RCCOLA

Musa : Arsimi gjilanas po ecën nëpër binarë të ndryshkur

/ 6 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Nazmi Musa tha se arsimi në komunën e Gjilanit, po i ngjason një lokomotive me shumë defekte që ecën nëpër binare të ndryshkura për të arritur në stacionin e caktuar. Sipas tij gjatë këtij viti që shkoi, arsimi mbeti anash dhe nën hijen e aferave të ndryshme, korruptimeve, përgjimeve, debateve boshe, fushatave zgjedhore, koalicioneve etj.

Musa tha se që në fillim të vitit mësimor 2012/2013 institucionet drejtuese të arsimit në Gjilan zyrtarizuan disa “rregulla”, për provimin pranues për konkurrentët, për punë në arsim, që deri në këtë vit nuk ishin dëgjuar as zbatuar gjëkundi në Kosovë. “Për këtë mënyrë degradimi moral dhe profesional kemi reaguar që në fillim të vitit shkollor, por do të duhej të reagonte edhe vetë kuvendi komunal” ka nënvizuar Musa.

Musa ka dhënë edhe argumente tjera për këtë degradim. “Mosnjohja e politikës së regjistrimit të nxënësve në arsimin e mesëm, mosrespektimi i konkursit dhe i rregullave për pranimin e nxënësve në arsimin e mesëm dhe formimit të paraleleve ka shkaktuar kaos dhe vështirësi të konsiderueshme në procesin edukativo-arsimor. Afera korrupsioni me tenderët e ekskursioneve me maturantët e shkollave të mesme, konkretisht Gjimnazi “Zenel Hadini”, që pasoi me shkarkimin e drejtorit të shkollës, pas një konflikti me kryetarin e Komunës, Zejnullah Zejnullahu u shpall i fajshëm dhe u suspendua nga pozita e tij, duke ra viktimë e fjalës së tij të hapur, e qëndrimit të tij të hapur, kundër lojërave tregtare të pushtetit komunal dhe shkolla,në mungesë të drejtorit, udhëhiqet nga zv.drejtori” tha Nazmi Musa.

Pastaj Musa ka përmendur edhe rastin dhe konfliktin fizik në shkollën “Thimi Mitko”. “Konflikti , më mirë me thënë , rrahja në mes drejtorit të shkollës “Thimi Mitoko “ Nexhat Sermaxhaj me mësimdhënësin dhe anëtarin e këshillit drejtues të shkollës, Rabit Ademin. “Pas Aktvendimit për suspendim nga puna, me pagesë, Drejtoria Komunale e Arsimit akoma nuk e ka zgjidhur konfliktin, dhe vazhdon të paguajë dy mësimdhënës për një vend pune e shkolla udhëhiqet pa drejtor. Rast tjetër shqetësues është edhe fshehja institucionale e vendeve të punës së arsimtarëve dhe punësimi i paligjshëm, pa konkurs. Kjo po ndodh me lirimin e vendeve të punës kur mësimdhënësi mbush kohën e pensionimit. Vendet e tyre të lira të punës, institucionet arsimore të Gjilanit nuk po i shpallin me konkurs si vende të lira, por po i zënë ato pa konkurs” ka shtuar Musa.

Me vetëlavdërime e shpresa nuk arrihen synimet?

Fundamenti

Musa tha se arsimi në komunën e Gjilanit, po i ngjason një lokomotive me shumë defekte që ecën nëpër binare të ndryshkura për të arritur në stacionin e caktuar. “Se a do të arrijë, themi jo! Gjysmëvjetori i këtij viti mësimor përfundoi. Rezultatet tepër të dobëta, problemet jo të vogla, premtimet tepër të mëdha e projekte të pa realizuara, dhe tri shkolla ende të pa emërtuara, nuk u lënë aspak vend vetëlavdërimi organeve drejtues të arsimit në komunën e Gjilanit” tha ai.

Sipas tij gjatë këtij viti që shkoi, arsimi mbeti anash dhe nën hijen e aferave të ndryshme, korruptimeve, përgjimeve, debateve boshe, fushatave zgjedhore, koalicioneve etj. “Investimet buxhetore për vitin 2012 në fushën e arsimit ishin tepër të ulëta dhe kjo dëshmon çartë se Qeveria e Kosovës dhe ato komunale arsimin nuk e konsiderojnë e nuk e trajtojnë me prioritet. Dhe, përderisa arsimi nuk do të jetë prioritet i Qeverisë për investime kapitale dhe rritjen e buxhetit, vështirë se do të presim cilësi në arsim. Kjo u dëshmua edhe me testet e klasave të nënta e të maturantëve se cila është cilësia dhe vlera e arsimit sot në Kosovë” ka thënë Musa.

Musa mendon se krahas nevojave për investime kapitale në zgjerimin e hapësirave mësimore, pajisjen teknike të kabineteve informatike, laboratorëve, sallave e fushave sportive, reduktimin e turneve mësimore, furnizimi i shkollave me inventarë shkollor, nuk mund t’i lëmë anash edhe ngritjen e pagave për mësimdhënës dhe përmirësimin e kushteve të tyre për t’i stimuluar në procesin mësimor dhe ngritjen e shkallës së cilësisë në mësim.

“Shqetësuese është deklarimi i drejtorit të Drejtorisë së Arsimit për buxhetin e arsimit të vitit 2013 i cili këtë buxhet për pagat e mësimdhënësve e deklaron për 150.000 euro minus, që do të thotë se nuk do të ketë paga për 45 punëtorë të arsimit. Viti që sapo e lamë pas, gjithnjë sipas deklaratave të DK-asë, punëtorët ndihmës janë paguar nga kategoria për shërbime dhe mallra të komunës dhe investimeve kapitale. “Konsiderojmë se kjo është shkelje e ligjit, planifikim i keq i buxhetit për arsim dhe keqmenaxhim i parasë publike. Komisioni për çështje të arsimit i Degës së LDK-së në Gjilan ua përkujton edhe njëherë organeve drejtuese të arsimit, se mësimdhënësve akoma ua kanë borxh edhe dy paga nga diferenca e rritjes, qysh nga janari i këtij viti që përfundoi,po edhe një numër i punëtorëve që me vështirësi morën pagat e tyre të rregullta për muaj të tërë”.

Komisioni gjithashtu shpreh shqetësim për mos luftimin e dukurive negative në masën e duhur nëpër shkolla. “Dukuritë negative: rrahjet, therjet me thikë, pirja e duhanit, përdorimi i narkotikëve , jo vetëm qe nuk luftohen sa duhet, por ato janë në rritje. Këto dukuri edhe kur është shprehur vullneti i përfaqësueseve të drejtorisë së arsimit që të diskutohen nëpër shkolla, fatkeqësisht nuk është arritur ajo e dëshirueshmja për faktin se këto debate zhvillohen kryesisht vetëm me nxënës të mirë, me ata që janë larg këtyre dukurive. Për të vënë shumëçka në binar të duhura , mendojmë se duhet të korrigjohen dhe të ndryshohen shumë akte ligjore e norma që drejtojnë fushën e arsimit dhe përmirësojnë kodin e mirësjelljes , krejt më qëllimin më të mirë për ngritjen e cilësisë dhe disiplinës në arsim. Prandaj me këtë lokomotivë që ecën binareve të ndryshkura vështirë se do të arrijmë në stacionin e destinuar- Bashkësinë Evropiane” ka përfunduar Musa./rajonipress/