirë që të abuzohet me votën”.

Ndërsa lidhur me kritikat e shoqërisë civile për marrëveshjen në lidhje me një zonë zgjedhore, duke e cilësuar këtë si kthim parapa në këto reforma, Mustafa ka thënë se këtë e sheh si përshtatje ndaj gjendjes, në të cilën jemi.

“Në këtë gjendje ne nuk mund të bëjmë ndarje në zona përderisa nuk e kemi një regjistrim të saktë të popullsisë së Kosovës, përderisa kemi në disa komuna më shumë votues sesa që kemi banorë dhe përderisa pakicat, kryesisht ajo serbe, kërkon që të ketë një zonë ose të kemi zgjedhje duale, që serbët dhe pakicat të kenë një zonë e për shqiptarët më shumë zona – çka për ne është e papranueshme”, tha ai.

ARKATANA

Lidhur me ndryshimet në Kushtetutën dhe kompetencat e presidentit, ai ka thënë se “LDK mbetet pranë kërkesës që të zbatohet marrëveshja në lidhje me presidentin dhe të zbatohet marrëveshja edhe sa u përket zgjedhjeve nacionale ashtu si jemi marrë vesh, sepse këto zgjedhje, sipas marrëveshjes, do të duhej të mbaheshin këtë vit. Për këtë arsye ne po përpiqemi që sa më shpejt të përmbyllim reformën dhe gjashtë muaj pas të shpallen zgjedhjet, ndonëse shpallja e tyre është kompetencë e Kuvendit të Republikës”.

“Përderisa nuk e kemi ende një vullnet që të zbatohet marrëveshja sa i përket presidentit – presidentes, ne nuk jemi për atë që të vazhdojmë me ndryshimet tjera. Si Lidhje Demokratike e Kosovës mbetemi te qëndrimi që zgjedhja e presidentit duhet të bëhet drejtpërdrejtë nga qytetarët dhe jo nga Kuvendi dhe se nuk janë të sakta disa qëndrime që publikohen se kemi ndryshuar pozicion këtu. Po ashtu, kompetencat që i kemi parapa me ndryshimet kushtetuese nuk mund t’i ketë një president që zgjidhet nga Kuvendi, por kompetenca që do të zgjidhej nga vota e qytetarëve”, tha Mustafa.

I pyetur nëse ka nisma të ndryshme për koalicione të ndryshme parazgjedhore dhe nëse është e përfshirë edhe LDK-ja në këto bisedime, Mustafa ka thënë se LDK nuk ka bërë bisedime për koalicione.

“Unë kam marrë pjesë në bisedime edhe me Aleancën edhe me Vetëvendosjen, kam biseduar edhe me partitë tjera të qendrës së djathtë përpara. Kryesisht kemi biseduar për bashkërenditje të aktiviteteve opozitare me partitë që janë në Kuvend në opozitë, dhe me Vetëvendosjen veçmas edhe me Aleancën kemi biseduar lidhur me reformën zgjedhore, por jo edhe për çështje të tjera. Çështjet tjera mbesin të hapura, qoftë para apo pas zgjedhjeve”, tha ai.

Ndonëse analiza të ndryshme thonë se qeveria aktuale nuk e ka shumicën e nevojshme në Parlament, Mustafa thotë se si opozitë janë të interesuar ta sfidojnë qeverinë “ dhe jemi të interesuar së pari ta detyrojmë qeverinë që ajo të punojë sa më mirë dhe ta realizojë mandatin sa më mirë, por çdo parti në opozitë është e interesuar që të vijë sa më shpejt deri te zgjedhjet dhe ta rrëzojë qeverinë që është në pushtet”.

“Unë zgjedhje të rregullta i konsideroj edhe zgjedhjet që do t’i mbanim në vjeshtë të këtij viti, sepse një qasje e tillë është shumë më e mirë sesa të bëhet përmes rrëzimit të Qeverisë, pastaj shpalljes së zgjedhjes së jashtëzakonshme në situatën kur nuk i kemi pastruar listat, dhe as kemi bërë reformën zgjedhore dhe situatën kur nuk e kemi të sigurt pjesëmarrjen e vëzhguesve ndërkombëtarë.
Unë nuk jam për atë që ne të futemi në zgjedhje pa pjesëmarrje të vëzhguesve ndërkombëtarë dhe pa pastrim të listave, sepse ne vetëm do të përsërisnim një situatë që ka qenë shumë e pakëndshme edhe për ne brenda, por edhe për komunitetin ndërkombëtar”, ka thënë Mustafa.

I pyetur nëse synoni postin e kryeministrit të Kosovës, Mustafa ka thënë se me vetë faktin që është në krye të LDK-së dhe përfaqëson partinë më të madhe opozitare, “tregon që është obligimi im të synoj Qeverinë dhe është obligimi që të synoj postin e kryeministrit. A më pëlqen mua apo jo, kjo është çështje tjetër, por e kam obligim partiak dhe e kam synim fitoren e LDK-së në zgjedhjet e ardhshme, prandaj edhe LDK-ja edhe unë kemi synimin që të marrim Qeverinë dhe drejtojmë atë gjatë mandatit të ardhshëm”, ka thënë Mustafa./Telegrafi/