MPB falsifikon edhe datëlindjet !

Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) kanë vendosur që t’i “kursejnë” gjyqtarët kosovarë nga obligimet e tyre ligjore.

Dikasteri që drejtohet nga ministri Bajram Rexhepi, ia ka dhënë të drejtën vetes që duke e marrë drejtësinë në duart e veta të bëjë ndryshime në regjistrin civil, pavarësisht se kjo është e drejtë ekskluzive e gjykatës.

Me këto veprime, zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme kanë bërë shkelje të Ligjit për Gjendjen Civile, shkruan gazeta “Zëri”.

“Korrigjimet dhe plotësimet në dokumentet e arkivuara bëhen me vendim gjyqësor të formës së prerë apo me vendim të lëshuar nga Zyra e Gjendjes Civile (zyra komunale)”, thuhet në pikën e parë të nenit 23 të Ligjit për Gjendjen Civile.

Dhe pikërisht ndryshimet e datëlindjeve dhe statuseve personale nga një komision i MPB-së, në mënyrë kundërligjore, kanë bërë që misioni i BE-së për forcimin e sundimit të ligjit- EULEX të nisë hetimet në lidhje me këto shkelje.

Kështu kanë bërë të ditur burime të “Zërit” brenda MPB-së, ndërsa një gjë e tillë vërehet edhe në dosjen me ndryshime të datëlindjeve, të cilën e ka siguruar gazeta, e ku në mes tjerash figuron edhe lista me emrat e kandidatëve që Ministria e Punëve të Brendshme ia ka dërguar EULEX-it. /Telegrafi/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS