Fundamenti

Mustafa: Kjo nuk është PDK-ja për të cilën unë jam angazhuar

/ 26 minuta lexim
Uji Dea

Në intervistën ekskluzive dhënë Rajonipress , kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa fletë hapur dhe pa dorëza për të gjitha zhvillimet e fundit në fushën politike, të sigurisë, në fushën e akuzave e kundër akuzave pozitë-opozitë, për hetimet e EULEX-it që tashmë kanë përfunduar.

Mustafa drejtpërdrejtë u përgjigjet pyetjeve rreth transparencës së tij ndaj qytetarëve dhe medieve,për raportet e tij me Hashim Thaçin dhe kryesuesin e PDK-së në Gjilan,për mundësinë e kandidimit për kryetar të Gjilanit , për investimet në fushën e partneritetit publiko- privat,për akuzat për konflikt të interesit dhe për aksionet e tij në fushën e biznesit, për të ardhmen e tij në skenën politike dhe kushtet që ka ai për PDK, për premtimet gjatë fushatës zgjedhore, për rolin e opozitës në Gjilan etj.

Rajonipress- Zoti Mustafa,Komuna e Gjilanit kohëve të fundit është shpërblyer me disa grante nga USAID amerikan dhe ka marrë edhe disa mirënjohje po rreth efikasitetit të qeverisjes komunale. Dhe në anën tjetër kemi reagime qoftë nga opozita apo grupe të caktuara politike që ju akuzojnë si shkelës të ligjeve aktuale. S`i e shpjegoni këtë kontradiktë?

Mustafa: Unë dhe drejtorët e menaxherët e mi e kemi bërë maksimumin për këto katër vite e gjysmë dhe jemi përballur me të gjitha kërkesat e sektorëve në komunë dhe të qytetarëve të komunës. Kemi treguar që jemi servis i njëmendtë i qytetarëve dhe kemi treguar që komuna nuk është e kryetarit dhe drejtorëve po para së gjithash ajo është e qytetarit të thjeshte të kësaj komune.

Bashkë me investimet që kanë ardhur nga taksa lokale e qytetarëve, nga Qeveria dhe donatorët i`a kemi dalur ta kthejmë besimin e tyre te komuna dhe te kryetari i saj. Kjo edhe ka qenë qëllimi parësor programor imi dhe i Partisë Demokratike të Kosovës – ndërrimi i mentalitetit qeverisës dhe kthimi i besimit të qytetarit te qeverisja.
Jemi komuna e parë në shumë fusha të vlerësuara nga qeveria dhe donatorët e komunës dhe unë ndjehem krenar që kam arritur të jem 100% në funksion të interesave të taksapaguesve të komunës. Jemi shpërblyer me shumë certifikata dhe me investime (grante) nga shumë donatorë e sidomos nga USAID-i amerikan në një garë të drejtpërdrejtë me komunat e tjera të Kosovës.

Jemi ranguar lartë dhe jemi shpërblyer për respektim të rregullave dhe procedurës në kuvend, jemi shpërblyer disa herë për pastërti të qytetit, grumbullim sistematik të mbeturinave dhe mbajtje të zonave të gjelbërta, jemi shpërblyer për ngritje të kapaciteteve dhe dhënie të mirë të shërbimeve në administratë, për shfrytëzim më të mirin në Kosovë të teknologjive informatike, jemi shpërblyer për ambient të mirë për të bërë biznes dhe investime në komunën tonë.
Së fundit herë jemi shpërblyer për transparencë dhe për tejkalim të të hyrave nga taksa lokale. Kjo vërtete është për t’u krenuar, por kjo gjithashtu obligon edhe më shumë.
USAID-i amerikan e ka përzgjedhur komunën e Gjilanit si komunë të vetme për implementimin e një projekti pilot për shpenzim të drejtpërdrejtë të fondeve të Stejt Departamentit të SHBA. Me këtë rast testohen kapacitetet tona dhe marrin notë komunat e Kosovës ,por edhe vetë Qeveria.
Ky është besim i madh të cilin partnerët tanë të besueshëm dhe të përhershëm siç është USAID, po e tregojnë ndaj komunës.

