Mobi Casa

Mustafa fajëson Ministrinë e Ambientit për vonesat në projektin Mirusha

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Qemajl Mustafa thotë se Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor (MAPH) është vonuar shumë në barazimin e llogarive me pjesën e parë dhe kështu kemi humbur një vit të madh te ky projekt i cili nuk pret dhe është i rëndësisë së veçantë.

Përkundwr pengesave procedurale dhe të natyrave tjera shpronësore, punët në lumin Mirusha janë duke vazhduar. Qemajl Mustafa thotë për rajonipress se faza e dytë e cila po punohet është në vlerë të 3 milion e 100 mijë eurove, është krejt projekti deri në fund.

Mustafa thotë se Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor (MAPH) është vonuar shumë në barazimin e llogarive me pjesën e parë dhe kështu kemi humbur një vit të madh te ky projekt i cili nuk pret dhe është i rëndësisë së veçantë.

Sipas Mustafës këto procedura i kanë marrë dy muaj të verës , por tashti punët po shkojnë mirë. ”Janë disa pengesa të vogla të cilat po i eliminojmë me sukses, janë disa shpronësime të vogla dhe ka uzurpime , por me bashkëbisedim dhe komunikim të mirë me qytetarët krejt kjo punë po shkon si duhet” tha Mustafa.

Kreu i Komunës tha se shpreson që deri në fund të këtij viti projekti do të progresojë së paku deri tek stadiumi i qytetit. Ndërkaq kompania që ka fituar tenderin “Bejta Comerc” përgjegjësit e saj thanë për rajonipress se aktualisht kanë kryer mbi 180 metra gjatësi të kanalizimit kryesor ku po punohet me gypa të mëdhenj.

Zija Shabani përgjegjës i punimeve tha se nëse nuk ka pengesa të banorëve dhe nëse koordinohen punët me qytetarët, ne shumë shpejt mund ta kryejmë pjesën tonë që na takon tha ai.

Hidromorava

Edhe Arben Mehmeti shef i grupit të LDK-së tha për rajonipress se Qeveria e Kosovës është treguar shumë joserioze në këtë projekt. “Po të ishte punuar si duhet dhe po të kishte lëshuar mjete me kohë Qeveria, qysh po vepron edhe në komunat tjera nga vijnë aktivistët e tyre, ky projekt kaherë ish përfunduar”.

Por Mehmeti ka edhe një brengë tjetër. “Qeveria po e pret fushatën zgjedhore dhe të përfitojë nga ky projekt. Realisht për komunën e Gjilanit përkundër dëshirës së saj ky projekt është shumë i madh dhe i kushtueshëm, andaj duhet investimi i MAPH, por pa i shikuar hesapet zgjedhore “tha Mehmeti.

Mehmeti thotë se Qeveria ka për obligim që qysh tash ta financojë edhe ndërtimin e një kolektori modern për trajtimin e ujërave të zeza. “Me përfundimin e Mirushës dhe të kolektorit përfundojnë problemet në qytet , ndërsa fillon problemi i madh për rajonin e Luginës së Pograxhës, Malishevës, dhe Uglarit. Këto fshatra po përballen me ujërat e zeza që derdhen nga Gjilani dhe nëse nuk ndërtohet një kolektor modern, jeta e këtyre banorëve do të bëhet e tmerrshme” mendon Mehmeti.

Sipas tij ndërtimi i një fabrike për trajtimin e ujërave të zeza duhet të bëhet në kuadër të ndonjë partneriteti publiko privat sepse është investim i madh dhe serioz dhe është i papërballueshëm për Gjilanin tha Mehmeti.

Zyrtarët e MAPH ndërkaq kanë deklaruar se faji për vonesat mbetet tek zyrtarët komunal të cilët nuk i kanë kryer me kohë procedurat e shpronësimit të tokave përskaj lumit Mirusha. /rajonipress/