Mustafa : Gjilani ka treguar performancë të mirë gjatë vitit 2012

Gjilan – Në debatin publik me qytetarët e Gjilanit kreu i saj Qemajl Mustafa ka folur për të arriturat, sfidat, investimet e shumta në arsim, shëndetësi, kulturë, sport e rini, për zhvillimet pozitive në inspeksion, kadastër, financa, prokurim, zhvillim ekonomik, zyrën e projekteve dhe mbi të gjitha Mustafa ka thënë se jemi munduar që të jemi në shërbim të qytetarëve me të gjitha format dhe mundësit.

Qemajl Mustafa për më shumë se katër orë ka bashkëbiseduar me qytetarët e Gjilanit dhe me të gjithë ata që kanë pasur dëshirë që të shtrojnë pyetje apo interesime të natyrave të ndryshme.

Mustafa i shoqëruar edhe nga drejtorët komunal ka folur për zhvillimet pozitive në fusha të caktuara të administratës komunale, ka folur dhe ofruar fakte për investime të shumta vendore e ndërkombëtarë, por mbi të gjitha ka folur për nivelin e mirë të sigurisë , klimën e mirë politike, marrëdhëniet e mira ndëretnike, marrëdhënie të mira ndërnjerëzore, ambient i mirë për investime, riatdhesim dhe riintegrim i shtuar, marrëdhënie të mira me shoqërinë civile, me mediet, marrëdhënie të mira me donatorët, marrëdhënie të mira me faktorin ndërkombëtar .

Mustafa përmes projektorit ka ofruar shifra e argumente duke përmendur të gjitha anët pozitive, por edhe të meta aty këtu nëpër të gjitha drejtoritë përkatëse. Mustafa tha se Gjilani ka treguar performancë të mirë gjatë vitit 2012 dhe kjo ka ndikuar që të jemi përfitues edhe të shumë donacioneve ndërkombëtare.”Ne jo rastësisht jemi shpallur si komuna më e mirë e kualifikuar për të bërë biznes”.

Sipas Mustafës në qeverinë komunale dominon një administratë profesionale dhe e digjitalizuar duke treguar një shembull pozitiv edhe zyra për shërbimin e qytetarëve në të cilën u janë kthyer përgjigje 95 % e kërkesave të qytetarëve.

Kreu komunal pasi ka dhënë hollësi për zhvillimet nëpër të gjitha drejtorit tha se Komuna e Gjilanit është një organizëm i shëndoshë dhe tepër vital e funksional.

Duke folur për punën e Kuvendit tha se ka mbajtur 13 seanca dhe ka marrë 64 vendime, derisa janë mbajtur 152 takime të komiteteve dhe janë nxjerrë 102 rekomandime. Duke folur për fushën e arsimit Mustafa tha se janë dhënë tekste falas edhe këtë vit, si dhe ka pasur trajnime nga GIZ (matematikë, lëndë shkencore). Sipas tij është lëshuar në punë një shkollë fillore, shkolla e bujqësisë është gati për punë dhe po punohet në ndërtesën e gjimnazit të ri. Në këtë pikë do të rinovohen nga Komisioni Evropian gjimnazi, konvikti dhe shkolla fillore ne Cërnicë, do të investohen shkollat në Kishna Polë, në Shurdhan (KE) e Hagjaj (komuna) si dhe është shpallur konkursi për shkollën e arteve. Janë rinovuar të gjitha për vitin shkollor 2012/13 dhe janë pajisur me lëndë djegëse për dimër.

Duke dhënë fakte për drejtorinë e shëndetësisë Mustafa tha se janë dërguar 70 raste për shërim jashtë vendit, janë kryer qendra për trajnime, edukime nga më të ndryshmet (seminarë, edukim në terren, preventimi nga dukuritë negative, asistim me ndihmë rasteve sociale, asistimi te konfliktet në familje dhe braktisjet, asistimi me pako ushqimore dhe lëndë djegëse, asistimi me pagesë të qerasë, asistimi me subvencionim .

