Mundësia e investimeve e vogël, kërkesat e qytetarëve të shumta

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Do të kisha dëshirë që të gjitha këto kërkesa t`i përmbushim, por kjo fatkeqësisht nuk është e mundur për shkak të mjeteve financiare edhe pse komuna do të bënë përpjekje që të gjej donatorë për t`i realizuar shumicën e kërkesave ka thënë Nexhmedin Arifi.

Drejtoria për Ekonomi Financa dhe Zhvillim në bashkëpunim me OJQ-në Elita Viti dhe në mbështetje të fondacionit Kosovar për Shoqëri të hapur KFOS kanë mbajtur sot diskutimin e fundit publik lidhur me Planifikimin e buxhetit Komunal të Komunës së Vitisë për vitin 2013-2015 si dhe kritereve në përzgjedhjen e projekteve për investimet kapitale.

Në këtë diskutim publik kanë marrë pjesë qytetarë të komunës së Vitisë, përfaqësues të grupeve të Bizneseve, Partive Politike, dhe të tjerë. Gjatë këtij takimi ata janë njoftuar rreth ekzekutimi të buxhetit komunal, projektet kapitale që parashihen të zhvillohen në të ardhmen si dhe rreth punëve të tjera që ndërlidhen me planifikimin e buxhetit.

Gjithashtu është hapur edhe diskutimi publik ku qytetarët kanë paraqitur mendimet e tyre rreth këtij procesi.

Kryetari i Komunës së Vitisë Nexhmedin Arifi tha se është me rëndësi që qytetarët dhe grupet e tjera të jenë pjesë në hartimin e buxhetit komunal e sidomos të projekteve kapitale që zhvillohen në lokalitetet e tyre. “Komuna e Vitisë ka mbajtur 10 diskutime publike në fshatrat e kësaj komune me qëllim që të merret mendimi i vet qytetarëve se cilat janë prioritetet e investimeve në lokalitetet e tyre. Nga këto takime kanë dalë shumë kërkesa të cilat komuna nuk mund t`i realizoi të gjitha pasi që vlera për investimet kapitale është e vogël ndërsa kërkesat e qytetarëve janë të mëdha dhe të arsyeshme. Do të kisha dëshirë që të gjitha këto kërkesa t`i përmbushim, por kjo fatkeqësisht nuk është e mundur për shkak të mjeteve financiare edhe pse komuna do të bënë përpjekje që të gjej donatorë për t`i realizuar shumicën e kërkesave ” u shpreh Arifi.

Mobi Casa

Ai i ftoi qytetarët t`i paraqesin kërkesat dhe nevojat e tyre duke potencuar se është me rëndësi që edhe ata të participojnë në këto projekte. Ndërsa Islam Jashari Drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim paraqiti kriteret e përzgjedhjes së projekteve investive kapitale duke theksuar se kriter kryesor do të jetë përqindja e pagesës në tatimin në pronë.

Ndërsa Berat Zuka Zyrtar i lartë financiar paraqiti përgatitjet e draft buxhetit për vitin 2013-2015. Gjatë këtij takimi është hapur edhe një diskutim publik ku të pranishmit kanë paraqitur kërkesat, vërejtjet dhe sugjerimet e tyre ku shumica prej tyre kanë kërkuar investime në infrastrukturë, kanalizim, dhe ujësjellës.

Për planifikimin e buxhetit Komunal Drejtoria për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim në bashkëpunim me OJQ Elita Viti dhe në mbështetje të fondacionit për shoqëri të hapur KFOS kanë mbajtur 10 diskutime publike në fshatrat e Komunës së Vitisë ndërsa ky diskutim që është mbajtur sot është diskutimi përmbyllës i planifikimit të buxhetit komunal për vitin 2013-2015.

Këto takime janë njëherit edhe pjesë të planit të Zyrës për Informim Publik e cila ka për qëllim rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e planifikimit të buxhetit komunal dhe rritjen e transparencës Komunale./rajonipress/