KKGJILAN

Muhabi Azemi, një vullkan i heshtur shqiptar!

/ 7 minuta lexim

Nga Ismet Rashiti – Janë tetë dekada jetë në shërbim të lirisë, pavarësisë dhe bashkimit kombëtar që flenë si një vullkan i heshtur në Sllatinë të Epërme të Vitisë, në lagjen e njohur për atdhedashuri të Kupecëve. Janë tetë dekada jetë që atdhetari Muhabi Azemi pa zhurmë e pa fjalë të mëdha ka punuar në heshtje për çlirim kombëtar dhe për një të ardhme më të mirë të popullit shqiptar. Liria, emancipimi, arsimimi dhe përparimi kanë qenë oksigjeni dhe ajri i këtij sllatinasi atdhetar, i cili tashmë ka mbushur tetëdhjetë vjet jetë. Lindi më 25 tetor 1938 në një familje intelektualësh dhe atdhetarësh të njohur në Anamoravë dhe më gjerë. Jeta e vështirë ekonomike kishte bërë që Muhabi Azemi qysh në vitin 1962, i detyruar nga gjendja e vështirë ekonomike, të shkonte në Beograd si punëtorë krahu për sigurimin e kafshatës së gojës. Me gjithë jetën e vështirë ekonomike, Muhabiu kishte arritur ta kryente shkollën fillore shtatëklasëshe në Sllatinë të Epërme, kurse klasën e tetë e përfundon në Beograd po në vitin 1962. Në këtë vit ishte martuar me zonjën Bahrije Shala nga fshati Mirosalë me të cilën kanë pesë fëmijë: Vedati, Nehati, Miniremja, Imriu dhe Fahrushi.

Ishin këto vitet më të rënda për popullin shqiptar. Aksioni famëkeq për mbledhjen e armëve, mungesa e shkollave në gjuhën shqipe, mungesa e universitetit dhe ndalimi i Flamurit Kombëtar, Muhabi Azemin e ndiqnin mbrapa si një hije e zezë ngado që sillej në rrugët e Beogradit dhe e gërryente nga brenda shpirtin e tij liridashës.

Në vitin 1963 fillon punën në ndërmarrjen ndërtimore “Granit” të Shkupit. Puna e rëndë fizike që bënin shqiptarët dhe padrejtësitë e shumta e preokuponin së tepërmi. Papritmas i shfaqeshin para syve “shiftarët me bishta”, siç i quanin poetët dhe shkrimtarët shovinistë serbë. Në këto rrethana regjistrohet në shkollën njëvjeçare të quajtur Stenodaktilografike të cilën e mbaron me sukses. Etja për dije dhe arsimim e përcjellë gjatë gjithë kohës. Gjatë qëndrimit në Shkup ka ndjekur dhe ka kryer me sukses po ashtu kursin për mjeshtër i kualifikuar të ndërtimtarisë. Dëshira për t’u shkolluar edhe më tej ishte bërë pengesë për maqedonasit, ndaj e transferojnë në Zajaz të Kërçovës, fshat ky krejtësisht i izoluar, ku nuk kishte asnjë perspektivë.

Një vit para demonstratave historike të vitit 1968, Muhabi Azemi punësohet si daktilograf dhe pastaj si përkthyes në Gjykatën Komunale të Vitisë. Etja për liri e përcjell hap pas hapi. Aty ku ishte përpiqej të gjente mënyra për propagandimin e çështjes kombëtare shqiptare dhe t’i ndihmonte shqiptarët brenda mundësive që kishte në institucionin ku punonte.

