Mustafa: Nuk bëmë koalicion me PDK-në nga frika

Kreu i ekzekutivit, Isa Mustafa në një intervistë për gazetën “Zëri”, ka hedhur poshtë akuzat e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti se koalicioni mes LDK-së dhe PDK-së është bërë nga frika se Mustafa mund të përfundoj në burg për shkak të keqpërdorimeve që “Vetëvendosje”, pretendon se janë bërë gjatë qeverisjes së Mustafës në Prishtinë.
Zëri: A keni bërë koalicion nga frika e burgut, ashtu siç u deklarua nga kryetari i LVV-së, Albin Kurti?
Mustafa: Mund t’ju them se asnjë frikë nuk e kam as nga burgu e as nga ato raste që përmend Kurti. Ata zhvillojnë fushatë me dosje, thonë se i kanë dërguar 70 dosje, kryetarët e komunave nga LDK-ja kanë mundur t’i dërgojnë nga 170 dosje për kryetarët e mëparshëm, të cilët kanë qenë. Ne s’jemi marrë me ato punë, sepse janë në kompetenca të organeve të drejtësisë. Këta punën e parë që e kanë bërë në Komunë ka qenë: hajde i mbledhim disa dosje edhe i dërgojmë në Prokurori edhe themi se gjithë këta që kanë punuar përpara janë të dyshimtë. Unë asnjë punë në KK s’e kam lënë, për të cilat kam ves që kam bërë shkelje ligjore, përvetësim të pronës publike ose kam qenë i kyçur në ndonjë marrëveshje të korrupsionit. Punët e mia i di, dhe jo 70, por edhe 700 lëndë nëse i dërgojnë Shpend Ahmeti me Albin Kurtin, unë jam i sigurt për punën time që kam bërë sa kam qenë kryetar i Prishtinës. Nëse dikush nga zyrtarët e Komunës e ka shkelur ligjin, ka qenë i korruptuar, nuk e ka kryer punën si duhet, atëherë le të përgjigjen për punën e vet.
Pastaj, për lëndët që ata kanë dërguar në Prokurori kanë lëshuar vetë leje, që është totalisht shkelje e ligjit, sepse nëse një lëndë e konteston dhe e dërgon në Prokurori mandej ti s’mund të ndërhysh në atë lëndë, përderisa Prokuroria të mos e japë verdiktin e fundit.
Pra problemi është aty brenda, prandaj edhe Kurti dhe Shpendi duhet të shohin se kush po ndërton sot pa leje në Prishtinë, kush po ndërton në prona publike, kush po lëshon leje dhe si po lëshohen ato, kush janë sekserët që i bëjnë ndërmjetësimet për lëshimet e lejeve, sepse qytetarët po flasin.