RCCOLA

Mustafa: Arsimi dhe edukimi me prioritet për qeverinë komunale

/ 8 minuta lexim

Gjilan – Ne, këtu në Gjilan po mundohemi sinqerisht dhe secilën ditë e vit pas viti që sistemin e edukimit ta trajtojmë si prioritet të parë të shoqërisë e që është edhe përcaktim i yni programor edhe në nivelin qendror edhe në atë lokal tha Qemajl Mustafa. Bujar Nevzati tha se jemi në rrugë të mbarë që Gjilani të ecë dhe progresojë në fushën arsimore ku çdo ditë po tregohet rendë e disiplinë.

Drejtoria e arsimit për nder të 7 marsit ditës së mësuesit ka organizuar pritje për mësuesit, veteranët e artdashësit e këtij misioni fisnik. Në teatrin e qytetit ishin të gjithë së bashku, gjeneratat e reja e të vjetra, veteranët e të rinjtë të cilët u nderuan nga drejtori i arsimit Bujar Nevzati dhe kryetari i komunës Qemajl Mustafa.

Duke folur para mësuesve të shumtë Qemajl Mustafa tha se kjo ditë te ne koincidon edhe me Epopenë e lavdishme të UÇK-së dhe me ditën e gruas 8 Marsin dhe si e tillë bëhet edhe më e rëndësishme. “Dita e mësuesit është njëri nga rastet e spikatura kur ne bashkë e kemi rastin t’ua shprehim mirënjohjen të gjithë mësuesve, prindërve e nxënësve për punën e bërë mirë nëpër shumë decenie e në kushte jo të mira. E kemi rastin që veteranët dhe më të mirët që ende janë aktivë t’i falënderojmë dhe t’u shprehim mirënjohje për punën e bërë mirë dhe me përkushtim, e atyre që nuk janë më në mesin tonë, por që kanë dhënë kontribut të çmuar në këtë fushë t’u bëjmë nderime e homazh të veçantë” tha Mustafa.

Mustafa tha ase ne, këtu në Gjilan po mundohemi sinqerisht dhe secilën ditë e vit pas viti që sistemin e edukimit ta trajtojmë si prioritet të parë të shoqërisë e që është edhe përcaktim i yni programor edhe në nivelin qendror edhe në atë lokal. “Janë bërë shumë punë të mira për këto pesë vitet e kaluara gjatë të cilave unë dhe stafi im e kemi marrur besimin e qytetarëve dhe përgjegjësinë për ta udhëhequr sistemin e arsimit në Gjilan por, e themi me shumë zemërgjerësi se në këtë fushë kemi edhe shumë punë për të bërë në mënyrë që ta përafrojmë shkollën tonë me shkollën e shoqërive në regjion e pas ndonjë viti edhe me atë në Evropë. Qeveria e Kosovës dhe donatorët e shumtë që i ka komuna jonë e kanë bërë maksimumin në zgjerimin e hapësirës shkollore dhe si rezultat i kësaj pune të mirë gjendja tashmë është larg më e mirë se që ishte dhe po i afrohemi normalitetit të dëshiruar të punës në dy ndërrime dhe të orës së plotë mësimore” shtoj Mustafa.

Ai tha se është punuar mirë në riedukimin dhe trajnimin e kuadrit ekzistues si dhe është punuar mirë në avancimin e filtrimit të mirë të atyre që duan të punojnë në mësimdhënie në Gjilan.”Është rritur dukshëm nga viti në vit suksesi e disiplina në punë e në sjellje dhe janë zvogëluar mungesat dhe aktet e fërkimeve dhe parregullsive në shkollat tona. Aty këtu natyrshëm paraqitet edhe ndonjë problem dhe e them natyrshëm sepse çdo i treti banorë i komunës tonë secilën ditë është në hapësirat shkollore ose thënë ndryshe rreth 30 mijë banorë të komunës nga numri prej rreth 100 mijë banorëve sa i ka sot komuna janë përditë në shkollat tona. Por, e themi me përgjegjësi të plotë se numri i parregullsive në shkollën tonë është thuaja i pa përfillshëm krahasuar me kushtet hapësinore dhe numrin e madh të nxënësve e personelit në shkollë” ka përkujtuar kreu komunal.