Sa i përket qasjes së opozitës dhe medieve e shoqërisë civile, kryesisht them që është e mirë dhe konstruktive e afirmuese ,por ndonjëherë plotësisht e paargumentuar dhe si e tillë edhe frenuese.

Ata ndonjëherë mundohen ta bëjnë punën e vet në favor të ndonjë politike të caktuar qoftë ajo edhe joparimore e cila qasje në politikë edhe është e njohur, por edhe e pranuar. Natyrisht që qasja konstruktive e ligjore e opozitës dhe e medieve e shoqërisë civile është tepër e domosdoshme dhe tepër e dobishme kur ajo është vërtetë e tillë. Këtë unë e çmoj shumë lartë.

Rajonipress- Kur jemi tek respektimi i akteve ligjore, a mund të jepni shpjegime më të detajuara rreth partneritetit publiko- privat që ka nisur të ndodhë në Gjilan. A ka konflikt të interesit Qemajl Mustafa apo u keni bërë favorizime njerëzve të afërt të rrethit tuaj për të qenë përfitues të tenderëve nga ky proces?

Mustafa: Po e them një detal rreth përgatitjes së terrenit për këto investime: Ata që janë interesuar edhe para shpalljes u kemi shpjeguar se kriteret financiare dhe teknike do të jenë të ashpra dhe këtë ua kemi shpjeguar të gjithëve pa dallim.

Te unë qytetarët dhe bizneset janë plotësisht të barabartë dhe rregullat ligjore dhe të konkurrencës janë respektuar në tërësi. Kam apeluar disa herë publikisht para kuvendit, posaçërisht te opozita dhe kahdo tjetër në komunitetin e biznesit që të mblidhen kapitalet kudo që janë dhe ato kapitale të komunës, të diasporës dhe të tjera të vehen në funksion të zhvillimit të ekonomisë së komunës.

Ky proces ka nisur së paku para 24 muaj dhe kemi ecur kujdesshëm nëpër të dhe janë votuar në Kuvendin Komunal disa mundësi për investime të tilla. Tri kontratat e para janë votuar për këto investime, dy prej të cilave janë ndërtime afariste e banesore në vlerë të parallogaritur deri rreth 4.5 milionë euro e që është për çdo respekt sepse ky kapital është 100% privat ndërsa komuna e ofron vetëm tokën dhe nxjerr interes të mirë për hisen e saj duke mos e tjetërsuar tokën (toka dhe objektet mbesin prapë pronësi e komunës sipas ligjeve LVL, PPP, të PRONËS, të DHËNIES SË TOKËS NË SHFRYTËZIM etj.).

Kontrata tjetër ka të bëjë me kompaninë publike për mbeturina “Higjiena” në të cilën po lidhim partneritet publiko-privat me një kompani austriake. Pra, asnjëherë, asnjë ndikim e favorizim nuk e ka bërë asnjë zyrtar i komunës e aq më pak kryetari i komunës i cili është i zgjedhur me besimin e qytetarëve dhe është i thirrur ta respektojë ligjin e ti trajtojë të gjithë barabarësisht.

Qëllimi i parë dhe i fundit i kryetarit të komunës është thirrja e kapitalit privat dhe të donatorëve për të hapur punësim dhe për ta zhvilluar sa më shpejt komunën.

Rajonipress-Ju keni deklaruar disa herë publikisht se jeni në shërbim të ligjit dhe se jeni i hapur ndaj çdo hetimi. Nga shumë dyshime e akuza të ngritura,nga hetimet e EULEX-it që u bastisen dy kompani gjilanase dhe dyshimet ndaj jush për shpërdorim të detyrës zyrtare kanë mbetur në pikën zero. Mendoni se EULEX-i kishte gabuar në këtë rast,meqë asnjë dëshmitarë nuk është marrë në pyetje nga ky rast?.Madje EULEX-i ka hequr edhe dorë nga këto hetime. A duhet të kërkojë EULEX falje për tërë atë pështjellim dhe lakim të emrit tuaj.

