Mustafa: Përgjithësisht është punuar mirë

Gjilan – Komiteti për Politikë dhe Financa ka nisur kalendarin e punës për vitin 2013, me takimin e parë, ku ka miratuar raportin e punës së kryetarit të Komunës për vitin 2012, rregulloren për taksa, ngarkesa dhe gjoba Komunale 2013 si dhe planin e punës dhe orarin e seancave të Kuvendit dhe Komiteteve për vitin 2013 dhe i ka rekomanduar për Kuvend Komunal.
Izmi Zeka, kryesues i Kuvendit Komunal, u shpreh optimist se edhe ky vit do të jetë i mbarë dhe i suksesshëm dhe do të vazhdohet me realizimin e objektivave të planifikuara zhvillimore. Plani i punës nuk së Kuvendit Komunal nuk është votuar nga përfaqësuesi i LDK-së, Sadudin Berisha, me arsyetim se është plan i varfër.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa ka prezantuar para Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF) raportin e punës për vitin 2012, ku ka nënvizuar të arriturat e kësaj periudhe, sukseset dhe sfidat, duke thënë se përgjithësisht është punuar mirë.
“Ka mbizotëruar nivel i mirë i sigurisë, klimë e mirë politike, marrëdhënie të mira ndëretnike e ndërnjerëzore, ambient i mirë për investime, sikurse kemi avancuar në procesin e riatdhesimit dhe ri-integrimit dhe kemi shtuar besimin e qytetarit te Komuna”, ka thënë Mustafa.
Kuvendi Komunal ka mbajtur 14 seanca, ka miratuar 72 vendime, ndërsa Komitetet, si trupa ndihmës të tij, kanë mbajtur 162 takime dhe kanë bërë 115 rekomandime, që tregon për një punë efektive të organit vendimmarrës.
Duke i përmendur sukseset e çdo drejtorie veç e veç, kreu i Komunës tha se të gjitha këto segmente të qeverisjes komune kanë bërë punë të mirë. Administrata ka kryer mbi 141 mijë shërbime, derisa Qendra për Shërbime të Qytetarëve ka pranuar mbi 25 mijë kërkesa dhe mbi 99 për qind prej tyre kanë marrë përgjigje.
Në arsim, ku vijojnë mbi 25 mijë, po ashtu janë arritur suksese të mira në mësim dhe gara të ndryshme. Sa u përket investimeve në këtë sektor, sivjet është lëshuar një shkollë fillore, bujqësia është në përfundim e sipër, ndërsa gjimnazi i ri do të jetë gati për vitin tjetër shkollor. KE do të rinovojë gjimnazin, konviktin dhe shkollën fillore në Cërnicë. Investime janë siguruar për shkollat në Kishnapole, Shurdhan dhe Hagjaj.
Kryetari ka lavdëruar punën e mirë edhe në Kulturë, Rini e Sport. Është miratuar Strategjia afatmesme për kulturë, kanë filluar përgatitjet për themelimin e Muzeut, sikurse që kanë përfunduar procedurat edhe për rinovimin e stadiumit ndihmës, që do të investohet nga KE, ka thënë ai.
Në Shëndetësi ka një stabilitet të përhershëm. QKMF ka kryer mbi 261 mijë vizita në të gjitha punktet e saj. Janë rinovuar ambulancat në Bresalc dhe Kishnapole. Në sektorin e mirëqenies sociale, janë ndihmuar qindra raste sociale me pako ushqimore, lëndë djegëse dhe ndihma tjera.
Buxheti komunal për këtë periudhë është realizuar 97 për ind. Të hyrat nga tatimi në pronë janë përmbushur mbi 99 për qind. Te ky sektor ka pasur një ngecje të ndjeshme në nëntë mujorin e parë, por pas një auditivi që i kemi bërë gjendjes, kemi identifikuar shkaqet dhe gjendja është përmirësuar dukshëm në tre muajt e fundit.
Urbanizimi ka kryer planet rregulluese për 4 zona, ndërsa për 5 të tjera janë në proces e sipër dhe deri nga mesi i vitit të ardhshëm, qyteti mbulohet qind për qind me plane rregulluese.
Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik është munduar të krijojë ambient sa më të volitshëm për biznes dhe prej këtij viti, të gjitha bizneset do të lirohen nga taksa komunale, me përjashtim të makro-bizneseve. Në Gjilan, janë të regjistruar 2879 biznese, 600 janë biznese të reja, ka thënë Mustafa.
Në PPP janë duke u realizuar dy projekte të tipit afarist e banesor, me një vlerë 4.5 milionë euro, sikurse në këtë formë është duke operuar edhe kompania publike “Higjiena”, ku investimi do të jetë 1.5 milion euro dhe ka filluar të implementohet.
Bujqësia ka bërë gjithashtu një punë shumë të mirë përmes subvencioneve dhe granteve për fermerë, të cilat arrijnë në 1.2 milionë euro. Vëllimi i punës është rritur erdhe te Inspektorati, ku janë kryer mbi 8 mijë akte dhe janë inkasuar mbi 400 mijë euro të hyra.
Punë e mirë është bërë edhe në Mbrojtje dhe Shpëtim, Shërbime Publike, ku kryetrari veçoi projektin e ndriçimit publik, rreth-rrotullimin në lagjen Iliria dhe investime të tjera. Edhe në Kadastër është rritur efikasiteti i punës dhe numri i lëndëve që presin përgjigje është i vogël, por problem mbetet mungesa e mjeteve për shpronësime.
Mustafa ka thënë se punë e mirë është bërë edhe te Prokurimi, duke nënvizuar se investimet kapitale që kanë nisur, janë në proces ose që nisin ndërkohë, arrijnë shumën 6.7 milionë euro.
Ndryshe, kreu i Komunës ka lavdëruar edhe zyrat komunale, duke thënë se kanë bërë një punë të mirë.
Përgjithësisht ai u shpreh i kënaqur me punën e bërë. “Kemi punuar në baza ligjore, kemi qenë aktivë dhe dinamikë gjatë vitit 2012. Këto ambicie i kemi edhe për vitin që tashmë kemi hyrë”, ka thënë Mustafa.
Anëtarët e KPF e kanë përkrahur raportin e punë, përfshirë edhe opozitën, e cila është rezervuar që disa vërejtje t`i paraqes në seancën e Kuvendit Komunal./rajonipress/