RCCOLA

Mungesë transparence

/ 6 minuta lexim
RCCOLA

Nga -Shkelzen Maliqi- A e cenon Kodi Penal i Kosovës lirinë e shprehjes dhe të drejtat e njeriut? Dhe a duhet shtypi të trajtohet si instancë që nuk mund të ndiqet penalisht në asnjë rrethanë?

Çka ndodhi me nenet kontestuese 37-39 te Kodit Penal të Kosovës që tenton rregullimin e përgjegjësisë penale të mediave? Në mbledhjen e Kuvendit të të enjtes së kaluar vetëm 59 deputetë votuan për heqjen ose ndryshimin e këtyre neneve, që ishte kërkesë e Presidentes Jahjaga, e cila ia ktheu Kodin Penal Kuvendit në rishqyrtim. Për aprovimin e kërkesës së Presidentes duhej të kishte minimum 61 vota dhe kryesuesi i seancës thjesht konstatoi se kërkesa nuk u aprovua dhe se Kodi Penal mbetet i tillë çfarë është aprovuar në një seancë të mëparshme, pra mbetet me nenet kontestuese.

Faji për këtë mosaprovim i mbeti grupit prej katër të deputetëve të PDK-së të cilët votuan kundër heqjes së neneve 37-39 të KP. Qëndrimi më i artikuluar ndër këtë katërsh ka qenë i Berat Buzhalës i cili edhe më herët ishte deklaruar se këto nene duhet të mbeten në Kodin Penal, por të riformuluara dhe me saktësime të domosdoshme që do të përcaktonin qartë për çfarë mendohet kur me ligj sanksionohet përgjegjësia penale e mediave, ose shfrytëzimi i mediave me motive kriminele.

Buzhala edhe pse edhe vetë gazetar me përvojë dhe deri vonë drejtues i një gazete ditore argumenton se mediat dhe gazetarët nuk duhet të trajtohen si “lopa të shenjta dhe të paprekshme” dhe tregon se ligje dhe nene të ngjashme ekzistojnë edhe në kodet penale të vendeve demokratike.

Në leximin dhe komentin tim para dy muajsh, kur u aprovua Kodi Penal me nenet kontestuese, edhe unë isha i mendimit se ashtu siç janë formuluar nenet, vërtet mund të cenojnë seriozisht lirinë e shtypit. Por, pas debateve që u zhvilluan më parë, e edhe tani të përsëritjes së aferës, kam ardhur deri te përfundimet më të moderuara të kësaj çështjeje, se vërtet duhet të shqyrtohet më hollësisht se çka është intenca e ligjit dhe çfarë mund të janë pasojat e tij.

Ajo çka më befason në këtë çështje është informimi tejet i dobët se për çka bëhet fjalë dhe cilat janë pjesët dhe formulimet kontestuese të këtyre neneve. Kur e pata shkruar komentin e parë për këtë çështje nuk i kisha formulimet e sakta të neneve në projektligjin që ishte votuar, duke përfshirë edhe ato që në ndërkohë në komisionet përkatëse kanë qenë të amandamentuara. U pata bazuar në tekstin e Projetporozimit të Kodit Penal që edhe sot figuron si i tillë në web siten e Kuvendit dhe ku në nenet 37 dhe 38 të tij vërtet ka gjëra që janë absurde dhe nënkuptojnë përgjegjësinë penale deri edhe të shtypshkronjës ku shtypet gazeta, që për pasojë do të kishte instalimin e censurës së thellë e gjithëpërfshirëse, si në regjimet totalitare. Një tendencë tjetër e rrezikshme ishte zgjerimi i tepërt i detyrimit për zbulimin e burimit të informatës për shumë vepra penale që sanksionon kodi.

RCCOLA

Më pastaj pata kuptuar se forma në të cilën janë aprovuar këto nene nuk janë identike me ato që i kemi në tekstin e projektit të Kodit që ende figuron në web siten e Kuvendit. Asnjë media nuk i ka cituar saktë këto nene, në formën që janë aprovuar. As Kryetarja Jahjaga në aktin e saj të kthimit të Kodit në rishqyrtim, nuk bënë analizën se çka është kontestuese por vetëm konstaton se nenet 37-39 të Kodit penal janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Në deklaratën e re që e ka dhënë kabineti i Presidentes thuhet: “Vendimi për rishqyrtimin e Kodit Penal është marrë se u vlerësua se Neni 37 dhe Neni 38 i Kodit Penal janë në kundërshtim të plotë me Nenin 40 dhe Nenin 42 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që rregullojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medieve si dhe me Nenin 22.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që obligon përmbushjen e Konventës Evropiane për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj”.

Për njeriun e zakonshëm, jo vetëm për konsumuesit e mediave, por edhe për deputet që vendosin për çështjen kaq delikate, këto formulime të përgjithësuara, që kërkojnë interpretim më të hollësishëm, nuk janë assesi të mjaftueshme për të marrë një qëndrim meritor dhe objektiv mbi kontestin. Pse në të vërtetë mungojnë ekspertizat dhe propozimet e riformulimeve që do të respektonin lirinë e shtypit, por edhe do të sanksionin penalisht mediat për veprat që ligji i sanksionon taksativisht si të tilla? A e cenon Kodi penal i Kosovës lirinë e shprehjes dhe të drejtat e njeriut? Dhe a duhet shtypi të trajtohet si instancë që nuk mund të ndjekjet penalisht në asnjë rrethanë?

Janë çështje që kanë mundur të debatohen edhe në publikë me kompetencë dhe pa nervozë dhe akuza, dhe jo që të mistifikohen dhe politizohen pozicionimet ku në fakt as që po dihet se ku e kanë hallin politikanët dhe për çka konkretisht ankohen mediat, pronarët e tyre dhe shoqatat e gazetarëve.

Në këtë aspekt të transparencës dhe ekspertizës maksimale, mua më duket mirë që në këtë rast ndodhi një rebelim i vogël brenda PDK-së, që e rrëzoi propozimin e Presidentes, sado që kjo vetëm e zmadhoj konfuzionin. Dhe ndodhi që edhe ato media që deri më tash i qortonin ashpër deputetët e Kuvetit pse veprojnë vetëm si makineri votuese anonime, që vetëm i bëjnë amin liderëve ose marrëveshjeve joparimore, në rebelimin e katërshes, e edhe në dorëheqjen e Hajredin Kuçit nga postet e Zëvendëskryeministrit dhe Ministër i drejtësisë, panë vetëm marifetet dhe një lojë jo të sinqerta të pushtetit.

Por, tani që Qeveria vendosi që edhe një herë t’i kthej nenet e kontestuara në shqyrtim, do të duhej që të sigurohet transparenca e munguar si kanë qenë dhe çka po ndryshohet si dhe sa janë të harmonizuara me legjislacionin e avancuar evropian.