UBT

Mos u përzieni në Akademi!

/ 8 minuta lexim
Eco Higjiena

Po mundohem ta ruaj Akademinë nga ndikimet politike. Nisma e PDK’së për krijimin e një komisioni ndërkombëtar për inspektimin e zgjedhjeve në ASHAK është absurde. Deputeti-gastarbajter Ramë Vataj synon shkatërrimin e institucionit që unë e udhëheq. Hivzi Islami, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, flet për Express.

Express: Si kryetar i ASHAK’ut, sigurisht e keni dëgjuar kërkesën e deputetit Vataj dhe të grupit parlamentar të PDK’së, drejtuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës për krijimin e një komisioni ndërkombëtar për inspektimin e zgjedhjeve në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, por edhe për Ligjin për Akademinë?

H.Islami: Po, lexova në një portal. Ka një vit që tentohet të ndërhyhet në Akademi për qëllime politike, dhe ekskluzivisht partiake, me qëllim të vënies së kontrollit mbi të. E shpikën njëfarë nisme dhe grupi të punës për ndryshimin e Ligjit për Akademinë, pa ditur gjë Akademia, duke i mashtruar deputetët me nënshkrime, disa prej të cilëve as që e dinë se paska një institucion të tillë. E gjetën një deputet, Ramë Vatajn. E morëm vesh detyrën e këtij deputeti pion, i cili duket se është në shërbim të grupeve të caktuara brenda partisë në pushtet – dhe më gjerë, të këtij laborantit të kimisë, të gastarbajterit, i cili në kohët më kritike e braktisi Kosovën dhe Universitetin, dhe që as sot e gjithë ditën nuk jeton me jetën e Kosovës. E hëngri bukën e mandatit të dytë të F. Miteranit, të dy mandateve të Zh. Shirakut, të një mandati të N. Sarkozysë dhe tash po e hanë bukën edhe të F. Olandit, meqenëse tërë familjen e ka në Francë; edhe vetë i gëzon të gjitha të drejtat e azilantit mashtrues. Mashalla, i ”syrgjynosuri”, i kthyer triumfalisht si “shkencëtar”, por edhe si “atdhetar”, duke dhënë nasihate politike-partiake, po na bënë edhe Ligjin për Akademinë, një ligj “super modern”. I dështoi nisma dhe grupi i punës, i dështoi debati publik – ku nga Akademia ishim 7 veta, dhe i erdhi vetëm një person nga dhjetëra të ftuar.

Ligji që e propozon Vataj dhe grupi me shumë përbërës prapa tij, por që në krye e ka deputetin-gastarbajter si ”shkencëtar” dhe si ”evropian”, është marrë në tërësi nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, kur Qeveria deshi ta fuste këtë institucion nën kontroll, dhe atë duke i marrë pikat më dogmatike dhe më zhdanoviste të tij. Sali Berishën nuk e donë, por metodat ia preferojnë! Shkohet deri në absurd, që anëtarët e ASHAK’ut t’i zgjedhë një komision i Kuvendit të Kosovës, që Statutin e ASHAK’ut ta miratojë Kuvendi i Kosovës, që të zgjidhen anëtarë njerëz me ”përvojë në mësimdhënie”, që e sjell Akademinë në nivelin e një Fakulteti të Mësuesisë, që në Akademi të ketë vende vakante të punës, që shkencat nacionale, për të cilat është formuar ky institucion, të reduktohen deri në maksimum e çka jo tjetër.

Express: Po çfarë ligji ka sot ASHAK’u?

H.Islami: Ligji në fuqi i ASHAK’ut është hartuar në mbështetje të standardeve evropiane, të cilat janë dëshmuar të suksesshme në punën e Akademisë sonë. Mbi bazën e këtij Ligji, dhe të inspektimit që i bëri udhëheqja e ALLEA’s (All European Academies – Federata e Akademive Nacionale të Evropës), ASHAK u pranua anëtare e kësaj Federate dhe e asociacioneve të tjera përkatëse ndërkombëtare (IAP – Paneli Ndërkombëtar i Akademive, Unioni i Akademive të Evropës Juglindore, Unioni i Akademive të Evropës Qendrore e Lindore, Rrjeti i Akademive për të Drejtat e Njeriut me seli në Nju Jork, etj.). ASHAK ka hyrë në këto asociacione akademike dhe shkencore në vitet 2001-2004, ende pa qenë Kosova shtet i pavarur, në saje të veprimit të instancave të saj dhe të legjislacionit të vlerësuar. Ishte ky edhe një afirmim për Kosovën. Nuk ka akademi që ka hyrë në ALLEA pa pasur shtet të pavarur. Përjashtim ishte e jona, që hyri qysh në vitin 2004. Akademia është integruar plotësisht në instancat akademike dhe shkencore në Evropë dhe, ani pse e vogël, e me historik të shkurtër, ka shumë autoritet. Kemi të nënshkruar marrëveshje aktive bashkëpunimi me shumë akademi.