Mustafa ka lavdëruar drejtorinë e bujqësisë ku ka pasur projekte të dobishme për qytetarin. Sipas tij ka pasur furnizim të fermerëve me foli plastike, ku kanë përfituar rreth 200 fermerë, mbjelljet pranverore, ku kanë përfituar rreth 500 fermerë, farë misri dhe pleh artificial. Furnizimin e bletarëve me shtëpiza për bletë, ku përfitojnë rreth 100 bletarë. Makina mjelëse, ku përfitojnë mesatarisht nga 70 fermerë. Serra komerciale, ku përfitojnë mesatarisht nga 12 fermerë .

Mbjelljet vjeshtore, përfitojnë mbi 500 fermerë farë gruri dhe pleh artificial. Ngritjen e pemishteve të reja, përfitojnë me dhjetëra fermerë fidane falas. Organizojmë Panairin Regjional të Produkteve të Bletës, që tashmë është bërë tradicional, (viti i katërt që po organizohet në Gjilan). Organizojmë Panairin Regjional të Gjedhit që tashmë është tradicional. Projekti për mbjelljen e drunjve dekorativ në hapësirat publike.

Mustafa tha se çdo vit marrim dhjetëra mijëra euro donacione nga qeveria dhe donatorë të ndryshëm si Danida, KE, Care International, Caritasin e Luxemburgut, Heifer, USAID, UNDP, Raiffeisen Bank, Pro Credit Bank, etj.

Për sektorin e inspeksionit tha se është më i rëndësishëm në komunë. “Jemi shumë më mirë secilin vit , por kemi të meta”. Mustafa ka folur edhe për drejtorinë e financave, atë të kulturës , zyrën e projekteve, sektorin e rinisë, zyrën e prokurimit, sektorin e banimit, sektorin e urbanizmit.

Ndërkaq interesimet e qytetarëve kryesisht janë fokusuar në investime në infrastrukturë, korrupsion, zhvillim ekonomik etj. Qytetarët Mujë Ibrahimi, Saranda Huruglica, Leonard Miftaraj, Rrahman Ahmeti, Kaltrina Zeka e kanë pyetur Mustafën për lumin Mirusha, për rrugën e Kravaricës, për dukurinë e korrupsionit në komunën e Gjilanit dhe për çështje tjera.

Duke u përgjigjur në këto interesime Mustafa tha se asnjëherë nuk flet në vetën e parë kur janë në pyetje të arriturat dhe rezultatet komunale.”Unë flas vetëm në shumës sepse krejt bashkërisht po e bëjmë punën e mirë. Mirusha po punohet dhe këtu kemi pasur ngecje për shkak të vonesave të Ministrisë së Ambientit e cila e vonojë gjatë çështjen e shpronësimit”.

Ndërkaq duke ju referuar hetimeve që po zhvillohen rreth partneritetit publiko privat , por edhe laboratorëve medial në Prishtinë që shpesh siç tha Mustafa sulmojnë për qëllime dhe interesa të ngushta klanore shtoj se nga të gjitha këto hetime që po bëhen e që do të bëhen unë jam i sigurt se do të fitojë drejtësia sepse në politikë nuk kam hyrë për të fituar personalisht.”Jam faqebardhë dhe flejë rahat për gjithçka që kam bërë gjatë mandatit tim”u shpreh Mustafa.

Por , Mustafa tha se nuk e përjashton mundësinë që edhe në Komunën e Gjilanit të mos ketë ndonjë rast devijues, por tha se me kohë ka marrë masat dhe rastet i ka paraqitur në hetuesi e prokurori.”Unë rastet nuk i fsheh, por duhet të kuptoni se nuk jam edhe hetues” tha Mustafa.

Madje ai akuzojë hetuesit se nganjëherë po i ngatërrojnë investimet pikërisht për shkak se nuk i lexojnë ligjet ministrore dhe rregulloret apo vendimet komunale./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS