Mustafa i quan historike të arriturat e Qeverisë

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se shuarja e operatorëve ilegalë është lajm i mirë për Kosovën.
“Ndërprerja e të gjitha shërbimeve të operatorëve të telefonisë mobile që kanë vepruar në mënyrë të pa autorizuar nga paslufta në territorin e Republikës së Kosovës është lajm i mirë për Kosovën”, ka shkruar Mustafa.
Ai e ka shfrytëzuar facebookun që të përmend edhe kodin e ri telefonik të Kosovës, ndaljen e trenit, largimin e murit dhe të barrikadave të cilat i ka cilësuar si të arritura historike, transmeton lajmi.net
“Ndër të arriturat historike gjatë këtij mandati është edhe bërja e Kosovës me Kod Shtetëror Ndërkombëtar Telefonik (+383), kompletimi i shumë elementeve të shtetësisë si dhe shtrirja e sovranitetit në tërë territorin e vendit. Kosova sot nuk ka barrikada, nuk ka mure, nuk ka trena provokues, unë promovova urën që lidh dy komunat më veriore të shtetit tonë, shuajtëm shumë struktura paralele…”, thuhet në postimin e Mustafës
Ai e ka vlerësuar mandatin e tij qeverisës, si mjaft të përkushtuar për të ardhmen e vendit
“Kauzat fiktive, që na mbajtën peng 15 vjet, po bien një nga një, gjatë këtij mandati të punës me vendosmëri dhe përkushtimit të plotë për të ardhmen e vendit!”, ka përfunduar Mustafa në facebook.