I hapur ndaj çfarëdo monitorimi e hetimi

Mustafa: Secili mekanizëm i monitorimit, kontrollit dhe hetimit e ka të drejtën që të merret me secilin prej nesh në politikë dhe jashtë saj. Askush nuk duhet të jetë asnjëherë mbi ligjin. Toleranca në keqpërdorime të fondeve publike dhe të kompetencave duhet të jetë vërtetë zero.

Unë jam befasuar me lehtësinë e futjes së emrit tim në një dokument nën bazën e dyshimit për keqpërdorim të detyrës zyrtare me menaxheren e prokurimit (edhe pse në atë dokument ka shkruar se përgjegjësia është ex-officio- me detyrë zyrtare d.m.th jo drejtpërdrejtë i involvuar në përgjegjësi).

Sidoqoftë, e di një gjë dhe jam i sigurt – asnjëherë qëllimshëm dhe me vetëdije nuk kam bërë asnjë keqpërdorim dhe ndjehem fare mirë e gjumin e bëj fare rehat. Ka patur ndonjë tejkalim procedural ndonjëherë dhe kjo imponohet në qeverisje e sidomos te ne në tranzicion kur planifikimi nuk është as i duhur dhe as nuk bëhet me kohë, por për ato unë e marr përgjegjësinë sepse për tejkalime të kësaj natyre unë kam marr vendime dhe ato vendime janë në dokumentacion në zyrën time.

Po e zëmë duhet të vazhdohet mirëmbajtja e rrugëve edhe për disa dhjetëra mijëra euro përtej vlerës së kontraktuar, këtë e kam bërë me vendim të veçantë sepse në vjeshtën e vonë nuk mund të shpallim tender për mirëmbajtje verore të rrugëve. Kjo duhet të shërbejë si përvojë që të mos ndodhë viteve në vijim dhe kështu në fund të fundit ndërtohen përvojat në qeverisje dhe ndërtohet shteti.

Hetuesia megjithatë duhet të jetë e kujdesshme sepse imazhi politik e qytetar ndërtohet me shumë mund e për shumë vite dhe për pak ditë mund të rrënohet tërë ai investim shumëvjeçar personal, familjar e shoqëror sepse publikimi i të pavërtetave krijon opinion të shpejtë dhe të shtrembëruar.
Nuk ka kompensim për këtë dëm sepse imazhin e rrënuar padrejtësisht nuk mund ta kthejë asnjë kompensim material. Është sikur dita e djeshme – ajo perëndon dhe nuk kthehet më.

Rajonipress- Nga të tjerët jeni cilësuar si një kryetar me plotë energji dhe ide pozitive për zhvillimin e Gjilanit. Ndërkohë janë premtuar miliona euro për Gjilanin nga Qeveria e Kosovës. Thaçi shumë më rrallë po vije në Gjilan. Premtimet për autostradën,hekurudhën,korsit, universitetin, e projekte tjera kanë mbetur vetëm “ëndërr”. A ndiheni i tradhtuar nga Qeveria e Kosovës dhe konkretisht nga Hashim Thaçi?

Mustafa: Po, është e vërtetë që unë jam (ndoshta) tepër ambicioz ,por edhe jam koshient që Gjilani ndryshe nuk zhvillohet. Kur kam dalur në garë për mandatin e dytë në vitin 2009 e kam bërë një analizë të mirë rreth kërkesave të komunitetit në Gjilan dhe pas një përvoje të mirë dyvjeçare në qeverisje kam konstatuar që së paku 20 milionë euro do të duhej të investoheshin çdo vit në infrastrukturën e kësaj komune në mënyrë që sadopak të shihet zhvillim dhe lëvizje përpara.

Kjo do të thotë se me ndihmën e komunitetit të donatorëve dhe të qeverisë e të hyrave vetanake të komunës do të duhej për katër vite të një mandati stabil të investoheshin rreth 100 milionë euro, por jo më pak se 80 milionë. Këtë propozim timin programor e kam harmonizuar plotësisht me kryeministrin Hashim Thaçin i cili pastaj publikisht e ka përkrahur gjatë gjithë fushatës.

Për fat të keq një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe aq më keq bazuar në premtimet e qeverisë dhe në të hyrat e komunës unë e kam filluar realizimin e projektit tim i cili projekt tashmë ka mbetur në gjysmën e rrugës sepse është ky viti i dytë kur kemi tepër pak investime nga qeveria dhe aq më keq një pjesë e mirë e projekteve të nisura ka ngecur rrugës dhe punëkryesit ishin deri tashti në situatë jo të mirë sepse i kanë shpenzuar në projekte edhe ato kapitale që i kanë patur.

Me buxhetin e këtij viti dhe me një intervenim të qeverisë me 470 mijë euro kemi arritur që punëkryesve t’ua paguajmë punën e kryer por, për t’u përfunduar projektet nevojiten edhe rreth 3 milionë euro të tjera. Edhe një milion shtesë na duhet për projektin Mirusha dhe një milion tjetër për projektet e vogla nëpër lagje të qytetit dhe në fshatra. Pra, deri në fund të vitit na duhen 5 milionë euro.

E kam premtimin e kryeministrit që një ndarje më e madhe për Gjilanin do të ndodhë me rishikim të buxhetit 2012 dhe me ridestinim të mjeteve pas muajit të 9-të 2012 kur qeveria ka të drejtë të merr mjete atje ku ato nuk janë shpenzuar dhe t`i riorientojë te organizatat shpenzuese të cilat janë në gjendje ato t`i shpenzojnë përmes projekteve. Ngecja ka ndodhur për shkak të arsyeve të cilat i kam thënë disa herë e që janë të njohura për publikun.

I sigurt jam që nëse ekziston vullnet politik i kryeministrit mjete gjenden mjaftë sepse siç e thotë vet kryeministri shpesh “Unë e dij që pare do të teprojnë në fund të vitit ,por nuk e dij në këtë minutë kujt do t`i teprojnë…”. unë ende besoj në vullnetin e tij politik për Gjilanin si komunë strategjike për Kosovën, por e vërteta është që një shkujdesje ka ndodhur përgjatë vitit 2009 e sidomos 2010 dhe 2011.

Çështja e universitetit po ngec sepse së pari nuk kemi definim hapësinor për të e pastaj përcaktim për studim të mirëfilltë dhe themelim të tij. Komuna dhe rektorati kanë bashkëpunuar mirë dhe kemi bërë përparime të dukshme në drejtim të zgjerimit të hapësirave për vitin e ardhshëm akademik. Përgjegjësinë për të gjitha çështjet e kemi ndarë me deputetët të cilët e përfaqësojnë komunën në Kuvendin e Kosovës edhe me ata të PDK-së, por edhe me të tjerët shqiptarë e serbë. Le të angazhohet secili për komunën e tij.

Rajonipress- Ish kryetarët e mëparshëm të Gjilanit edhe pse kanë folur shumë për lumin “Mirusha”, asnjëri nuk kishte pasur guximin që ta fillojë këtë projekt tejet të rëndësishëm për Gjilanin. Ju e filluat pjesën e parë. A jeni optimist se ky projekt do të mbyllet brenda mandatit tuaj?

Mustafa: Po, tashmë për “Mirushën” i kemi 650 mijë euro të destinuara edhe për këtë vit kështuqë ky projekt vazhdon dhe do të shtrihet në pjesën urbane të qytetit. Kemi premtimin e Qeverisë edhe për një milion euro shtesë e që do të ishin të mjaftueshme për ta vazhduar punën sivjet.

