Mosrespektimi i Gjykatës, precedent i keq
Dy deputetët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Fisnik Ismaili dhe Faton Topalli, kanë shfaqur sërish padëgjueshmëri ndaj drejtësisë. Ata kanë marrë pjesë në seancën e së hënës në Kuvendin e Kosovës, duke thyer vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila u kishte shqiptuar atyre vendimin për arrest shtëpiak prej 30 ditësh.
Një mosrespektim të tillë kishte bërë edhe deputeti tjetër i “Vetëvendosjes”, Ismail Kurteshi, mirëpo ndaj këtij të fundit i është zëvendësuar masa e dënimit nga arresti shtëpiak me masën e dënimit prej 30 ditësh paraburgim.
Kurteshi nuk u duk dje në Kuvend, por u shfaq në protestën e së shtunës në Gjilan, madje duke mbajtur fjalim para protestuesve. Këta tre deputetë janë dënuar nga Gjykata, pasi kanë hedhur gaz lotsjellës brenda Kuvendit ose edhe janë munduar ta kontrabandojnë gazin brenda seancave.
Para se t’i nisë punimet Kuvendi Faton Topalli tha se arrestimi i tij është politik dhe theksoi se është i gatshëm për burg nëse policia e arreston atë. “Arrestimi im është politik dhe në Kuvend kam ardhur sepse më obligon Kushtetuta. Nuk ka vendim të Gjykatës që ma ndalon ardhjen në Kuvend. Jam i gatshëm për burg nëse më arrestojnë, madje i kam marrë me vete të gjitha ato që më nevojiten në burg”, tha Topalli.
I shqetësuar për deputetët, të cilët nuk respektuan vendimin e Gjykatës, është shprehur ambasadori amerikan, Greg Delawie. Ambasadori amerikan ka thënë se është shumë i zhgënjyer me ndërprerjen e seancës dhe hedhjen e gazit në Kuvend./zeri/


