Fundamenti

Muskujt kosovarë

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Nga Blerina (Rogova) Gaxha – Sot, qoftë edhe në një ndeshje futbolli ku kombëtarja e Kosovës del pa flamur e pa himn, mund të shohësh më mijëra njerëz që mbështillen me flamurin e Kosovës, jo pse e kanë ftohtë, por se mbështjellë me të, ndihen ngrohtë!

Ka dy taborë që shfrytëzojnë kapitalin historik e gjuhësor dhe frymën e tyre. Ka dy fronte, qoftë njëri shumicë e tjetri pakicë që luftojnë, ndonjëherë edhe me mish e me thonj, dhe që njëri prej tyre beson në identitetin kulturor e politik kosovar.

Dy fronte që me gjithë “takatin” sa herë bërtasin “Jemi një- Jo, jemi shumë”. Por më të zëshëm janë ata që as në ëndërr nuk duan ta pranojnë flamurin e qëndisur të Kosovës së Re. Dhe euforia rritet sa herë kur ngjyrat kaltër e verdhë shfaqen në terren. Shpërthejnë dhe keq. Edhe atëherë kur nxjerrin vetëm llavën e ideologjisë personale ose partiake. Dhe ato nuk janë të rastësishme.

Kosovarët kanë qëndrim ambivalent ndaj identitetit të tyre. Ndoshta është e vështirë të ndash ndjenjat dhe e vështirë të ndash si me thikë – këtu ose atje. Një pjesë e mirë e opinionit është e zhytur në “mixed feelings”, dhe në gjithë opinionin tashmë janë ngulur disa “paradigma“ kundërthënëse.

Ajo që dikur dhe sot akoma, quhet tokë e ndarë dhe copë e gjymtë e një trupi shqiptar, sikur sugjeron dhe e thotë simbolikën e re, aktet juridike dhe specifikat tradicionale, dhe këto janë fakte të mjaftueshme për të folur për një identitet të veçantë kosovar. Edhe atëherë kur pala tjetër i interpreton si kozmetikë e përkohshme, si pauzë identitare, ose si dekor i imponuar i fuqive eksterne për hir të ruajtjes së “paqes” në rajon.

Rendi suprem simbolik i të vetmes fjalës “shqiptar” sikur ka nisur të bjerë pak nga pak, dhe rregullat e tij të bëhen pak nga pak më të brishta. Nuk flasim më tërthorazi për Kosovën, për simbolet, për ngjyrat, që nuk janë kuq e zi. Nuk flasim më tërthorazi, të sëmurë nga gjuha e të sëmurë nga rinjohja.

Uji Dea

Nuk flasim më me plot zë as për mallin e pashuar. Ndoshta nuk flasim më as me gjysmë zëri e ndër dhëmbë. Dikush thoshte se “tmerri” më i madh në fëmijëri kish qenë vizatimi i shqiponjës dykrerëshe. Tmerrësisht e dhimbshme, sepse simbolika e saj shkonte tej përtej një shpendi, dhe gojëdhënat e kumti mbetën të gjallë. Por çështja ka dhe përfshin problematika të rëndësishme, ndonëse shumica gati gjithnjë rreket me problemin e flamurit, e ngjyrat e tij. Dhe ato nuk janë të rastësishme.

Kosova, edhe kuq e zi edhe kaltër e verdhë ka ecur rrugës së vet, me gjithë ngërçet, ngurrimet e shtangimet, në një rrugë të thyer e plotë gurë. Bazat e saj kanë nisur dekada më parë.

Kultura dhe arti i saj pati shansin e mundësinë gjysmëshekulli më parë të hyjë edhe binarëve të një treni evropian ndoshta. Por kjo tokë, të cilës i takon ‘me ligj’ edhe epiteti i “tokës së shqipeve” është krasitur fort në ekzistencën e saj, por çuditërisht ka arritur ta ruajë e ta shfaqë karakterin, edhe kur është e sikletosur dhe e frustruar, edhe kur nuk di si ta shfryjë dufin, edhe atëherë kur quhet gjuhë e mendjetrashë, e edhe atëherë kur përtej kufirit Kosovë-Shqipëri njeh veten ose nuk njeh asgjë e askënd. Sepse tek e fundit siç bart secili personazh një bagazh personal, edhe ajo bart në kurriz bagazhin kombëtar.

Një gjë nuk ka si futet në dilemë: Realiteti. Kosova është shtet në vete, me simbolikë dhe të gjitha institucionet e saj legjitime. Tash e gjashtë vite. Dhe si duket ajo ecë qoftë edhe detyrueshëm drejt një lirie ku secili mund të ndihet, të veprojë e të krijojë si të dojë, në bazë të vullnetit dhe ëndrrave të tij, si në çdo vend tjetër të qytetëruar.

Duket se tashmë, gjashtë vjet më pas, nuk ka një kundërshtim të hapur e në masë të identitetit kosovar, të simboleve, të flamurit dhe të himnit, apo të çfarëdo qoftë që e identifikon Kosovën si identitet. Para katër vjetësh kundërshtimi ishte shumë i ashpër, i pakompromis dhe tepër i shprehur. Sot ndërkaq, qoftë edhe në një ndeshje futbolli ku kombëtarja e Kosovës del pa flamur e pa himn, mund të shohësh më mijëra njerëz që mbështillen me flamurin e Kosovës, jo pse e kanë ftohtë, por se mbështjellë me të, ndihen ngrohtë!

Dikush do të thoshte Kosova po bëhet për vete dhe për njerëzit e saj dhe në dëmin e askujt.
Në ndeshjen e kombëtares së ardhshme, do të ketë më shumë Kosovë besoj!