Mobi Casa

Mustafa publikon të dhëna dhe detaje për pasurinë e tij dhe të familjes

/ 19 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Në një reagim të gjatë të Qemajl Mustafës jepet përgjigja e tij ndaj akuzave që bëri Vetëvendosje në protestën e së shtunës. Në këtë reagim Mustafa ofron të gjitha faktet për pasurinë e tij, të familjes, për borxhet që i ka ndaj të tjerëve dhe të tjerët ndaj tij, për punësimet familjare, për pronat publike dhe për akuzat e Ismajl Kurteshit që i quan rrena publike. Në po të njëjtin reagim ne po ju sjellim edhe përgjigjen e Ismajl Kurteshti siç e ka quajtur ai ndaj “Pamfletit të Qemajl Mustafës”. Të dy reagimet lëshohen pa ndërhyrjen e redaksisë.

Nga Qemajl Mustafa – Reagim ndaj akuzave të I. Kurteshit në protestën e së shtunës të VV

Edhe pse ndaj Ismajl Kurteshit të matufosur e plotësisht varfër në dije nuk do të reagoja më asnjëherë, për hir të ndriçimit të së vërtetës së kristaltë do t’i them disa fjalë.

1. Vlen e gjithë ajo që e kam thënë në komunikatën time të mbrëmjes së 15 Marsit (e Premte) lidhur me ftesën e VV për protestë dhe lidhur me personalitetin konfliktuoz e kontravers të I. Kurteshit.

2. Për hir të qytetarisë së komunës dhe për ta demantuar rrenën e kulluar të Ismajl Kurteshit për pasurinë e kryetarit të komunës po i bëjë edhe njëherë publike të dhënat detale për pasurinë e familjes time.

Ajo që ende figuron si pasuri e imja

a. Vlera e shtëpisë në Malishevë me marrëveshje i takon nënës, vëllait dhe motrave (pra, unë kam „0“ € vlerë në këtë pronë)
b. Vlera reale e tregut e truallit, hapësirës për punë dhe e shtëpisë time në Prishtinë të cilën e kam ndërruar për që nga viti 2000 deri në vitin 2005 është rreth 450.000,00 euro (10 ari truall në Sofali, objekt pune me 1000 m2 dhe shtëpi banimi me 250 m2)
c. Vlera e një toke prej 50 ari në fshatin Stanishor (e cila asnjëherë nuk ka qenë në emrin tim e që është blerë që nga viti 2005 pjesë pas pjese) por që kam dashur me vullnet të lirë tia bëj me dije publikut përmes AKK e ka vlerën e treguar rreth 40.000,00 euro
d. Vlera e dy parcelave me 60 ari që i kam blerë herët kah viti 2004/2005 nga dajtë e mi në pjesën e quajtur „otrina“ që gjendet në mes të fshatit Pasjak dhe Gllamës së Bresalcit e ka vlerën jo më shumë se 30.000,00 euro
e. Veturë Audi A4 me vlerë rreth 10.000,00 euro
f. Në banesën në Gjilan që është pronë e Mustafë Hoxhës (hyrja pranë Bankës Ekonomike kati i parë, banesë numër 4) jetoj me qera dhe paguaj 150,00 euro për muaj.
g. Pra, Gjithsej pasuria ime në vlerën e sotme të tregut është 530.000,00 euro

Borxhet që i kanë të tjetër ndaj meje

h. Borxhet që ndaj meje i kanë të tjerët janë: Që nga viti 2005/2006 Ilmi Mustafa (kushëri imi nga Malisheva) ka borxh ndaj meje 46.000,00 euro dhe Burim Bunjaku (një ish mik i imi nga qyteti i Gjilanit) ka borxh ndaj meje 16.500,00 euro
i. Gjithsej borxh ndaj meje 62.500,00 euro

