Mustafa deklaron se as LDK, as PDK nuk kanë unitet për demarkacionin

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka thënë se është duke u kujdesur që marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi të mbështetet nga mbi 80 deputetë.
Ai ka thënë se në LDK është duke u sqaruar kjo çështje, duke lënë të kuptohet se ende nuk ka unitet për demarkacionin që pritet të votohet me 1 shtator, shkruan Indeksonline.
Mustafa ka thënë se pret që edhe partneri në koalicion, PDK të sqarojë gjithçka me deputetët e saj dhe të ketë unitet rreth kësaj çështje.
Lexoni statusin e plotë të Mustafës:
Të dashur miq, Qeveria që unë drejtoj është e përcaktuar ta çoj përpara agjendën zhvillimore dhe integruese të Kosovës. Ne kemi program, të cilin po e zbatojmë, pavarësisht problemeve të trashëguara dhe sfidave e pengesave me të cilat po ballafaqohemi.
Por, ne jemi këmbëngulës për arritjen e qëllimeve, të cilat jemi të bindur se janë në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Qeveria që unë drejtoj gëzon mbështetjen e një shumice solide në Kuvendin e Kosovës.
Por, si kryeministër dhe si njëri prej partnerëve kryesor të koalicionit, për tema të ndjeshme, nuk preferoj asnjëherë të testojë fuqinë e votave. Unë po kujdesem vazhdimisht dhe sinqerisht për t’u siguruar që Marrëveshja për kufirin me Malin e Zi do të mbështetet nga mbi 80 deputetë.
Në LDK është duke u sqaruar gjthçka rreth kësaj çështjeje dhe jam optimist se do të jemi unik në mbështetjen e ratifikimit të marrëveshjes. Jam optimist se edhe partnerët e koalicionit po bëjnë të njëjtën gjë me deputetët e tyre.