Shpallja publike e pjesës së mbetur të projektit ka ndodhur dhe procesi është i hapur 40 ditë. Kryeministri këtë projekt e trajton si projekt personal të tij sepse është i rëndësisë së veçantë dhe e ka premtuar realizimin e tij. Me plotë pengesa që i kemi patur në terren ne ia kemi dalur që të mos ngecë puna për asnjë çast dhe kemi bërë punë të madhe duke i finalizuar rreth 1500 metra gjatësi nga 4000 metra sa është i gjatë i gjithë shtrati.

Pjesa më problematike është kryer me sukses. Pastaj ka ndodhur një zvarritje njëvjeçare e pakuptimtë nga MMPH dhe kështu e kemi humbur rastin që në vitin 2011 ti shpenzojmë 830 mijë euro të destinuara për këtë projekt. Me marrëveshjen me Kryeministrin dhe ministrin e MMPH z.Gashin, ky projekt tashmë ka kaluar në kompetencë të komunës dhe komuna bashkë me MMPH do ta udhëheqin procesin e realizimit të tij.

Mobi Casa

Rajonipress-T`i kthehemi rolit të opozitës. S`a mendoni se opozita e tanishme po përfaqëson shtresën e qytetarëve për të bërë ndryshime. A mendoni se opozita më shumë po lufton për interesa personale e klanore, sesa për ta ndryshuar gjendjen e qytetarit të rëndomtë?

Mustafa: Opozita dhe kuvendi përgjithësisht për këto 3 vite e gjysmë kanë qenë të angazhuar dhe jashtëzakonisht konstruktiv në kryerjen e detyrave dhe obligimeve ndaj qytetarëve. Tash kohët e fundit e kemi një ndikim të partive opozitare në grupet e tyre në kuvend që pa kusht të kundërshtohen propozimet dhe qëndrimet e koalicionit qeverisës për përfitimin e poenëve politikë, por shpesh pa ndonjë rezonim të pranueshëm.

Kështu ishte kushtëzimi për pagesën e ujit dhe të mbeturinave dhe kështu është mosvotimi i marrëveshjeve investuese te investimet private në tokën publike anipse tërë procesin e kanë votuar deri te kontrata finale investive dhe kemi qenë 100% koncensualë. Çka do të thotë kjo? Ose del se LDK nuk ka qenë totalisht e informuar për çka është fjala kur ka votuar dhe përkrahur kryetarin dhe koalicionin për më shumë se 12 muaj ose del se dikush nga jashtë për nevoja krejt jashtë interesit qytetar dhe të zhvillimit të kësaj komune po luan me LDK.

Kjo është joparimore dhe kundërproduktive pikërisht për opozitën. Besoj thellë që nuk i kanë kalkuluar pasojat nga një qëndrim i tillë. Zhvillimi ekonomik dhe vendet e reja të punës mbi të gjitha janë prioritet i kësaj komune. Ne jemi bashkë në proces dhe ai duhet të përkrahet në makroplan sepse nuk ka vizion tjetër LDK e AAK për komunën e Kosovën.

Nëse diçka duhet të kritikohet brenda procesit kjo duhet dhe mund të bëhet përherë por vetëm me mjete dhe gjuhë të lejuar demokratike, por jo të bojkotohet dhe të kundërshtohet procesi si tërësi.

Përgjithësisht unë e lavdëroj punën e opozitës deri tashti dhe i ftoj e inkurajoj që të vazhdojmë bashkë në zhvillimin dhe modernizimin e komunës tonë e cila po jep shenja të dukshme dhe e ka rastin me qenë komunë e dalluar e Kosovës me shumëçka. Për të gjitha këto rezultate të spikatura patjetër që kontributëdhënëse është edhe spektri opozitar në kuvend por edhe shoqëria jashtë politikës. I falënderoj sinqerisht që të gjithë për angazhimin.

Rajonipress-Kur jemi tek transparenca e kryetarit të Komunës karshi qytetarëve,publikut dhe medieve. A jeni treguar i sinqertë dhe i përkushtuar kur keni dorëzuar në Agjencionin Antikorrupsion deklaratën tuaj rreth prejardhjes së financave. S`a është i pasur Qemajl Mustafa dhe ku janë përfitimet e juaja ose përqindja e aksioneve?