Borxhet që unë i kam ndaj të tjerëve

j. Borxh në Raifaissen bank (kredi deri në vitin 2015) rreth 50.000,00 euro
k. Borxh në bankën BKT (kredi deri në vitin 2015) rreth 40.000,00 euro
l. Borxh motrës Nafije Mustafa në USA (N. York) rreth 30.000,00 USD (24.000,00 euro)
m. Shaban Pajazitit (borxh aktual i këtij viti) 5.000,00 euro
n. Gjithsej borxh ndaj të tjerëve 119.000,00 euro

o. Borxhin ndaj Ridvan Asllanit prej 80.000,00 euro që e kam marrë për kthimin e një pjese të kredive dhe për shkollim të fëmijëve, me marrëveshje është duke e kthyer kompania „Frutta Viva“ deri në fund të këtij viti (6666,66 euro për çdo muaj deri në dhjetor 2013) dhe si kompensim për këtë unë kam hequr dorë nga hisja në kompani pasiqë kompania ka afaruar secilin vit me bilans jo të mirë.
p. Pra, Qemajl Mustafa nuk është më aksionar në kompaninë për ruajtjen dhe pjekjen e bananës „Frutta Viva“
q. Si rezultat final del se Qemajl Mustafa si vlerë të tregut edhe po ta shiste shtëpinë dhe t`i inkasonte e t’i paguante të gjitha borxhet sot do të kishte me sa vijon:

530.000,00 + 62.500,00 – 119.000,00 = 473.500,00 €

r. Pra, me krejt përgjegjësitë e marr se pasuria ime është e barabartë ose më e vogël se 473.500,00 euro pas punës aktive rreth 20 vjeçare në një biznes familjar (që punësonte prej 5 deri në 12 punëtorë që nga viti 1991 e deri në vitin 2010. Pjesë e atyre që janë edukuar dhe janë punësuar në këtë kompani të vogël privat „Vision“ ishte edhe djali i Ismajl Kurteshit, Ylli Kurteshi). Meqenëse borxhin prej 62.500,00 euro nuk mund ta inkasoj as pas tetë vitesh mbetet që pasuria ime nuk vlen më shumë se:

473.500,00 – 62.500,00 = 411.000,00

Pra, e shihni pas kaq shumë vitesh të punës sa vlen pasuria e kryetarit të komunës – po aq sa vlejnë 41 ari truall në rrethinat e zonës urbane të Gjilanit.

Xhirollogaritë e mia, të bashkëshortes e të fëmijëve të mi në shumicën e kohës e kanë vlerën zero sepse ajo që sot ne e realizojmë si e hyrë familjare nuk mjafton assesi me i kthye këstet e kredive në banka.

3. Ismajl Kurteshi mundohet të manipulojë dhe të luaj me nderin dhe ndershmërinë e familjes time, por për këtë ka rrugë tjetër – do të pendohet rëndë kur të ballafaqohemi me të në gjykatë dhe do t’i sqarojmë të gjitha.

4. Ismajl Kurteshi e fyen dhe e përbuzë popullin e vet kur i thotë se qeveria e komunës dhe e vendit ju ka lënë pa vende të punës dhe në varfëri, sikur vet nuk të mos ishte pjesë e kësaj qeverie edhe në nivelin qendror edhe në atë lokal deri në fund të vitit 2010. Sa i tejdukshëm, hipokrit, i ultë e i mbrapshtë është ky njeri. Kosova ka dalë prej një dhune sistematike shekullore e së paku dy deceniet e fundit të shekullit të kaluar ajo ka qenë në shkallë aparthejdi dhe me vitin 1998/1999 një sistem politik e shoqëror dhunues, por edhe një ekonomi e planifikuar socialiste kanë dështuar dhe neve na është dashur që me bashkësinë ndërkombëtare të nisim çdo gjë nga fillimi.

5. Prona publike dhe private ishte e rrënuar dhe e plaçkitur e fshatari nuk kishte as pulë në oborr. Ky është shkaku themelor pse sot kosovari është pa punë dhe ende i varfër. A ka mundur që të bëhej më shumë për këto vite? Kjo është çështje për diskutim dhe do të duhej të debatohej për të, por të akuzosh një qeveri e cila bëri dhe po bën më së shumti për të gjithë sektorët e ekonomisë është non sens dhe hipokrite dhe në fund të fundit i bie sikur që e thotë populli me i shitë atij „dushkë për gogla“. Komuna e Gjilanit i ka hapë dyert për të gjitha investimet private e publike dhe e kemi marrur notën më të mirë të mundshme për ndërtimin e klimës së mirë për investime dhe për të bërë biznes në komunat tona. Disa qindra punëtorë (e marr guximin të them mbi një mijë) punësohen në vit në komunën tonë. Nuk jam i sigurt nëse të gjitha ato vende të punë s janë të qëndrueshme dhe a janë 12 mujore?!.

6. Ismajl Kurteshi rren e manipulon me ndjenjat e qytetarëve kur thotë se kjo qeveri në nivelin lokal dhe qendror i ka lënë pa punë 17000 punëtorë të punësuar në ish kombinatet tona socialiste. Ky njeri vërtetë dëshmon që ose është i verbër e ora i është ndalur thellë në komunizmin socialist të viteve të 70-ta ose tenton qëllimshëm të bëhet manipulant i ultë i qytetarisë së komunës. Unë personalisht mendoj që në personalitetin e tij mëshihen të dyja këto të këqija të mëdha e që atë e bëjnë irritues e fyes për popullin i cili siç u pa edhe dje pas shumë tentativave nuk i del në ”sfilatat” e tij të ulëta. Të vajtosh sot për ekonominë socialiste e monopoliste është njësoj sikur t’i lutesh të vdekurit që të zgjohet edhe njëherë e që është gjë krejt e pamundur ose i ngjan sikur ta fajësosh zotin për vdekjen e tij e që është plotësisht e palogjikshme dhe e paarsyeshme. Thjeshtë duhet të pajtohemi që ajo ekonomi ka perënduar dhe nuk e përballon konkurrencën sepse rrethanat nuk kanë mundësuar fleksibilitet të përshtatjes me egërsinë e tregut të parregullt të konkurrencës pas vitit 2009 (atje ku nuk kishte luftëra si rasti i Sllovenisë dhe i një pjese të ekonomisë së Maqedonisë dhe Serbisë janë i janë adaptuar konkurrencës).

7. Ismajl Kurteshi rren gjithë ditën kur thotë se Qemajl Mustafa po manipulon me tenderë. Ky njeri, nuk e asnjë të vetmin fakt për keqpërdorime dhe ky njeri nuk e njeh vërtetë as abecedën e prokurimit e aq më pak të qeverisjes. Manipulon me shifra pa e bërë krahasimin e përparimeve në komunë nga viti në vit dhe pa i krahasuar vitet fiskale dhe nevojat e programuara brenda tyre. Manipulon pa pikë turpi me njësi kostoje fantome për asfalt e me sigurime fizike e pastrim objektesh. Të gjitha janë bërë në rrugë të hapur, me çmime minimale dhe me shumë kujdes e profesionalizëm në të gjitha prokurimet. Kjo i dhemb shumë Ismajl Kurteshit sepse sot e kësaj dite ai nuk donë ta besojë që vartësi i tij në parti deri më 2005 Qemajl Mustafa, po e bën këtë mrekulli me komunën. Mjerë politika kënd e ka futë në terrenin e vet. Të tillët atë e bastardojnë dhe e bëjnë kundërmuese e të neveritshme për popullin. E kemi për borxh të gjithë ne që punojmë shumë përditë ta shpjegojmë popullin për këto qëllime të ulëta të ndonjë individi siç është rasti me liderin e VV.

8. Merreni me mend ky njeri flet për shpenzime enorme të reprezentacionit edhe atë bazuar në fjalët kuturu të Lirije Kajtazit nga një emision debati në RTK sepse as njëri e as tjetri kurrë nuk kanë ditë me e lexua buxhetin e komunës dhe me e dalluar çka është reprezentacion për zyrën e kryetarit e drejtorët e çka është manifestim e festim kur shpenzohet paraja për ndonjë drekë e ndonjë koktel rasti.

9. E pyes Ismajl Kurteshin për çfarë çmimi njësi do t’i kishte dhënë hapësirat afariste në zonën e parë të qytetit (në rrethinën e xhamisë së madhe). A do t’i kishte dhënë me çmimin prej 6 euro për metër katrorë? Sigurisht që kurrë jo kur çmimi i tregut në këtë zonë është së paku 20 euro për metër katrorë. E ultë kjo propagandë e tij a po jo o popull?

ARKATANA

10. Kurrë nuk ka patur punësim më të rregullt nëpër konkurset publike në tërë hapësirën e Kosovës se sa në komunën e Gjilanit dhe këtë fakt e din fortë mirë Ismajl Kurteshi. Numri i ankesave po bëhet zero sepse të gjithë e dinë që vlerësimi është sipas kritereve dhe i saktë e pa mundësi që të ndërhyjë subjektivizmi i individit. Natyrisht që zëvendësimet në arsim, shëndetësi dhe ndonjë kontratë afatshkurtër në administratë e bëjmë sipas përcaktimeve të drejtorëve dhe menaxherëve, por prapë duke i respektuar prioritetet profesionale gjendjen sociale të familjeve.

11. Qirrjet e tua Ismajl Kurteshi janë qirrje të të dëshpëruarit dhe të të djegurit për të ardhë në pushtet jashtëligjshëm ose me emërim, por ta them për të satën herë që kurrë më nuk do të vish në qeverisje si i emëruar sepse ajo kohë ka ikur qëmoti. Për atë t`i donë të rrënosh çdo gjë që është arritur sepse anarkistët përfitojnë vetëm në situata të mjegullta e të turbullta siç pate përfituar ti në një situatë të vakumit të plotë ligjor e institucional pas vitit 1999.

12. Unë, Qemajl Mustafa, jam në gjendje që me cilindo qytetarë të komunës e aq më parë me ata që më akuzojnë si me sojin e Ismajl Kurteshit të ballafaqohem kudo dhe kurdo e për secilën fushë e kompetencë timen në qeverisje. Vetëm duhet që ai ta shprehë këtë vullnet dhe unë jam i gatshëm që t’i ballafaqojmë argumentet.

Për fund, nuk do të doja sinqerisht zotëri Kurteshi që të kthehem prapa e të lëshohem ultë e të them edhe ndonjë fakt që e skalitë personalitetin tënd kontravers dhe të parregullt e joligjor sepse ne me çdo kusht e çmim duhet t’i ruajmë vlerat e traditës tonë pozitive, vlerat e familjes dhe dinjitetin e saj. Ne në Gjilan edhe ashtu kemi respekt për familjen Kurteshi dhe njerëzit e saj të përkushtuar për kombin e lirinë ,por aspak nuk kemi respekt për angazhimin në politikë të ndonjërit prej kësaj familje siç është rasti i Ismajl Kurteshit i cili politikës si fusha më komplekse e veprimtarisë njerëzore, i grahë me qasje krejtësisht bardhë e zi.

************

Përgjigje në pamfletin e Qemajl Mustafës

Nga Ismajl Kurteshi – Ti, z.Mustafa, duke mos pasur përgjigje për shkeljet tuaja publike, shpëtimin e ke kërkuar në personalizimin dhe privatizimin e debatit dhe vlerësimin e familjeve dhe subjekteve politike që është karakteristikë e të papërgjegjshmëve si ti. Ky debat nuk është as personal dhe as privat. Por është debat dhe akuzë publike për keqpërdorimin e pasurisë publike, për keqpërdorimin e detyrës zyrtare nga ti personalisht, si bartës i funksionit publik, për qëllime dhe interesa private. Prandaj as unë dhe as Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk jemi, as të gatshëm dhe as të interesuar që ta personalizojmë, privatizojmë e banalizojmë ashtu si përpiqesh ti.

Nivelin tuaj të mjerë, si njeri dhe si zyrtar, z.Mustafa, më së miri e ilustron fakti që ti e quan të ligjshëm punësimin pa konkurs të bashkëshortes tuaj të pa kualifikuar. Kjo është çështje publike të cilën ne nuk duam as ta personalizojmë dhe as ta privatizojmë.

Se kjo shkelje e rëndë ligjore e morale nuk është e rastit por është mënyrë e qeverisjes tuaj, këtë e dëshmojnë edhe një varg shkeljesh të ngjashme. Punësimi pa konkurs dhe kritere i kunatës në shkollën në Lagjen e VIII; punësimi i motrës në Konvikt; punësimin e vëllait në zyrën për riatdhesim; punësimi i dhëndrit në shkollën e Mireshit; Dhe këto janë vetëm disa nga shkeljet e shumta konkrete. Këto dhe të bëmat e tjera të paligjshme kanë bërë që qytetarët e Gjilanit ta kualifikojnë si politikanin më të keq.

Tani të gjithë e kanë të qartë, se për realizimin e qëllimeve tuaja, të ulëta je gati me shkelë mbi çdo gjë. Gjatë këtyre viteve si kryetar ke dëshmuar këtë. Një shkelës si ti, kudo në botë ku funksionon shteti ligjor, do të ishte kaherë prapa grilave. Kurse ti, së paku gjer më tani, ke arritur ta evitosh një gjë të tillë, duke qenë vetëm nën hetime dhe me ndonjë dënim simbolik në të holla.

Ti, z.Mustafa, përveç shkeljeve në fushën e punësimit, po e keqpërdorë çdo ditë buxhetin e komunës. Ja vetëm dy shembuj: – Në fund të vitit 2010, nuk janë kthyer në thesar 31.283 euro, të mbetura në llogari të paautorizuar;

– Më 26. 11. 2010 në bazë të vendimit të Kryetarit të Komunës nr. 2030/10, të datës 24. 11. 2010 nga llogaria e Teatrit janë tërhequr 35.100 euro dhe janë bartur në llogaritë e tri kompanive private, në emër të kthimit të huas që ka marrë Komuna. Mirëpo, Auditorit të përgjithshëm nuk i është ofruar dëshmi se Komuna ka huazuar më parë para nga këto tri kompani private. (Konstatim i Auditorit të Përgjithshëm).

Po e keqpërdorni madje edhe pronën e paluajtshme të Komunës, duke përfshirë këtu edhe ndërmarrjet publike. Por, nga këto përgjegjësi kaq serioze nuk mund të liroheni duke shpifur për subjekte politike, familje ose individ të caktuar.

Duke i ikur ballafaqimit me shkeljet që po i bën në vazhdimësi, shpëtimin e ke kërkuar këtë herë te kontestimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe familjes Kurteshi. Insinuatat për subjektin e tretë politik nga një gënjeshtar me dokument vetëm sa ja rrisin vlerën Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Po ashtu, duke e kontestuar familjen Kurteshi, historia e së cilës është e njohur mirë në Anamoravë e më gjerë, të cilën nuk mund ta ndërrojnë letrat tua që i shkruan sipas rastit, herë me lëvdata deri në superlativ, herë me sajesa e gënjeshtra të paskrupullta, megjithatë nuk lirohesh nga shkeljet ligjore.

Familja Kurteshi, ka investuar shumë në shkollimin e bijve dhe bijave të saj por edhe të tjerëve. Të shkolluar, kjo familje ka dhënë që nga shekulli XIX. Sa për informim të publikut, kjo familje ka nxjerrë ndër mësuesit dhe mësueset e para në regjion, si dhe një varg profesionistësh të profileve të ndryshme intelektuale, të edukuar dhe arsimuar me kualitete dhe kualifikim superior, në Kosovë dhe në vendet perëndimore. Këto mund të vërtetohen lehtë. Prandaj, Kurteshët nuk kanë nevojë për përkrahjen time, e cila megjithatë nuk do të ju mungojë sa herë që kërkesat e tyre janë të drejta dhe të ligjshme.

Të punësuarit e Familjes Kurteshi, duke përfshi edhe djemtë e mi janë punësuar përmes konkursit, në konkurrencë të hapur me të tjerët. Asnjëri nga Kurteshët nuk është punësuar atje ku unë kam qenë vendimmarrës, as drejtpërdrejtë dhe as tërthorazi, siç po ndodh me ty. Për punësimin e asnjë anëtari të Familjes Kurteshi unë asnjëherë nuk kam intervenuar. Çdo dëshmi dhe fakt që ke për të kundërtën publikoje. Sa tendencioz e primitiv je ti z. Mustafa, flet përmendja e Avokatit të Popullit në kontest të punësimit, edhe pse procedurat e zgjedhjes së Avokatit të Popullit i dinë të gjithë.

Megjithatë, gabimi im më i madh dhe ndikimi im më efektiv ka ndodhur atëherë kur të kam përkrahur ty për kryetar të degës së PDK në Gjilan. Vërtetë pa përkrahjen dhe ndikimin tim në atë kohë, ti do të kishe mbetur një matrapaz anonim, kurse pas keqpërdorimit të asaj përkrahje je bërë një e keqe publike.

Dallimi në mes meje dhe teje z. Mustafa është thelbësor. Unë e kuptoj rëndësinë e bërjes së shtetit dhe tërë jetën kamë bërë përpjekje të kontribuoj sadopak në këtë drejtim, kurse ty të udhëheq lakmia për atë që nuk të takon.

Sa i përket Qeverisë së Përkohshme, me që ti atëherë ke qenë jashtë rrjedhave, bile edhe jashtë Kosovës, po të informoj se asnjë serb nuk ka qenë i punësuar, sepse ata nuk e kanë pranuar Qeverinë e Përkohshme. Në shumë raste ata nuk po e pranojnë as Qeverinë aktuale, përveç rrogave dhe investimeve. Kur unë i kam hequr nga lista e pagave ata që refuzonin t’i nënshkruanin kontratat e punës, ashtu si parashihet me ligj, ti jo vetëm se je angazhuar për mbajtjen në lista të atyre që nuk i kanë nënshkruar kontratat e punës, por je kujdesur edhe pak më shumë. Natyrisht, që ky kujdes t’u ka kthye me vota. Këtu nuk do të flas për kontributin tënd për decentralizimin, sepse aty vetëm i ke zbatuar urdhrat, e për këtë punë je shumë i përshtatshëm por jo edhe për udhëheqës.

Por, megjithatë t’i kthehemi skandalit të shkaktuar nga ju z. Mustafa. Punësimi i bashkëshortes tuaj është i paligjshëm, sepse zonja e juaj nuk është e kualifikuar dhe është punësuar pa konkurs.

Ky punësim është edhe i pandershëm, sepse në Gjilan janë mbi 2000-3000 kuadro të kualifikuar të arsimit, që presin me vite të tëra për një vend pune. Ndërsa ti e ke punësuar bashkëshorten tënde, falë pozitës që e ke dhe çdo ditë po e keqpërdor.

Ti mund të vazhdosh me distribuimin e shpifjeve, por këto nuk do t’ju shpëtojnë nga përgjegjësia dhe fundosja si politikan dhe si njeri.

Ndërsa, ne do të vazhdojmë t’i prezantojmë dhe publikojmë keqpërdorimet që po i bën t`i, për të cilat ne kemi fakte dhe do të kërkojmë ndëshkimin që e meriton./rajonipress/

Mund të ju interesoj: