Mustafa: Populli shqiptarë historikisht ka bërë vepra të mira

Gjilan – Në Gjilan është bërë hapja e ekspozitës me fotografi të shpëtimtarëve të hebrenjve në Kosovë, gjatë Holokaustit, me titull “Trashëgimia e miqësisë Kosovë – Izrael”, e cila është organizuar nga Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport si dhe “Shoqatës së Miqësisë Kosovë – Izrael Doktor Haim Abramanel”, ku kanë marrë pjesë kryetari i Komunës, përfaqësues të qeverisjes nga niveli lokal dhe ai qendror, përfaqësues të ambasadës amerikane në Kosovë, artist, dhe qytetarë gjilanas. Kjo ekspozitë hapet në nderim të familjeve shqiptare nga Kosova të cilat kanë strehuar familje dhe njerëz hebrenj gjatë holokaustit.
Me këtë rast kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, tha se kjo ekspozitë e nderon popullin izraelit, ndërsa reflektimet janë shumë më të gjëra se sa kjo miqësi në mes komunitetit shqiptarë dhe atij izraelit respektivisht, Kosovë – Izrael.
Mustafa tha se kjo ekspozitë shënon një nga aktet që na rikujtojnë atë solidaritetin tonë të përhershëm si komb, pavarësisht që kemi qenë të shtypur e të varfër me shekuj, por kemi pas virtyte të larta, zemërgjerësi, bujari dhe në gjithë atë hapësirë që kishim, edhe pse në kushte shumë të rënda, ne e kemi nderuar tjetrin, e kemi nderuar mikun, e kemi nderuar njeriun në nevojë, bile e kemi nderuar edhe atëherë kur nuk e kemi ditur që e kemi “boll” mik. “Në traditën tonë ka qenë mos me pyet njeriun në nevojë se prej nga është dhe kush është, por e kemi hap derën përherë. Ka rastisur që populli izraelit të jetë mik i vërtet i yni, për të cilin sot po flasim lidhur me këtë miqësi që ka një rëndësi shumë të madhe sot. Bujaria, solidariteti dhe mikpritja po i kthehet popullit të Kosovës dhe hapësirës shqiptare në të mirë. Populli shqiptarë historikisht ka bërë mirë, e kjo e mirë na është kthyer me çlirim, po na kthehen me shtet-ndërtim dhe prosperim, këtë po e kthen populli izraelit, dhe popujt e tjerë me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe të tjerët. Pra të bëjmë mirë përherë sepse e mira kthehet përherë” tha Mustafa.
Nënkryetarja e “Shoqatës së Miqësisë Kosovë – Izrael Doktor Haim Abramanel” e formuar në vitin 2006, znj,Gjongyle Ilijazi, e cila kishte filluar punën rreth sistemimit dhe gjetjes së familjeve shqiptare që strehuan familje izraelite, tha se sonte janë paraqitur vlerat e një populli të vogël dhe ndihma e madhe e popullit shqiptarë, për familjet e strehuara hebreje.
Populli shqiptarë dhe Shqipëria ishte vend i rrallë në botë që strehoi familje izraelite. Familjet si e Sadik Behluli nga Gjilani, Mustaf Pashe Rezniqit nga Deqani që ka pritur e përcjell mbi 42 familje hebreje, pastaj ndihma e dhënë nga familja Spahija, Domi Hasanrema etj. janë vetëm disa nga rastet e shumta që janë ndihmuar në Kosovë.
Mbi 30 familje shqiptare kanë strehuar prej disa ditësh, javësh e muajsh familje herreje dhe pastaj i kanë përcjell për në Shqipëri pasi në këtë kohë Shqipëria njihej si tokë e premtuar për hebrenjtë, që vinin nga Serbia, Maqedonia, Rumunia, Bullgaria etj, pra shqiptarët nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi ishin realizues të kalimit të hebrenjve në Shqipëri. Falë fjalës së nderit, Besës, familjet hebreje në Shqipëri jetuan si mysafir, ata nuk i fshehën nëpër male e vende të tjera, por iu dhanë emrat mysliman e katolik, iu veshën rroba të tyre dhe i trajtuan si anëtar të familjes së tyre.
Para Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri jetonin rreth 200 hebrenj ndërsa pas luftës ky numër u dhjetëfishua dhe u bënë rreth 2 mijë hebrenj, është një fakt që nuk ka ndodhur askund në botë, këto janë të dhëna zyrtare nga arkivi i Shqipërisë.
Fotografi amerikan Noran Gërshman që i kishte bërë fotografitë e familjeve që strehuan hebrenj në një rast kishte thënë, që shqiptarët nuk duhet të ndjehen krenar, për eksportim të peshkut apo mineraleve të tjera të shumta, por duhet të ndjehen shumë krenar për Besën që e kanë traditë të trashëguar brez pas brezi dhe është një fenomen unik.
Kryetari i Bashkësisë Hebraike të Kosovës Votim Demiri, përmes një telegrami, duke falënderuar të pranishmit, ka përshëndetur angazhimin e shoqatës Kosovë – Izrael për zbardhjen e të vërtetës mbi strehimin e hebrenjve në trevat shqiptare.
Ekspozitë e tillë është hapur edhe në Izrael, selinë e OKB-së, Tiran, Prishtinë, nëpër vende të ndryshme të Evropës etj, dhe sot po hapet edhe në Gjilan./rajonipress/