Mustafa: Qemajl Mustafa ka qenë dhe është plotësisht transparent dhe i sinqertë para qytetarëve dhe zgjedhësve të tij dhe pikërisht për këtë nuk kam dashur që të jetë ndryshe përveç se t`i reflektoj të gjitha të dhënat për gjendjen materiale të familjes time e që është 100% ashtu siç e kam thënë në deklaratë.
E kam thënë ku i kam borxhet me emër e mbiemër dhe kush më ka borxh dhe cilat dhe ku janë aksionet e mia. Unë nuk jam i pasur ,por kur bëhet krejt bilanci del që unë jam një kosovar mesatar me një ekonomi modeste por të krijuar plotësisht me djersë e me punë që nga viti 1991. Prapa kësaj që është deklaruar unë rri përherë dhe jam shumë krenarë që jam i tillë.

E rëndësishme është që për këto katër vite e gjysmë asnjëherë nuk i kam dalur ligjit përpara dhe asnjëherë nuk e kam kushtëzuar, shantazhuar ose fyer dikend në konkurrencë qoftë si ofertues ose si konkurrent për punësim ose ngjashëm. Konkurrenca ka qenë e hapur plotësisht dhe ligjore.

Rajonipress- Edhe pse jeni njeriu i parë i Gjilanit shumë pak ose fare pak keni punësuar njerëz tuaj familjar, gjë që nuk ka ndodhur me të tjerët. Madje vëllai i juaj tashmë është i papunë. A mendoni se kështu kanë vepruar edhe të tjerët apo keni gjetur një administratë ku ka dominuar klani farefisnor e familjar”

Mustafa: Ndryshimi i mendësisë në qeverisje dhe kthimi i besimit të qytetarëve të kryetari komunës dhe te institucionet tona nuk bëhet ndryshe përveçse duke dhënë shembuj konkretë dhe vetëmohues. Ata para meje i kanë rehatuar në kohë rekorde njerëzit e partisë, familjes e fisit po unë jo sepse doja që së pari të jem në shërbim të të tjerëve e pastaj të familjes time.

Edhe sot unë e kam gruan time të pa punësuar anipse e ka një diplomë të shkollimit të lartë. Kunata, juriste është me kontratë mujore që do të thotë se nuk ka marrëdhënie të përhershme të punës e vëllai im u detyrua që ta lëshojë odën ekonomike për shkak të trajtimit të ultë që i bëhej atje. Nuk e patëm ne rastin që të punësohemi në PTK me rroga 1000 e më shumë euro si miku e vëllai i Lutfi Hazirit, si Arben Mehmeti dhe plotë të tjerë kudo e kahdo në administratë shtetërore e publike.

Po për këtë ata po e paguajnë çmimin. Janë, dhe me gjasë do të jenë edhe më tej në opozitë se populli nuk mashtrohet lehtë. Ai na vrojton me sy e veshë kritik përditë dhe gjatë dhe e jep verdiktin në kutitë e votimit. Administratën e kam gjetur të stërngopur dhe të klanizuar e të dobët me kapacitete. Kemi bërë hapa gjigantë përpara në secilën fushë. Por, nëse unë jam përjashtimi ky nuk është rregulli në PDK.

Dikush nga radhët e PDK i ka nga pesë e më shumë të punësuar në vende të shkëlqyeshme të punës por unë dhe shumë aktivistë të saj nuk e kemi patur rastin ta bëjmë edhe vetëm një punësim kualitativ. Kjo ka qenë shkujdesje e partisë ndaj disa kuadrove të saj dhe familjeve të tyre.

Rajonipress- Zoti Mustafa, si e kualifikoni gjendjen e përgjithshme sot në komunë krahasuar me fillimin e mandatit tuaj që nga fillimi.

