Mustafa: Sigurisht që ka pasur nevojë që buxheti të rishikohet

Gjatë muajit shtator në Kuvendin e Kosovës është dashur të ndodhë rishikimi i buxhetit të Kosovës. Kjo nuk ka ndodhur deri më tani për shkak të gjendjes politike në vend. Dhe madje nuk pritet as të ndodhë gjatë këtij muaji.
Muhamet Mustafa, anëtar në Komisionin për Buxhet dhe Financa, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në Kuvend ka thënë se kur është aprovuar buxheti për këtë vit ne kemi dhënë shumë vërejtje në shumë pika.
Ai po ashtu ka thënë se janë dal edhe shumë probleme tjera lidhur me buxhetin. “Sigurisht që ka pasur nevojë që buxheti të rishikohet, mirëpo esenciale është që buxheti të zbatohet ashtu siç e ka aprovuar Kuvendi”, ka thënë Mustafa. Ai ka bërë thirrje ekzekutivit që të gjendet brenda atyre suazave.
“Kjo qeveri e ka aprovuar atë buxhet, mandej edhe e ka propozuar në Kuvend ku është aprovuar, prandaj edhe ajo nuk duhet të ketë probleme me këtë buxhet”, ka thënë Mustafa.
Ai ka shtuar se probleme me këtë buxhet ka pasur opozita dhe shoqëria. Mustafa po ashtu ka folur edhe për buxhetin e vitit 2015, për të cilin ka thënë se më së largu në muajin tetor duhet të shkojë në Kuvendin e Kosovës.
“Nëse shkohet në zgjedhje atëherë aprovohet një buxhet i jashtëzakonshëm dhe me Kushtetutë ekzistojnë zgjidhje dhe shoqëria duhet të sillet brenda atyre kornizave”, ka shtuar ai.
Buxheti për këtë vit është 1 miliard e 458 milionë euro, shpenzimet do të arrijnë mbi 1 miliard 590 milionë euro, mbi 483 milionë euro janë të ndara për llogarinë e pagave, që janë 48 milionë më shumë sesa vitin e kaluar që ishin 435 milionë euro.