UBT

Mustafa e Zeka të kënaqur me punën e Asamblesë Komunale

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Qemajl Mustafa tha se kemi qenë shembull më tipik ndër komunat e Kosovës se si bëhet qeverisja e mirë përmes konsensusit politik dhe sjelljes plotësisht demokratike e ligjore.

Kuvendi Komunal i Gjilanit me një seancë solemne e ka përmbyllur vitin 2012 . Kryesuesi i Kuvendit Izmi Zeka, kryetari i Komunës Qemajl Mustafa dhe shefat e grupeve parlamentare e vlerësuan të dobishëm vitin 2012.

Izmi Zeka tha se asambleja e Gjilanit e ka ruajtur frymën demokratike dhe konsensuale. “Gjilani i ka tejkaluar vitet 90 dhe ngjyrimet e ngushta politike”tha Zeka.

Kurse kreu i Komunës Qemajl Mustafa tha se i shprehë mirënjohje e falënderime të gjithë këshilltarëve të Kuvendit të cilët me angazhimet e tyre profesionale e politike e ndihmuan kryetarin e komunës, e ndihmuan qeverisjen dhe eventualisht e korrektuan atë nëse kjo në ndonjë rast kërkohej.

“E çmoj shumë punën e secilit prej jush, të të gjitha grupeve politike dhe kryesuesve të tyre , por në veçanti punën e çmoj angazhimin e përhershëm, konstruktiv, tolerant e fer dhe në shumicën e rasteve edhe profesional të grupeve opozitare të LDK-së dhe të AAK-së” tha Mustafa.

Mustafa tha se kemi qenë shembull më tipik ndër komunat e Kosovës se si bëhet qeverisja e mirë përmes konsensusit politik dhe sjelljes plotësisht demokratike e ligjore.

“Konstatojmë me kënaqësi sot se siguria në komunën tonë është e lartë dhe në rritje të përhershme duke e falënderuar PK-në, KFOR-in amerikan dhe drejtoratin për MSH, por para së gjithash duke i falënderuar qytetarët tanë për bashkëpunim dhe angazhim të mirë në ruajtjen e jetës dhe të pasurisë në hapësirën e komunës. Konstatojmë gjithashtu me kënaqësi se ambienti politik e shoqëror është i mrekullueshëm në komunën tonë. Kemi komunikim të shkëlqyer dhe plotësisht të lirshëm në mes të subjekteve e grupeve politike në kuvend, kemi marrëdhënie tejet të mira ndëretnike e ndërnjerëzore” tha Mustafa.

Fundamenti

Është ky kontribut i madh i të gjithë neve pa dallim anipse përgjegjësitë e mëdha përherë i kanë ata që e qeverisin komunën.

“Ky ambient i mirë ka bërë që ne të qeverisim komunën në kushte (do të thosha) plotësisht normale anipse ky vit ndjeshëm dallohet nga vitet tjera për nga ngushticat financiare të cilat e përcollën. Pavarësisht kësaj në komunë kanë nisur, kanë përfunduar dhe janë në fazën e zbatimit me dhjetëra projekte të mira për përmirësimin e jetës së qytetarit tonë. I falënderoj drejtorët, menaxherët e zyrave e sektorëve, shërbyesit civilë në administratë dhe ata profesionalë në arsim e në shëndetësi për angazhim të shtuar të përditshëm profesional e ligjor” u shpreh Mustafa para asambleistëve.

Puna e pakursyer e tyre dhe monitorimi, korrektimi dhe vendimmarrja në kuvend dhe në trupat e tij (pra, në komitete) ka bërë që sot të jemi komunë e spikatur lartë si nga vlerësuesit vendorë ashtu edhe nga ata ndërkombëtarë.

“Nuk kam asnjë dilemë që kështu bashkë do të festojmë dhe urojmë këtë fundvit rezultatet e mira të komunës tonë, por edhe të familjeve tona dhe sidomos do të vazhdojmë bashkë që ta zhvillojmë qëndrueshëm dhe gjithanshëm komunën. Jemi munduar edhe sivjet sikur çdo vit tjetër të sjellim më shumë dritë, ndriçim e dekorim në qytet që të kemi më shumë entuziazëm dhe atmosferë festive “tha Mustafa.

Kurse Ejup Haziri nga PDK-ja tha se është bërë një punë e mirë gjatë vitit 2012. Kurse Sadudin Berisha nga LDK-ja tha se do të ishte mirë që gjatë vitit 2013 ky Kuvend mos ti përsërite gabimet që ka bërë gjatë vitit 2012.

Sokol Haziri nga AAK dhe Arben Maliqi nga AKR thanë se asambleja ka luajtur një rol konstruktiv derisa Millan Stojanoviq nënkryetar për komunitete tha se Gjilani ka treguar një shembull të tolerancës e mirëkuptimit.

Në fund këshilltarëve komunal u janë shpërndarë mirënjohje dhe dhurata./rajonipress/