Mustafa: Sot,gjendja është pakrahasueshëm më mirë. Kemi krijuar të gjithë bashkë një ambient miqësor për komunikim normal në rrafshin politik por edhe në atë etnik e shoqëror përgjithësisht. Janë bërë përparime të mëdha në ndërtimin e sigurisë pavarësisht që kemi raste të izoluara të dhimbshme të përfundimit edhe tragjik të qytetarëve siç është rasti i therjes me thikë nga hajnat i qytetarit në shtëpinë e tij dhe një therje gjithashtu para pak ditësh i dy të rinjve me përfundim fatal.

Treguesit thonë që krimi është në rënie dhe zbulueshmëria është në rritje të dukshme. Janë bërë shumë investime në infrastrukturë dhe sot komuna frymon dhe duket krejt ndryshe nga ajo e fillimit të mandatit tim të parë por edhe të dytë. Gjilani sot është komunë kampion në shumë fusha dhe për këtë është dashur mund, është dashur bashkëpunim me të gjithë dhe ndërtim i besimit.

Rajonipress- Gati asnjë parti politike në Gjilan nuk i ka mbajtur kuvendet zgjedhore që i parasheh statuti. As PDK-ja nuk e ka përmbushur këtë standard. S`i do të ecë tutje PDK-ja e Gjilanit dhe kush mendoni se mund të qojë përpara këtë subjekt politikë.

Mustafa: Kjo pyetje do të duhej t`i drejtohej Hashim Thaçit në Prishtinë, por megjithatë po e them ndonjë fjalë. Unë kam hequr dorë katër vite më parë nga kryesimi
dhe dy vite më parë nga kryesia e tashme. Pse e kam bërë këtë? Sepse aty nuk kishte më ambient për punë krijuese. Aty hynë fyerjet, dolloveret, thyerjet ligjore dhe ambiciet e ulëta.

Kjo kryesi ende nuk është koshiente për gabimet e mëdha që i ka bërë dhe që po vazhdon t`i bëjë. Atje i është krijuar hapësirë mediokritetit dhe njerëzve me vizion të ngushtë (me ndonjë përjashtim) të cilët për qëllim e paskan patur joshjen personale dhe ambicien që të bëhen “dikushi” pasi i fituam zgjedhjet.
Sot, nga ajo kryesi kanë ikur mbi gjashtë anëtarë. Atë kryesi filloi ta shthurë, ta shantazhojë dhe ta fyej rëndë I. Kurteshi i cili pastaj për inate primitive dhe për nevoja thjeshtë personale pastaj iku nga PDK.

Kjo kryesi le që nuk ishte në gjendje t’i kundërvihej frymës së tij po hyri në valle me të dhe për pasojë unë isha i pari i detyruar të ikja prej saj. Ikën pastaj edhe së paku pesë të tjerë. Pa një proces të hapur dhe të mirëfilltë zgjedhor PDK nuk reformohet dhe dyshoj që e presin ditë të mira në zgjedhjet e afërta të vitit 2013. Unë i uroj rrugë dhe punë të mbarë nëse vazhdon të dominojë ky trend dhe ky mentalitet i qeverisjes së partisë. Aty tashmë edhe nuk dihet kush kënd e qeverisë.
Kjo nuk është PDK-ja për të cilën unë jam angazhuar.

Rajonipress- Ndonëse është herët të flitet , ku e sheh vetën Qemajl Mustafa pas përfundimit të mandatit ?

Mustafa: Varet prej zhvillimeve. Varet se si menaxhohet partia dhe politikëbërja në të. Shumëçka duhet të korrigjohet në degën në Gjilan e deri në qendër. Që nga kërkimfaljet publike e deri te zhvendosja e njerëzve të caktuar të identifikuar me argumente si të dëmshëm.

Përndryshe shumë sinqerisht. E shoh veten në shtëpinë time dhe pranë familjes time e në punët e mia. Shumë keq janë sjellur këta të mitë (PDK) këto katër vite me mua. Siç e ceka as të punësuar nuk kam nga familja. Kanë marrë turr të gjithë me e joshë veten, farën e fisin më keq se LDK në kohën e saj.

E stërmbushën PTK-në, KEK-un, ATK-në, Qeverinë, … po për njerëzit e mi dhe të shumë aktivistëve të mirë nuk pati asnjë rend dhe asnjë vend. E mundimshme është kjo dhe fyese. Po nejse, “punë tranzicioni” po i thonë. Për idare gjendemi përherë sepse kemi kulturë pune dhe nuk dorëzohemi.
Kësaj komune dhe shtetit mund t’i japim përherë dhe do t’i japim përherë por vetëm si njerëz të lirë, të barabartë dhe të dinjitetshëm. Sot, për Gjilanin dikush tjetër vendos dhe pyetet kur është në pyetje punësimi në sektorët e qeverisë dhe kahdo tjetër. Unë dhe familja ime, por edhe shumë aktivistë të mirë të PDK nuk po e përjetojmë veten të barabartë e të lirë. Jemi të ndrydhur.

Kjo nuk është PDK-ja për të cilën unë jam angazhuar. Personalisht nuk jam kundër që njerëzit vrapojnë për ta joshur barkun por, le ta dinë që nuk do t’ua luajmë më vallen. Le të marrin përgjegjësi, le të kandidohen, le të fitojnë dhe le t’i marrin të mirat e të këqijat. Ata le t’ia bëjnë gajle punës së ligjit dhe barabarësisë por jo Qemajlit telashet e ngarkesat e ata qefin e lezetin. Jo, jo më asnjëherë.

Rajonipress- A do të jeni i gatshëm që të pranoni ndonjë ofertë për ndonjë postë të rëndësishëm në Prishtinë ?

Mustafa: Jo me ketë mënyrë të trajtimit. Unë dua të jem i respektuar dhe të jem barabarësisht i trajtuar. Kjo në PDK nuk ka ndodhur as nuk po ndodhë. Jam arsyeshëm i irrituar. E kam ruajtur dhe ngritur imazhin e saj çdo ditë e më vite po paska qenë punë e kotë.
Megjithatë pishman nuk jam se i kam shërbye dhe po i shërbej komunës time dhe njerëzve të mi. Në Kosovë ka ndodhur kthesë e jashtëzakonshme në investime por sa ato janë bërë me prioritet hapësinor dhe me kualitet është muhabet tjetër.

Rajonipress- A ju kanë kushtuar në sferën e politikës kundërshtimet tuaja të hapura që i keni bërë disa herë në adresë të Qeverisë së Kosovës dhe njerëzve përgjegjës të PDK-së. A do të vazhdoni të jeni edhe më tutje kritik dhe llogaridhënës nga ata që po e përfaqësojnë Kosovën dhe popullin e saj në nivelet më të larta?

E kam edhe do shpresë te Hashim Thaçi

Mustafa: Siç po shihet me kanë kushtua fortë bile. Nuk kemi kurrfarë trajtimi si komunë as si rajon. Kur niseni për Prishtinë ose për Ferizaj dhe anasjelltas e shihni qartë se çfarë përkushtimi ka patur qeveria ndaj nesh. Vërtetë jemi të izoluar.

Nëse këtyre ditëve u bie të shkoni për Zhegër dhe për Viti do të zhgënjeheni me gropat e patejkalueshme në rrugët regjionale për shkak të dështimit të mirëmbajtjes. Do të vazhdoj ta them fjalën time se është domosdoja e demokracisë dhe e qeverisjes së mirë pavarësisht se ajo dikujt nuk i pëlqen.
Besimi i qytetarëve dhe i komunave te qeveria kthehet vetëm me trajtim të barabartë të tyre e jo me qasje selektive e me diskriminim. Edhe këtu ka vend për dhe hapësirë ende për korrigjim nëse kryeministri i vendit e ka vullnetin politik që ta bëjë këtë. Ai po vonohet në trajtimin e kësaj ane por unë e kam edhe do shpresë në të dhe kjo mund të fillojë të korrigjohet tash, në muajin Qershor 2012./rajonipress/