Në vitin e kthesës së madhe politike të demonstratave për Republikën e Kosovës, në prill të vitit 1981 ka filluar veprimtarinë ilegale bashkë me Xhemajl Rashitin, Xhevat Hazirin, Nazim Azemin Vahedin Azemin, Daut Azemin, Faton Topallin, Ismet Azemin e tjerë. Në rrethana tepër të rënda politike të asaj Pranvere të Madhe, Muhabi Azemi shtypë trakte, parulla e materiale tjera organizative për Republikën e Kosovës. Janë të rrallë njerëzit si Muhabi Azemi që tërë jetën punojnë në heshtje e digjen ngadalë si kandili për të mirën e atdheut. Muhabi Azemi gjithnjë ka qenë në rolin e këshilltarit me përvojë për gjeneratat e reja. Ai ka ditur si të sillet, e si veproi pa zhurmë të madhe e pa rrahagjokse. Në fakt familja Azemi gjatë viteve të rënda të diferencimit politik ka qenë një ndër familjet më të vendosura, por edhe më të përndjekura nga soldateska serbe. Arsimtari Xhelil Azemi, assesi nuk pranonte ti dënonte e të diferencohej nga vëllazëritë dhe kushërinjtë siç kërkonte me kërcënime UDB-ja, ndërsa Nazim Azemi si i burgosur politik disa vite rresht, ishte simbol i qëndresës dhe vendosmërisë në burgjet e tmerrshme serbe. Pavarësisht torturave nuk dhanë asnjë sekret dhe asnjë emër veprimtarësh. Në këtë frymë veproi pa u ndalur edhe veprimtari i heshtur, Muhabi Azemi.

Fidanishtja

Në mars të vitit 1982, grupi ilegal ishte zbuluar nga organet e UDB-së serbe. Pas rrethimit të hekurt të lagjes Kupec shumë pjesëtarë të kësaj familje atdhetarësh janë arrestuar e maltretuar së tepërmi nga hetuesit. Në pamundësi që të zbulonin rrjetin organizativ në tërësi dhe falë deklaratave pozitive të kryetarit të Gjykatës Komunale të Vitisë, atë kohë Abdylaziz Sadiku që kishin krijuar rrethana lehtësuese, Muhabi Azemi dënohet me dy muaj burg dhe përjashtim të përjetshëm nga puna. Ky dënim nuk e tremb fare Muhabin as nuk e ndalë së vepruari për çlirimin e Kosovës. Shtëpia e tij gjithnjë ka qenë në shënjestër dhe është konsideruar nga UDB-ja si “Çerdhe e nacionalizmit shqiptar”.

Ndjekja dhe marrja në biseda informative nga sigurimi shtetëror serbndaj Muhabi Azemit nga fshati Sllatinë e Epërme të Vitisë, ka vazhduar edhe gjatë viteve 1988-1989.
Gjatë gjithë këtyre viteve të vështira, veprimtari i paepur, Muhabi Azemi ka arritur të mbijetoi nga skamja e varfëria, duke u marrë me punë të rënda fizike vetëm e vetëm që të mos gjunjëzohet para armiqve. UDB-ja asnjëherë nuk arriti ta thyej idealin e tij për liri, pavarësi e bashkim kombëtar që ishte trashëguar brez pas brezi në familjen Azemi.
Në kushte të vështira i rritë dhe i shkollon aq sa mundet të pesë fëmijët, sado që për shkak të gjendjes së vështirë Nehati kishte marrë rrugën e kurbetit, ndërsa më i madhi Vedati, i ndërpret studimet për shkak kushteve të vështira ekonomike.

Gjatë demonstratave të vitit 1989 fëmijët e Muhabi Azemit, ishin aktiv në demonstrata e protesta kundër okupimit klasik serb. Në luftën çlirimtare, Imri Azemi kyçet në radhët e UÇK-së, tani në radhët e FSK-së, ndërsa djali më i vogël Fahrush Azemi përveç që ka treguar sukses te madh gjatë studimeve, tashmë ka bërë emër si arkitekt i njohur. Ai njihet si projektues i shumë objekteve ndërtimore në Kosovë dhe më gjerë. Po ashtu, Fahrush Azemi është emër i njohur për të gjithë edhe si këngëtar i muzikës popullore e qytetare. I rritur dhe edukuar në frymë patriotike nga babai, Fahrushi me krenari dhe dëshirë të madhe këndon këngë patriotike për dëshmorët, për luftën çlirimtare dhe lirinë. Si i tillë ka krijuar emër dhe çmohet së tepërmi nga shqiptarët e të gjitha trojeve.

Atdhetari Muhabi Azemi gjatë gjithë jetës së tij veproi si një vullkan i heshtur për të mirën e kombit shqiptar, për të mirën e njerëzimit në përgjithësi. Gjithsesi kundër shtypësve e tiranëve, kundër shovinistëve dhe okupatorit klasik serb.