Muçi entuziast: E pres titullin kampion dhe një fëmijë
Nuk ka si shkon më mirë se kaq. Natyrisht, do të ishte maksimumi nëse fitohej titulli kampion, por Ernest Muçi e ka treguar veten në Turqi për një sezon e gjysmë, duke fituar dy Kupa të këtij vendi, e duke luftuar për trofe, edhe me Beshiktashin, edhe me Trabzonsporin.
Në prag të edicionit të ri, ylli i kombëtares shqiptare jep një intervistë për departamentin turk të televizionit “BeIN Sports”, i përzgjedhur si një nga protagonistët e elitës turke.
Si fillim, ai pyetet sesi i duket Trabzonspori këtë verë, dhe se cilat janë objektivat.
“Ne jemi të lumtur dhe të emocionuar në nisje të sezonit të ti. Pasi fituam Kupën, ne e përfunduam edicionin e kaluar mjaft mirë. Pastaj pushuam dhe tani mezi po presim nisjen e ndeshjeve. Jam i lumtur që klubi ka investuar sepse ne duam që të luajmë për titullin. Do të luajmë në 3 konkurrime dhe besoj se mund të kemi sukses”, tha Muçi.
Sezonin e kaluar, Muçi nisi serinë e tij fenomenale të golave pasi u bë baba për herë të parë.
Duket se kjo do të përsëritet edhe këtë vit, ndoshta disi më shpejt.
“Do të kem një fëmijë tjetër. Pata një sezon të mirë kur lindi fëmija im i parë, shpresoj se do të jetë përsëri njësoj. Kur ke një fëmijë, dëshiron të kalosh më shumë kohë me familjen tënde”, shtoi ai.
Sezonin e kaluar, Muçi shënoi 15 gola gjithsej dhe shërbeu 8 asistë në elitën e futbollit turk, dhe 11 rrjeta ishin vetëm në Superligë, një rekord për karrierën, shkruan abcnews.
Ndoshta, ky vit do të jetë edhe më i mirë.