Por, ja që ”reformuesit” donë shkatërrimin e institucionit, të vetmin autonom e të pavarur në Kosovë. Shikojeni UP’në deri në çfarë derexhe është sjellë. Deri dje me rektor të paligjshëm dhe me shumëçka ”partizançe”, zgjedhjet e udhëheqjeve me mesazhe, me keqpërdorime në të gjitha nivelet, etj. Në Akademi mesazhet nuk ecin. Gjithçka punohet me ligj dhe normativ ligjor. Në këto zgjedhje kemi shumë prurje dhe propozime nga brenda. Votimi është shumë demokratik.

Express: A i keni njoftuar këto instanca akademike evropiane për ndërhyrje arbitrare në ASHAK?

Uji Dea

H.Islami: Deri tani e kemi ruajtur Qeverinë dhe Kosovën, e cila ka shumë probleme. Nuk dëshirojmë të bëhemi pjesë e problemeve, që të vijë p.sh. Raporti i progresit me vërejtje negative, por nëse qarqet e caktuara vazhdojnë më agresivisht kundër Akademisë, do të detyrohemi t’i njoftojmë të gjitha këto instanca, përfshirë edhe ambasadat e huaja këtu dhe strukturat politike evropiane. Këto edhe mund ta mbyllin Akademinë, më parë të na e ndalojnë hyrjen në të, të na i ndalin financat, por jo nën petkun e ”rrugës demokratike”, çfarë po e luajnë lojën.

Kryetari i Partisë në pushtet dhe Kryeministri, Hashim Thaçi, dhe nënkryetari i Partisë, Enver Hoxhaj, ma dhanë fjalën më 3 korrik se Akademia nuk mund të preket, por tani sikur po del e kundërta. Që të dyve u dërgova letër, veç e veç, por nuk mora asfarë përgjigje. Nuk erdhi përgjigjja as nga Zyra Ligjore e Kryeministrit. Kërkova edhe takim me kryeministrin, por deri më sot nuk ndodhi.

Express: Sido që të jetë, grupi parlamentar i PDK’së dhe deputeti Vataj po këmbëngulin për krijimin e një komisioni ndërkombëtar për vlerësimin e CV’ve të kandidatëve? A është kjo kërkesë ligjore?

H.Islami: Po, tani po kërkuakan edhe një komision ndërkombëtar për t’i hulumtuar CV’të e kandidatëve për Akademi. Diçka e paparë dhe e padëgjuar. Kjo kërkesë është në anën tjetër të arsyes, një paranojë sui generis. Deputeti-gastarbajter, grupi parlamentar i PDK’së, Kryesia e Kuvendit, Kuvendi, Qeveria më mirë është të kërkojnë urgjentisht një komision ndërkombëtar të instancave juridike për t’i inspektuar, për shembull, vjedhjet masive të votave të shumë deputetëve, pra edhe të këtij deputeti-gastarbajter, se sa të merren me shkatërrimin e një themelate, tashmë të afirmuar në suaza evropiane dhe e ngritur me shumë mund.

Express: Z. Islami, a kanë përfunduar zgjedhjet në Akademi?

H.Islami: Jo, zgjedhjet nuk kanë përfunduar, ende jemi në proces. I kemi shpallur në fund të majit dhe i përfundojmë në Kuvendin zgjedhor, që mbahet në fillim të dhjetorit. Ato mbahen sipas Ligjit për Akademinë, Statutit dhe Rregullores për zgjedhjen e anëtarëve të rinj. Gjithçka është transparente. Njoftimi për publikun është shpallur në gazeta. Shtatë ditë ka zgjatur diskutimi publik; të gjitha referatet për kandidatët nga propozuesit (nga fakultetet e universiteteve publike dhe institutet publike) dhe referatet nga brenda, pra nga Seksionet e Akademisë, kanë qenë të ekspozuara në një hapësirë tejet të përshtatshme, ku ka mundur çdo qytetar i Kosovës t’i lexojë prej orës 10-13 dhe të bëjë vërejtje. Është bërë vetëm një vërejtje, por edhe ajo është e pabazë.

Express: Z. Islami, a është Akademia gati të jetë e hapur ndaj kërkesave të shoqërisë, përfshirë këtu reformimin e saj eventual?

H.Islami: Akademia nuk është e mbyllur ndaj asnjë kërkese të shoqërisë, përfshirë reformimin eventual. Përkundrazi, ka vullnet për t’i marrë në konsideratë të gjitha kërkesat që nuk e dëmtojnë cilësinë shkencore e artistike, bazën e qëndrueshmërisë dhe perspektivën zhvillimore të Institucionit, posaçërisht autonominë, pa të cilat nuk mund të ketë institucion të pavarur të shkencës e të artit. Nëse ka vullnet për bashkëpunim të ndërsjellë, për çka ASHAK’u ka qenë dhe është i gatshëm që, përmes një rruge normale e pragmatike, dhe mbi bazën e vlerësimeve relevante shkencore nga vetë Institucioni, e jo me fushata politike-partiake, të gjitha çështjet të shtrohen e të zgjidhen optimalisht kënaqshëm për të mirën e Institucionit, të shkencës dhe të Kosovës.