Musliu: Çdo marrëveshje në Bruksel mes palëve, pa Luginën, jo legjitime për Preshevën

Bujanoc – Jonuz Musliu, lider i LPD-së dhe ish-drejtues politik i UÇPMB-së në një bisedë për agjencinë e lajmeve “Presheva jonë” ka shprehur shqetësime dhe drojën se në Bruksel edhe kësaj radhe do të injoroj Luginën e Preshevës duke nënshkruar marrëveshje në avancimin e statusit të serbëve në Veri, dy-tri herë më pak se shqiptaret në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, që po jetojnë sot në ankth, as në paqe e as në luftë.
Sipas Jonuz Musliut injorimi i Luginës së Preshevës, respektivisht vullneti i popullatës dhe kërkesat e njëpasnjëshme të liderëve të Luginës për inkuadrim në procesin e dialogut, mund t`i kushtojnë komunitetit ndërkombëtar për shkak eskalimit eventual të situatës, ku përgjegjës të këtij degradimi do të jenë Beogradi dhe Brukseli për shkak ballafaqimeve dhe vendimeve të njëanshme të minoriteteve dhe krizave në rajon.
“Nëse pala serbe të martën e ardhshme në Bruksel insiston në avancimin e statusit të serbëve në Veri, për të cilët po flitet deri në “autonomi” do të ishte gabim i madh për delegacionin nga Prishtina t’mos kërkoj të njëjtën gjë edhe për Luginën e Preshevës, Ndryshe, çdo marrëveshje në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, pa Luginën, janë jo legjitime për Preshevën”, ka deklaruar lideri i LPD-së Jonuz Musliu ish-drejtues politik i UÇPMB-së për agjencinë e lajmeve “Presheva jonë”.
Sipas Musliut, “Avancimi i statusit të serbëve të veriut në Kosovë, ashtu të privilegjuar dhe injorimi i Luginës së Preshevës mund të ketë pasoja për rajonin, sepse veç Prishtinës dhe Beogradit edhe Brukseli e dinë mirë se popullata në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, 2-3 herë më shumë se ata në Veri,janë popullata më e diskriminuar në Evropë. Veç kësaj Lugina sot konsiderohet rajoni edhe më i pazhvilluar me një papunësi më të madhe në rajon, siç e thanë së fundi në Bujanoc edhe zyrtarët amerikan dhe ata të OKB-së.”
“Nëse vërtetë në Bruksel mes Beogradit dhe Prishtinës bëhet fjalë për normalizimin e situatës dhe arrihet marrëveshje mes dy vendeve vetëm me Veriun e Kosovës, donë të thotë se palëve ju konvenon situata as në paqe e as në luftë në Luginën e Preshevës ” ka deklaruar Musliu ,duke shtuar se situata në Luginën e Preshevës është e ngarkuar me politikë diskriminuese dhe krizë ekonomike, që mbetet një bombë e kurdisur në rajon.