Eko Higjiena

Mustafa u premton investime banorëve të Bilinicës

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Kreu i Komunës Qemajl Mustafa për disa orë ka dëgjuar hallet dhe kërkesat e banorëve të fshatit Bilinicë. Ky fshat që ndodhet 17 km larg Gjilanit sipas Xheladin Shaqirit përfaqësues i saj ka nevojë për rrugë, ujësjellës dhe rregullimin e rrethojës së shkollës dhe terenit sportiv. Qemajl Mustafa ndërkaq ka premtuar se do të bëjë përpjekje maksimale për të gjetur fondet, meqë qëllimi i tij dhe komunës është që ta ndihmojë fshatin dhe fshatarin e komunës i cili përfundimisht duhet të jetë i vendosur që të qëndrojë në fshat dhe t`i shfrytëzojë resurset e fshatit e që janë toka pjellore, kullosat, mali, uji e ajri i pastër.

Fshati Bilinicë që dikur kishte mbi 200 shtëpi, tani atje jetojnë vetëm 60 sosh, po përballet me mungesë të kushteve dhe infrastrukturës së saj rrugore. Bilinica ndodhet 17 km larg Gjilanit dhe është njëri nga fshatrat që më së paku është investuar , edhe pse është fshat kufitarë.

Por shpresat e atyre banorëve që kanë mbetur atje i ka ngjallur kreu i komunës Qemajl Mustafa i cili këtë fundjavë ka shkuar atje dhe ka dëgjuar hallet dhe kërkesat e tyre urgjente. Mustafa tha për rajonipress se vizitën në këtë fshat e ka bërë me kërkesë të këshillit të fshatit të cilin e kryeson Xheladin Shaqiri.

Sipas tij kërkesë e përhershme e banorëve të Bilinicës është infrastruktura themelore për tua lehtësuar atyre jetën dhe për tua forcuar bindjen që të qëndrojnë në fshatin e tyre nga toka e të cilit mund të jenë të lumtur.

Mustafa tha se në këtë fshat Komuna ka investuar në rregullimin e kanalizimit me rreth 60 shtëpi dhe kemi bërë hulumtimin e burimit për ujësjellës , por nuk kemi hasur në burim të sigurt deri tashti.

Mobi Casa

Sipas tij ky fshat urgjent e ka ujësjellësin, pastaj rrethojën e shkollës për një teren sportiv, për një trafo energjetike dhe sidomos ka nevojë të madhe për rrugën prej 3 km e gjysmë e cila tashmë është e shkatërruar bukur mirë dhe e cila është e kushtueshme rreth 300 mijë euro.

Mustafa tha se në takimin ku merrnin pjesë mbi 50 banorë dhe aktivist të fshatit jemi mirëkuptuar që rrethoja e shkollës dhe një teren sporti të investohen sa më shpejt në këtë pranverë dhe të shihet mundësia e investimit të një trafoje gjithashtu.

Mustafa tha se u ka premtuar banorëve të vyeshëm të këtij fshati të bukur malor që do të angazhohet plotësisht që të gjejë burime financiare për rrugën e tyre qoftë edhe pjesërisht segment pas segmenti. “Qëllimi ynë është që ta ndihmojmë fshatin dhe fshatarin e komunës sonë i cili përfundimisht duhet të jetë i vendosur që të qëndrojë në fshat dhe t`i shfrytëzojë resurset e fshatit e që janë toka pjellore, kullosat, mali, uji e ajri i pastër”.

Mustafa tha se vendet e punës në fshat krijohen lehtë dhe kjo është edhe një arsye e madhe shtesë që të përqendrohemi në investimet në fshat.

Edhe Xheladin Shaqiri përfaqësues i fshatit tha për rajonipress se vizita e Mustafës e ka ngjallur optimizmin tek banorët.”Kemi folur gjatë dhe besojë se diçka pozitive do të lëvizë. E di që buxheti është i kufizuar, por ne kemi kërkuar projekte që janë të kapshme dhe jo fort të shtrenjta” tha Shaqiri./rajonipress/

Mund të ju interesoj: