Muhamet Mustafa: Kushtetuesja ka krijuar një situatë serioze dhe delikate

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, profesori Muhamet Mustafa, ka komentuar vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese për sa i përket seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës më 17 korrik të këtij viti.
Sipas tij, edhe Kryetari i Kuvendit, edhe Kryeministri zgjedhen me shumicë të votave të deputetëve, njëlloj siç formohen edhe grupet parlamentare nga deputetë.
“Fakti se Grupi më i madh parlamentar propozon Kryetarin e Kuvendit do të thotë se grupet parlamentare duhet të jenë të formuara para këtij akti, në kuadër të përgatitjeve për Seancën Konstitutive që udhëhiqen nga Kryesia e Kuvendit në detyrë”, thotë Mustafa.
Sipas tij, nuk ka asnjë provizion në Kushtetutë, Rregullore të Kuvendit se grupet parlamentare formohen nga KQZ, përkatësisht listat e certifikuara, dhe se se për këtë janë edhe precedentët në legjislacionet e kaluara (6+ etj.).
“Vendimi i Gjykatës, në vend se të hap rrugë, mbyll edhe më shumë: duke thënë gjeni mënyrën për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, duke votuar detyrimisht për kandidatin nga një listë!(?) Kjo ka pak lidhje me demokracinë parlamentare dhe kam frikë se ka krijuar një situatë tejet serioze dhe delikate”, ka thënë Mustafa. /Telegrafi/