Mujota i kënaqur me punimet në autostradën “Arbën Xhaferi”

Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, ka vizituar punimet në fshatin Uglar të Fushë Kosovës, ku ndodhet nyja lidhëse e autostradës “Arbën Xhaferi” me autostradën “Ibrahim Rugova”.
Sipas tij, puna që është duke bërë kompania Bechtel Encha në shkallën e mobilizimit që i duhet për këtë segment është shumë e kënaqshme, madje siç pohoi ai kjo nyje lidhëse është pjesa më e rëndësishme që lidh dy autostradat.
“Sot jemi në vizitë pune në vendin ku takohen rruga shtatë dhe rruga gjashtë. Çdo gjë ka shkuar sipas planifikimit dhe çdo gjë do të përfundojë sipas planifikimit brenda këtij viti, si në realizimin e punëve fizike ashtu edhe në realizimin e plotë të buxhetit të planifikuar. Është një ditë e rëndësishme për qytetarët e vendit që të shohin drejtë për së drejti fillimin e mbarë të punimeve të autostradës së re Prishtinë-Ferizaj-Kaçanik-Hani i Elezit dhe lidhjen si autostradë me Maqedoninë dhe korridorin tetë”, ka deklaruar Mujota.
Ai tha se synimi i tyre është që të lidhin krahun e kyçjes në autostradë me kyçjen gjashtë në hyrje të Prishtinës e që sipas tij kjo do të ishte një zgjidhje e mirë për të gjithë Kosovën.
Kurse, Chris Jennions, drejtor i projektit tha se puna që është duke u bërë është rezultat i mobilizimit si nga kompania e po ashtu edhe nga ministria.
Ndryshe, autostrada Prishtinë-Shkup, e cila ka filluar të ndërtohet muajin e kaluar është e gjatë 55 kilometra.
Ajo do të kushtojë rreth 600 milionë euro, ndërsa është parashikuar të kryhet brenda 42 muajve nga konsorciumi turko-amerikan, Bechtel & Enka. /KP/