“Kosova mund të zbatojë njëanshëm Marrëveshjen e Brukselit”, analistët: Deklaratat e presidentes, produkt i presionit ndërkombëtar
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Kosova mund të zbatojë njëanshëm Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, nëse në këmbim do të përfitonte njohje e anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Mirëpo, të thata e të vonuara po i shohin analistët politikë deklaratat e presidentes, pasi sipas tyre Kosova ka humbur momentume të rëndësishme ku pati mundësi të përfitimeve. Profesori universitar, Blerim Canaj, tha se deklarata e Osmanit është deklaratë e presionit ndërkombëtar pasi nuk mund të ketë ndikim për zbatim të marrëveshjeve.
“Kjo duke u nisur nga fakti që përgjegjëse për implmentimin edhe të marrëveshjeve edhe të ecurisë së tyre automatikisht është qeveria, presidentja e ka një rol protokollar. Edhe këto takimet të cilat zhvillohen mes presidentes dhe eksponentëve të ndryshëm ndërkombëtar më shumë është një mesazh për popullatën se ne me qytetarin e Kosovës dhe me popullin e Kosovën dhe me Kosovën faktikisht i kemi marrëdhëniet e mira por më qeverinë i kemi marrëdhëniet e ftohura. Por jo që edhe ata nuk e dinë që mundësia e presidentes që të ketë ndikim në marrëveshje është thuaja zero”, ka thënë Canaj.
Ndërkaq, analisti politik, Arbnor Sadiku, thotë se presidentja Osmani ka qenë pak më pozitive karshi bashkësisë ndërkombëtare, andaj, sipas tij, kërkon anëtarësim në organizata ndërkombëtare në këmbim të zbatimit të marrëveshjeve.
“Edhe kjo deklaratë i shton ato përpjekjet e saj që të ndryshojë diçka nga z. Kurti në kuptimin e asaj që Kosova marrëveshjet që i ka pranuar në Bruksel dhe aneksin e Ohrit është momentumi që të fillojnë të zbatohen. Duke pasë parasysh që tani kemi një administratë të re në SHBA dhe BE, Veçanërisht kjo e SHBA-së kërkon rezultate konkrete nga dialogu. Sigurisht që është e rrugës që Kosova të fillojë ti kryejë detyrat e saj pavarësisht opinioneve se çfarë ka Serbia. Dhe, në të njëjtën kohë karshi kësaj edhe ti marrë premtimet që i ka pas për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ka ai për RTK.
Sa i përket ecurisë së dialogut me Serbinë, tani kur Kosova është në prag të zgjedhjeve parlamentare, Canaj shton se presidenti Trump mund të jetë i paparashikueshëm.
Ndërkaq, sipas Sadikut, mund të ketë dinamizëm në dialog pas formimit të qeverisë së re të Kosovës.
“Nuk do të çuditesha që nëse Doland Trump do të vazhdonte aty ku e ka lënë në vitin 2019. Por në anën tjetër kemi momentume të reja të krijuara që faktikisht na qesin në pozicione të tjera. Madje ato momentume jo vetëm në Kosovë po nëse e shohim gjeopolitikisht. Kështu që duhet të presim dhe ta shohim se ku po fillojmë dhe si po fillojmë. Është tragjike kur e mendojmë që një qeveri e ardhshme eventuale temën kryesore të cilën do ta ketë në politikën e jashtme është heqja e masave, sikur që e ka përmend edhe presidentja Osmani. Do të thotë më e rëndësishme është që ne të flisnim për anëtarësim në ndonjë organizatë ndërkombëtare ku do të përfitonte Kosova sesa të japim diçka për të hequr masat. Do të thotë është dështim total”, ka shtuar Canaj.
“Këtu ndryshon qëndrimi nga znj. Osmani tek z. Kurti pasi zonja Osmani nuk është në garë elektorale e ka pak më të lehtë të shprehet rreth dialogut, kurse z. Kurti dhe partia e tij Lëvizja Vetëvendosje nuk do të jetë e gatshme ti zbatojë këto marrëveshje deri pas zgjedhjeve që do të mbahen në shkurt dhe krijimit të qeverisë së re dhe praktikisht do të jetë gjashtë mujori i vitit 2025 apo K2-shi siç njihet në zbatimin e planit të punës dhe pas kësaj mund të mendohet për veprime konkrete të Kosovës”, ka thënë Sadiku.
RTK ka provuar gjatë ditës të marrë një qëndrim nga Qeveria, nëse do ta zbatojnë marrëveshjen njëanshëm, por me garanci ndërkombëtare, por nuk ka marrë përgjigje. /rtk/