UBT

Mustafa: Koalicioni qeverisës tepër i brishtë

/ 8 minuta lexim
Fundamenti

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa në një intervistë për Telegrafin ka thënë se viti 2013 është karakterizuar me shumë probleme jetike për qytetarët e Kosovës, me ngecje në zhvillimin ekonomik, ashpërsim të varfërisë, rënie të cilësisë në arsimin e lartë publik dhe në shëndetësi.

Ai thotë se Kosova mbeti vendi më i izoluar në Evropë. Ndërsa, duke folur për zgjedhjet nacionale, Mustafa thotë se mund të mbahen edhe nëse nuk përmbyllet reforma zgjedhore, pasi koalicioni qeverisës është tepër i brishtë.

Më poshtë mund ta lexoni intervistën me liderin e LDK-së, Isa Mustafa.

Telegrafi: Zotëri Mustafa si i vlerësoni zhvillimet politike në 2013-në?

Mustafa: Dialogu, të cilin Qeveria e zhvilloi me Serbinë la nën hije shumë probleme jetike të qytetarëve, u shënua ngecje në zhvillim ekonomik, ashpërsim i varfërisë, buxhet jozhvillimor, rënie e cilësisë dhe probleme të tjera në arsimin e lartë publik dhe në shëndetësi. Po ashtu nuk u shënua progres në njohjet e Kosovës, në proceset e integrimeve evropiane dhe në kapërcimin e regjimit të vizave. Kosova mbeti vendi më i izoluar në Evropë.

Telegrafi: Janë zhvilluar zgjedhjet lokale? Sipas jush, si doli LDK në këto zgjedhje, duke pasur parasysh humbjen në kryeqytet?

Mustafa: Ne do të dëshironim që rezultatet të jenë edhe më të mira, por konsiderojmë se LDK ka arritur një rritje të konsiderueshme në shumë komuna dhe ka fituar në disa komuna shumë të rëndësishme. Është rritur vota për LDK, prandaj LDK-ja nga këto zgjedhje është parti prijëse në vendin tonë. Nuk konsideroj se LDK ka humbur Prishtinën, sepse jemi partia më e madhe në Kuvendin Komunal, por në garën për kryetar komune në raundin e dytë të gjithë të tjerët janë organizuar që të votojnë kundër LDK-së. Ne kemi fituar në raundin e parë mbi 40 për qind të votave të qytetarëve dhe kemi grupin më të madh të këshilltarëve në Kuvend.

Telegrafi: Si e vlerësoni mbajtjen e zgjedhjeve në tërë territorin e Kosovës? Sa mendoni se kryetarët serb do t’i përmbahen Kushtetutës dhe Ligjeve të Kosovës, kur dihet tashmë që as simbolet e Kosovës nuk po i respektojnë?

Mustafa: Natyrisht që mbajtja e zgjedhjeve në tërë territorin e Kosovës, pavarësisht sfidave, ishte sukses. Megjithatë, të gjithë kryetarët e zgjedhur kanë për obligim respektimin e ligjeve të Kosovës. Respektimi dhe përdorimi i simboleve shtetërore është obligim ligjor e kushtetues për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, përfshirë komunat. Prandaj, çdo veprim i kryetarëve të komunave që nuk respektojnë këto obligime ligjore duhet të shpallet i pavlefshëm.

Telegrafi: Shumica e kryetarëve serb në Kosovë deklarojnë se nuk e njohin shtetin e Kosovës? Sa mund të konsiderohen këto zgjedhje të suksesshme?

Mustafa: Marrëveshja parasheh mbajtjen e zgjedhjeve lokale sipas ligjeve të Kosovës, dhe kjo nënkupton që kryetarët e zgjedhur të komunave, përfshirë ato me shumicë serbe, kanë për obligim të respektojnë Kushtetutën e vendit dhe ligjet e aplikueshme në Kosovë. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, si përgjegjëse për këtë dikaster, duhet të monitorojë me kujdes punën e të gjitha komunave dhe të reagojë në zhvleftësimin e të gjitha veprimeve që janë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën.

Telegrafi: Zotëri Mustafa, në 2014-në pritet të mbahen zgjedhjet nacionale? A jeni të mbahen ato pas reformës zgjedhore, apo për LDK-në mund të mbahen edhe pa reformë?

RCCOLA

Mustafa: Konsiderojmë se do të ishte mirë që të përmbyllet reforma zgjedhore, në suaza të mundësive që lejon Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Mirëpo, nëse nuk arrijmë që reformën të rrumbullakojmë në kohën e duhur, sepse koalicioni qeverisës është tepër i brishtë dhe ai nuk po e arrin shpesh ta ketë shumicën në Kuvend, konsideroj se zgjedhjet mund të mbahen. Organizimi i mirë i institucioneve shtetërore në këto zgjedhje, tregoi se nuk është problem i madh ligji mbi zgjedhjet, por disiplina dhe respektimi i ligjit.