Mustafa tutje tha se i tërë ky angazhim yni i përbashkët pra, i Qeverisë, Komunës, drejtoratit, miqve tanë donatorë e posaçërisht i ju mësuesve, prindërve e nxënësve që shkolla jonë të ketë rezultate të mira në garat lokale, në nivel të vendit dhe në ato kombëtare e aty këtu ku na jepet rasti të marrim pjesë edhe në ato ndërkombëtare. “Përveç shkollave dhe anekseve shkollore që tashmë janë lëshuar në punë po punojmë shumë që ta përfundojmë objektin e gjimnazit të ri – një investim i qeverisë prej më shumë se 2 milionë euro. Komuna bashkë me qeverinë e Danimarkës e kanë përfunduar objektin e shkollës së mesme të agrokulturës të cilën shpejtë dhe bashkë do ta inaugurojmë. Pra, që të dy këto objekte të jenë të gatshme plotësisht për përdorim më 1 shtator të këtij viti. Ju lus të gjithëve këtu dhe përherë që t’i inkurajoni fëmijët në klasat e teta dhe të nënta si dhe familjet e tyre që me lehtësi ta regjistrojnë dhe t’i ndjekin mësimet në shkollën e agrokulturës (të bujqësisë) sepse me profilet e kësaj shkolle mund të gjejnë punë lehtë e shpejtë dhe të ndjehen të kënaqur me punën e tyre vetë ata dhe familjet e tyre” tha Mustafa.

Mustafa tha se duhet t’i inkurajojmë fëmijët që të regjistrohen në drejtimet teknike poashtu sepse puna praktike ata i bën zanatli të mirë dhe tregu i punës i kërkon. “Po i diskutojmë profilet dhe drejtimet që do të punohen në këtë shkollë të specializuar dhe të gjitha diskutimet tona qojnë kah teknologjitë informatike (IT-teknologjitë). Do të jetë ky një rast i veçantë që të prodhojmë njerëz të përgatitur për teknologjitë më bashkëkohore e që i kërkon trendi i zhvillimeve sot kudo në botë. Pas përpjekjeve tona dyvjeçare bashkë me kryeministrin e vendit, më në fund, dje e kemi një lajm të mirë. Që nga dje edhe formalisht e juridikisht ka filluar të lëshojë rrënjë UP i Gjilanit i cili në fakt ka funksionuar me tri drejtime qe tri vite. Pra, Qeveria, këshilli i ministrave dje ka marrë qëndrim që të themelohen edhe tri universitete – i Gjilanit, i Gjakovës dhe i Mitrovicës” ka sqaruar Mustafa.

RCCOLA

I pari i Gjilanit tha se po mundohemi që bashkë me Kryeministrin, ministrin e arsimit dhe me rektorin e këshillin për UP të Gjilanit të krijojmë kushte optimale për funksionimin fillimisht të pesë apo gjashtë degëve në këtë universitet dhe pastaj të shtojmë ndonjë degë secilin vit të ardhshëm.

“Është kjo një ndihmë e madhe për familjet e kësaj ane duke përfshirë edhe Preshevën, Bujanocin, Medvegjën e shpejtë edhe Kumanovën. Janë shumë të mira që i sjell themelimi dhe funksionimi i UP në Gjilan. Kursehen familjet tona për çdo student për rreth 100 euro në muaj dhe 100 euro të tjera për secilin student shpenzohen këtu në Gjilan e jo në Prishtinë”.

Mustafa në fund ka uruar edhe gratë e vajzat për ditën e nesërme 8 Marsin – ditën që simbolikisht shënon tendencën e përhershme të njerëzimit për respektin ndaj të dy gjinive e posaçërisht të femrës. “Edhe kjo duhet patjetër të përcillet me dëshirën që barazia gjinore të jetë në agjendën tonë secilën ditë të vitit e të mos dhurohemi dhe urohemi vetëm për 8 Mars” tha Mustafa.

Kurse Bujar Nevzati drejtor i arsimit pasi ka uruar mësuesit tha se shkolla shqipe ka kaluar nëpër shumë sfida sepse fati i mësuesit ishte edhe fati i popullit. Nevzati tha se në Gjilan është punuar shumë, është bërë mjaft në të gjithë segmentet arsimor. “Jemi në rrugë të mbarë që ta avancojmë edhe më shumë anën arsimore duke ngritur cilësinë e duke shënuar rezultate” tha Nevzati.

Nevzati tha se Komuna e Gjilanit është në përmbyllje të infrastrukturës shkollore dhe nëse shikohet realisht del se në Gjilan ka rend e disiplinë, kurse shkollat gjilanase po shënojnë suksese e rezultate. Nevzati tha se për të gjitha këto rezultate e suksese do të nderohen të gjithë ata mësimdhënës që kanë dhënë kontribut në të gjitha fazat.

Në emër të veteranëve të arsimit foli Ilmi Ibrahimi i cili tha se mësuesit janë shtylla kryesore e edukimit të një shoqërie. Drejtorati i arsimit dhe kryetari i komunës kanë ndarë mirënjohje për mësuesit e merituar e të dalluar si dhe është dhënë një program i pasur artistik./rajonipress/