Mulliqi, fitues i bucetës së Bekim Fehmiut

Çmimi që për herë të parë u themelua në vitin 2010, nga ministri i atëhershëm i kulturës, Lutfi Haziri, dhe i cili për një kohë u “zhduk”, për t’u rithemeluar nga pasuesi i Hazirit, Memli Krasniqi, tashmë me destinim të ri, si çmim kombëtar për vepër jetësore, duket se i është afruar kohës së ndarjes.
Një qershori është data që Ministria e Kulturës ka paraparë ndarjen e tij. Pak para se të bëhen 3 vjet nga vdekja e aktorit të madh Bekim Fehmiu, është shpallur edhe fituesi që do ta përjetësojë figurë e tij në një statuetë e cila do t’u jepet krijuesve të filmit për Çmimin Kombëtar për Vepër jetësore “Bekim Fehmiu”, dhe çmimet vjetore në kinematografi.
Konkursi i hapur për të gjithë artistët kosovarë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve më 9 mars të këtij viti e i mbyllur 30 ditë më vonë, ka sjellë fitues piktorin Luan Mulliqi me shifrën “2987”, i cili në këtë konkurs qe vetë i nënti.
Mulliqi është shpallur fitues nga juria e përbërë me emra të njohur nga skena kulturore e Kosovës, kryesues i saj ishte Kamuran Goranci, drejtor i Departamentit të Kulturës në MKRS dhe me katër anëtarët e tjerë të jurisë si Fatos Berisha, drejtor i Qendrës Kinematogreafike të Kosovës, Lirak Çelaj, nga UAFK, Zeni Ballazhi nga Galeria Kombëtare e Kosovës dhe Milazim Salihu nga kinemaja ABC kanë dhënë maksimumin e pikëve në përzgjedhjen e fituesit me gjithsej 50 pikë.
Ndërsa, kriteret nga MKRS për pjesëmarrësit në këtë konkurs ishin se statuetat konkurruese duhet të jenë figurative dhe artistike, që të reflektojnë vlerat në kinematografi, dhe sidomos figurën dhe veprën e aktorit Bekim Fehmiu. Një statuetë të tillë do ta pranojë ai që e fiton Çmimin Kombëtar për Vepër jetësore “Bekim Fehmiu” dhe çmimet tjera vjetore për kinematografi.
Madhësia e bucetës që kërkohej me konkurs parashihte një lartësi nga 25 cm deri në 35 cm. Piktori Luan Mulliqi, ka thënë për gazetën se institucioni më i lartë i kulturës në vend e kishte lajmëruar atë pak ditë më parë për ta njoftuar për titullin e fituesit dhe çmimin prej 3 mijë eurove, ndërsa pjesëmarrësit tjerë janë tërhequr bashkë me bucetat e tyre. Përbërja e statuetës, sipas Mulliqit, ka një koncept dhe paraqitje të shiritit filmik, i dizajnuar në formë moderne skulpturale, që, sipas tij, do ta simbolizonte energjinë krijuese të artistëve.
“Në kuadratin e fundit të statuetës është vendosur reliefi i portretit të aktorit tonë të njohur Bekim Fehmiu, i cili kur shkrihet në ari e krijon një efekt vizual të lëvizjes filmike dhe ky efekt i jep një elegancë të veçantë statuetës. Si skulpturë e kam dërguar bucetën me dimenzione origjinale, mirëpo Ministrisë ai kam propozuar që verzioni më i mirë do të ishte i praruar me ar”, është shprehur Luan Mulliqi.
Kurse, shefi i kabinetit në MKRS, Shkelzen Dragaj, ka shtuar se MKRS-ja ka nxjerrë fituesin me pikët maksimale përmes shifrës konkurruese. “Artisti fitues i kësaj bocete ka marrë pikët maksimale dhe me përfundimin e këtij konkursi, ne do të shohim pastaj realizimin e saj deri te data e ndarjes së këtyre çmimeve”, thotë Dragaj.Përveç kësaj, Luan Mulliqi është fitues edhe i statuetës “Hyjnesha e Artë” të cilën e mban si festivali i filmit “Pri-FilmFest”.(zeri)