RCCOLA

Mustafa para qytetarëve shpalos punën e mirë gjashtë mujore

/ 6 minuta lexim
KKVITI

Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa ka prezantuar raportin e tij të punës në tubimin e parë me qytetarë për këtë vit, ku ka spikatur të arriturat e periudhës janar-qershor.

Para qytetarëve të Gjilanit dhe publikut të shumtë Mustafa ka folur edhe për sfidat dhe synimet për të ardhmen e kësaj qeverie komunale si dhe është përgjigjur në pyetjet dhe interesimet e shumta të pjesëmarrësve për çështje individuale e të përgjithshme, numri i të cilëve ka qenë i konsiderueshëm.

“Jemi shumë të mirë në administratë, në arsim, në shëndetësi, në të hyra vetanake, në ruajtjen e pyjeve, në riatdhesim, në klimën e mirë për biznes dhe në trajtim të ambientit”, ka thënë Qemajl Mustafa, kryetar i Gjilanit, duke i përmendur këta sektorë për arritje të veçanta, por nuk e ka përjashtuar mundësinë që të ketë pasur edhe ndonjë lëshim aty-këtu, ndërkohë që ka inkurajuar qytetarët që të jenë pjesë aktive në vendimmarrjen komunale.

Sa u përket investimeve kapitale, ai ka thënë se ka një dinamikë të zvogëluar, por është shprehur optimist se tani, me rishikimin e buxhetit, qeveria e Kosovës do t`i ndajë komunës së Gjilanit edhe 4-5 milionë të tjerë, sikurse ndonjë milion pret edhe nga donatorët.

Duke folur për drejtoritë komunale, ai lavdëroi Administratën, ku për këtë periudhë janë kryer mbi 60 mijë shërbime për qytetarë, po edhe Qendrën për Shërbime të Qytetarëve, e cila është shembull për Kosovën.

Në Arsim ka një avancim të dukshëm. Është përmirësuar cilësia dhe disiplina, ndërsa numri i mungesave ka shënuar rënie deri në 50 për qind, por akoma jemi larg niveleve evropiane të shkollimit, ka thënë ai.

Në Shëndetësi janë ofruar mbi 114 mijë shërbime. Në skemën e asistencës sociale janë përfshirë mbi 1.200 familje, ndërsa me ushqime dhe dru për ngrohje janë ndihmuar mbi 1.110 familje.

Urbanizimi ka bërë një punë të mirë me planet rregulluese dhe tashmë kanë mbetur edhe 700 hektarë për t`u trajtuar, ka thënë Mustafa, ndërkaq si problem te ky sektor ka përmendur shpronësimet dhe dhënien e lejeve ndërtimore. Edhe Kadastra, Gjeodezia dhe Prona kanë avancuar me trajtimin e kërkesave dhe tani qytetarët nuk presin me muaj për një përgjigje.

Punë e mirë është bërë edhe në drejtorinë e Buxhetit në realizimin e të hyrave komunale. Gjilani vitin e kaluar e ka tejkaluar planin e të hyrave vetanake dhe si qytet kemi potencial për të grumbulluar 3.5 milionë euro, mjete këto që u kthehen qytetare me investime, ka thënë kreu i Komunës.

Uji Dea

Edhe Zhvillimi Ekonomik, si drejtori e re ka nisur mbarë. Në kuadër të saj funksion zyra për biznes, që ka regjistruar 355 biznese të reja, zyra për Diasporë, që koordinon bashkëpunimin me mërgimtarët dhe zyra për Partneritet Publiko-Privat, që në vjeshtë do të vazhdojë me projekte tjera, si mundësi për zhvillim më të shpejtë ekonomik.
Punë jashtëzakonisht të mira kanë bërë edhe Shërbimet Publike, te mirëmbajtja e rrugëve, sinjalizimi, ndriçimi publik, pastaj Kultura, Bujqësia si dhe Mbrojtja e Shpëtimi. Gjilani vlerësohet për arritjet në kulturë. Këtu po ndërtohet biblioteka e re, ndërsa shumë shpejt fillon edhe rregullimi i stadiumit ndihmës.

Mustafa tha se bujqësia ka realizuar një mori projektesh dhe vetëm në këtë periudhë kanë përfituar subvencione 1.169 fermerë. Punë të madhe ka bërë edhe Inspekcioni, ka thënë Mustafa, por edhe ka nënvizuar faktin se te ky sektor ka një neglizhencë kohëve të fundit.

Kurse Prokurimi ka kryer më se 90 aktivitete në këtë periudhë, sikurse edhe zyrat tjera, që kanë bërë një punë të mirë, ka thënë Mustafa, duke falënderuar edhe qytetarët për kontributin e tyre, të cilët janë meritorë për të këto të arritura.

Në pjesën e dytë të debatit, kreu i Komunës, është përgjigjur në interesimet e qytetarëve Murat Morina, Muharrem Bajrami, Ilaz Jashari, Shemdesin Elezi, Doruntina Hasani, Shaban Terziu, Qahil Halili dhe të tjerëve, të cilët pos që kanë shprehur brenga personale, kanë qenë edhe kritik, por edhe lavdërues ndaj qeverisjes komunale.

Sa u përket kufijve të brendshëm administrativ, që janë ndryshuar me krijimin e komunave të reja, Mustafa ka thënë se nuk ka nevojë të shqetësohet askush, kurse për taksat në administratë, tha se janë minimale dhe vetëm aq sa nevojiten për të mbuluar shpenzimet që krijohen për ofrimin shërbimeve për qytetarë.

Mustafa i garantoi qytetarët se shpërndarja e investimeve po bëhet në mënyrë të barabartë. Atje ku nuk kemi mundur të investojmë diçka në këtë fazë, do të investojmë në fazën tjetër, tha ai, duke nënvizuar Zhegrën, Bresalcin, Përlepnicën e ndonjë lokalitet tjetër.

Ndërkaq, duke përmendur protestën e një grupi të qytetarëve të Zhegrës para institucioneve komunale, që u organizua nën pretendimin se po anashkalohen nga investimet, Mustafa sqaroi se mirëmbajtja e rrugës regjionale është përgjegjësi e Ministrisë, por tregoi se u ka thënë banorëve të Zhegrës se Komuna do t`i mbyllë gropat, nëse Ministria nuk e kryen këtë punë.

Ndryshe, ai u shpreh i gatshëm për të biseduar me qytetarët e Zhegrës sa herë ata e shohin të nevojshme, por jo në protesta politike dhe të njëanshme. “Zyra e kryetarit të Komunës është e hapur çdo ditë për qytetarë dhe ju jeni të mirë se ardhur sa herë që keni ndonjë shqetësim”, ka thënë Mustafa.

Ndryshe, ai dhe qeverisja e tashme komunale mori lëvdata publike nga aktivisti i LDK-së, Qahil Halili, i cili tha se duhet të jesh i verbër e të mos i shohësh rezultatet e këtij pushteti, të cilat nuk mund t`i mohojë askush. /rajonipress/