Telegrafi: Tashmë po vazhdojnë bisedimet me Serbinë? Si e vlerësoni mbarëvajtjen e këtyre bisedimeve? Sipas jush sa po zbatohen marrëveshjet e arritura?

Mustafa: Siç e dini, LDK nuk ka qenë e përfshirë në ekipin dialogues, mirëpo vazhdimisht ka insistuar që Kuvendi të jetë i informuar rreth detajeve të këtyre bisedimeve. Përderisa në fillim kishim një raportim të rregullt të Kryeministrit në Kuvend pas çdo raundi të bisedimeve, kohëve të fundit nuk ka raportim, dhe si rrjedhojë procesi është mjaft jotransparent. Implementimi i disa prej marrëveshjeve ka shkuar mirë, por për disa të tjera ka pasur ngecje dhe sfida të mëdha në zbatimin e tyre, e si rezultat, edhe vonesa të mëdha në zbatim.

Telegrafi: Në gjithë këto zhvillime që kanë ndodhur, si e vlerësoni rolin e Kuvendit gjatë këtij viti?

Mustafa: Kuvendi e ka luajtur rolin e vet primar si institucion ligjvënës, dhe Raporti i fundit i Progresit ka treguar se sa i përket miratimit të ligjeve Kuvendi ka përmbushur detyrat e veta. Mirëpo, sa i përket detyrës kushtetuese të mbikëqyrjes së Qeverisë, Kuvendi ende ngecë ne atë aspekt dhe është me rëndësi që ky rol mbikëqyrës të forcohet në të ardhmen. Natyrisht kësaj nuk i ka ndihmuar as ndërhyrja e vazhdueshme e Qeverisë në Kuvend si dhe bojkotimi i seancave nga partitë në pushtet, që është praktikë e paparë në ndonjë vend tjetër.

Telegrafi: Si e vlerësoni politikën e jashtme të Kosovës? A është bërë sa duhet për rritjen e numrit të njohjeve të Kosovës?

Mustafa: Politika e jashtme ka qenë kryesisht reaktive dhe është karakterizuar me një çakordim total të akterëve që merren me këtë fushë, mospajtimet e të cilëve e kanë dëmtuar imazhin e shtetit. Prioritetet e diplomacisë kosovare kanë ndryshuar vazhdimisht, dhe nuk është treguar e suksesshme në avancimin e interesave të shtetit dhe fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Ky vit ka shënuar ritmin më të ulët të njohjeve që nga shpallja e pavarësisë. Loja që po bëhet me njohje të pakonfirmuara dëmton raportet në mes të Kosovës dhe shteteve të tjera. Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare poashtu ka ngecur. Premtimet për aplikim për anëtarësim në Këshillin e Evropës, që janë përsëritur nga viti 2011, nuk u realizuan as sivjet. Nuk kishte iniciativë anëtarësimi as në OBSH (Organizatën Botërore të Shëndetësisë) dhe në disa agjenci të tjera të specializuara të OKB-së ku nuk kërkohet anëtarësimi në OKB si parakusht. Përfaqësimi rajonal nuk është avancuar, përkundër premtimeve të Qeverisë se si rezultat i pranimi të fusnotës nga ana e tyre, Kosova do të anëtarësohet në mbi 100 organizata të karakterit rajonal.

Telegrafi: Është folur shumë për liberalizimin e vizave, ndërsa edhe 2014-ta i zë qytetarët e Kosovës të izoluar? A po bëhet sa duhet nga institucionet e Kosovës në këtë drejtim?

Mustafa: Procesi i liberalizimit të vizave po ecë me hapa të ngadaltë si rezultat i mospërmbushjes së kritereve nga ana e Qeverisë së Kosovës. Si rezultat, po pësojnë qytetarët e Kosovës të cilët mbesin të vetmit në rajon që nuk mund të lëvizin lirshëm, për shkak se Qeveria e Kosovës nuk ka vullnet të merret seriozisht me sundimin e ligjit, e në veçanti me luftimin e dukurive negative, siç janë krimi i organizuar dhe korrupsioni. Shpresoj që ky proces të përmbyllet sa më shpejtë, mirëpo kjo do të jetë e mundur vetëm me një Qeveri të përgjegjshme në krye të Kosovës.

Telegrafi: Qytetarët e Kosovës më të izoluarit në Evropë, me papunësi të lartë, mirëqenie sociale të dobët, shëndetësi kaotike. Çka mund të presin më mirë në 2014-në?

Mustafa: Një Qeveri të re, që del nga zgjedhjet demokratike, e cila do të jetë e përkushtuar për zhvillim ekonomik, social dhe integrime evropiane. Ne jemi të gatshëm ta marrim përgjegjësinë për këtë qeverisje.

Në fund, lideri i LDK-së, Isa Mustaga uroi që në vitin 2014-të të punohet bashkërisht për zhvillimin demokratik dhe social të Kosovës, për ngritjen e vlerave të shtetësisë dhe përmirësimin e jetës së qytetarit.