Muharrem Bajrami, kryesindikalisti që nuk ndalet së vepruari
Gjilan – Muharrem Bajrami edhe pse në moshë të shtyrë asnjëherë nuk ndalet së vepruari për të ndihmuar moshatarët e tij pensionist dhe për tu ofruar edhe atyre pak buzëqeshje në sofrat e tyre shpesh të zbrazëta. Zoti më ka dhënë forcë e kurajo dhe nuk do të ndalem deri në momentet e fundit, por Qeveria dhe institucionet tona duhet ta kuptojnë se pensionistët janë buzë greminës.
Muharrem Bajrami ka një kohë të gjatë që është në krye të Federatës Sindikale të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës në Gjilan. Nuk pushon për asnjë çast duke vepruar në teren, duke i kontaktuar bashkëmoshatarët e tij që kanë kushte të rënda dhe jetojnë buzë skamjes e mjerimit. “Kur shoh pensionist që ndodhen në rrethana shumë të rënda vërtet trishtohem dhe pyes vetën. Pse punuam për kaq vite e derdhëm djersë e mund për këtë shtet e për këtë vend. Dhe pse tani një pensionist duhet të vdes urie ose të mos ngopet me ushqim vetëm pse nuk kemi tretman njerëzor nga shteti”.
Bajrami thotë se pensionistët kosovar dhe ata gjilanas në asnjë rrethanë nuk e kanë merituar këtë poshtërim e këtë përbuzje. “Të anashkalosh pensionistët dhe të përbuzësh ata e të privosh nga të drejtat më elementare vërtet është e pafalshme. Rreth 4000 pensionist sa ka në Gjilan, shumë prej tyre gjendjen materiale e kanë ekstreme. Po të mos ishte Sindikata ku shpesh u dërgojmë ndihma në ushqime e veshmbathje, vërtet nuk e di si ia dalin këta pensionist. Normalisht që pa ndihmën e donatorëve tanë të shumtë e të sinqertë nuk do të kishim pasur mundësi të ndihmojmë këtë kategori” shprehet Bajrami.
Bajrami thotë se pensionistët gjilanas, shumë prej tyre kanë nevojë për gjërat më elementare që nuk i kanë në familjet e tyre duke filluar nga mielli, vaji, sheqeri, orizi, fasulja si dhe mjete hixhienike.
Së fundit Bajrami ka bërë disa apele tek donatorët vendor e ndërkombëtar që të japin kontributin e tyre për ta përkrahur aksionin në ndihmë pensionistëve në nevojë, familjeve skamnore pse jo edhe jetimëve. “Unë kam hasur edhe raste tejet ekstreme të fëmijëve jetim dhe kam dhënë ndihma edhe aty, por janë të panevojshme sepse ata kanë nevojë për ndihma të përhershme”.
Bajrami kërkon nga donatorët që të tregohen bujar e zemërgjerë dhe të ndihmojnë edhe përmes llogarisë që ka hapur kjo sindikatë në Pro Credit Bank nr.115073862000160.
“Ne u jemi mirënjohës të gjithë donatorëve dhe i sigurojmë ata se ndihmat e tyre do të shkojnë në vendin e duhur” thotë Bajrami./rajonipress/


