Muret e kishës sfidojnë UP-në, studentët mbesin pa fakultet!
Tanimë jemi mësuar të shohim turist të huaj derisa fotografojnë muret e kishës serbe në pronën e Universitetit të Prishtinës, megjithatë ky objekt në pronë të universitetit, hodhi në shportë planin për ndërtimin e Fakultetit Juridik, me pretendimin se vendi ku duhej të ndërtohej është pronë e kishës.
Vendimi i ish-pushtetit të pushtuesit për ndërtimin e kësaj kishe në hapësirat universitare, u patë cilësuar jo legjitim edhe nga ish administratori i OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner, pasi që së bashku me ligjet dhe vendimet që janë marrë nga viti 1990 deri 1999, patën hyrë në pakon e ashtuquajtur diskriminuese, në të cilën kohë ka filluar ndërtimi i kësaj kishe, megjithatë muret e kishës vazhdojnë të qëndrojnë në prona e UP-së.
Kjo ishte edhe pengesa, që studentet e Fakultetit Juridik dhe Ekonomik do të vazhdojnë “të vlojnë” në hapësirat e ngushta studimore.
Lidhur me këtë çështje menaxhmenit i UP-së dhe i Fakultetit Juridik nuk duan të flasin, por drejtojnë gishtin nga njëri-tjetri pasi që nuk duan të tregojnë se nga kush nuk lejohet ndërtimi i fakultetit. Megjithatë sipas burimeve të Kosovapress-it, drejtues të Ministrisë Arsimit kanë kërkuar që ky objekt të rrënohet, kurse ata të Universitetit të Prishtinës po përgatitën që të kërkojnë përkrahje nga kryeministri dhe ministritë tjera për zgjidhjen e problemit të objektit të kishës, e cila gjendet në pronën e UP-së.
Përfaqësuesi për arsim në AAK, Jonuz Salihu i tha Kosovapress-it se do të duhej të gjendet zgjidhje për ndërtimin e këtij fakulteti, pasi që ka numër shumë të madh të studentëve dhe kushte shumë të këqija pune, sepse mungojnë kabinetet dhe sallat e ligjëratave.
“Gjithë Kosova e dinë që kisha është bërë në pronën e universitetit. Ajo kishë është bërë në pronën e universitetit dhe do të duhej të zgjidhej problemi i asaj kishe, në çka të shndërrohej ajo kishë, a do të jetë bibliotekë, a mund të jetë diçka tjetër, por kurrsesi nuk mund të jetë kishë, për arsye se është uzurpuar trualli i universitetit dhe është ndërtuar një kishë. Nëse dikush ka pronësinë mbi atë hapësirë, atëherë e ka universiteti, e ka rektorati, e ka Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, por kurrsesi nuk e ka kisha”, ka thënë Salihu.
Kurse, dekani i Fakultetit Ekonomik, Skender Ahmeti pranon se ishte paraparë ndërtimi i objektit për Fakultetin Juridik, por ky hap është ndërprerë, pasi që kisha pretendon se është prona e saj, megjithatë ai nuk tregon se nga kush u ndërpre iniciativa për ndërtimin e këtij fakultetit.
“Është paraparë ndërtimi i Juridik, pengesat janë tjera, nuk janë administrative, në kuptimin as të mungesës së mjeteve, edhe pse ato mjete janë dedikuar diku tjetër, por pengesat kanë qenë të hapësirës, sepse kisha ortodokse e cila është afër Fakultetit Juridik dhe Ekonomikë, e ka një hapësirë të cilën e konsideron të vetën, prandaj ne nuk kemi mund ta planifikojmë fakultetin e ri në këtë hapësirën afër fakultetit të vjetër dhe ne jemi të detyruar të bashkëjetojmë me Juridikun në të njëjtën hapësirë, që është shumë e vështirë, se janë hapësirat e njëjtat dhe të gjitha problemet dhe hallet që i kemi të përbashkëta dhe realisht nuk pres ndërtimin e një ndërtese të re që do të ndahej Fakulteti Juridik, ose Ekonomik”, ka thënë ai për Kosovapress.
Tani ata kanë menduar të ndërtojnë një amfiteatër, por edhe këtu, sipas burimeve të Kosovapress-it ka dalë problem me Komunën e Prishtinës, e cila ka kërkuar të dëshmohet prona.
Ndërtimin e amfiteatrit e konfirmon edhe dekani i Ekonomikut.
“Ne kemi shkuar në zgjidhje parciale, në oborr të fakultetit Ekonomik e Juridik, të fillojmë ndërtimin e një amfiteatri të ri me 400 vende, dhe pastaj vitin tjetër planifikojmë të shkojmë në katin e dytë dhe aty të nxjerrim hapësirë tjetër për mësim, nuk është zgjidhje ideale, por sado kudo e zbut problemin e hapësirës, të cilën e kemi për momentin”, ka thënë ai.
Ndryshe, me regjistrimet e reja që janë bërë në këto dy fakultetet, atë Ekonomik dhe Juridik, numri i studentëve që vijojnë ligjëratat në objektin e përbashkët është rreth 15 mijë studentë. (Kosovapress)