Mos kontrabandoni
Sindikalistët e PTK’së e quajnë të rrezikshme mundësinë që Posta me asetet e saj të futet hipotekë për hesap të kompanive që janë në garë për këtë ndërmarrje. Ky proces, sipas tyre, po kontrabandohet.
Përmes një letre drejtuar deputeteve të Kosovës, sindikalistët e Post Telekomit të Kosovës kanë kërkuar ndërprerjen e privatizimit të ndërmarrjeve publike, ditën e enjte, kur pritet të votohet mocioni për këtë punë.
Sindikalistët kanë marrë shkas edhe nga paralajmërimet e fundit se Qeveria e Kosovës ka pranuar kërkesat e kompanive në garë që Posta me asetet e paluajtshme të lihet hipotekë. Krejt kjo, në mënyrë që kompanitë në garë për PTK-në të hyjnë kredi në bankat ndërkombëtare.
Për Federatën Sindikale të PTK-së, ky veprim do të ishte me rrezik të madh për këtë ndërmarrje.
“Në këto rrethana të reja të krijuara, ne jemi të shqetësuar për fatin e punëtorëve të Postës, sepse në rast se kompania e cila ka privatizuar PTK-në, nuk mund t’i paguajë këstet e kredisë, të gjitha objektet e Postës do t’i takonin në emër të hipotekës, bankës e cila e ka dhënë kredinë.
Qeveria, përveç PTK-së, me këtë veprim do t’i privatizojë edhe asetet e Postës pa kurrfarë garancie për punëtorët. Situata e tanishme e krijuar nga Qeveria e bën edhe më jotransparent procesin e privatizimit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga FSP-ja.
Tutje në komunikatë thuhet se duke u bazuar në të gjitha veprimet jotransparente të deritashme të Qeverisë rreth privatizimit të PTK-së si dhe me veprimin e fundit, procesi i privatizimit duhet të ndalet krejt.
“Kërkojmë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës ta votojnë mocionin për pezullimin e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve publike në Kosovë. Kjo është edhe një shkelje e legjislacionit të Kosovës nga ana e Qeverisë së Kosovës, në këtë proces, i cili po mundohet të kontrabandohet sikurse me Nenin 4 të Ligjit të buxhetit të Kosovës të vitit 2011, i cili është ligj njëvjeçar”, thonë sindikalistët.
Siç ka raportuar Express, pas problemeve që kompanitë në garë për PTK-në kanë shfaqur me financat, Qeveria e Kosovës i ka pranuar kushtet e tyre që Posta me asete të futet hipotekë.
Përmes kësaj, kompanitë po shpresojnë për kredi në bankat ndërkombëtare.
Krejt kjo pasi kompanitë kanë shfaqur probleme serioze financiare dhe kredia po shihet si mundësia e vetme që procesi të mos dështojë.
Ndërkohë, me pakon tenderuese, Posta – duke përfshirë asetet e paluajtshme – është njësi e vetme e ndarë e ndërmarrjes që i mbetet në pronësi shtetit.
Sipas burimeve të Expressit, nga takimet mes Qeverisë dhe kompanive, kjo po del të jetë forma e vetme që ndërmarrja të privatizohet pas problemeve që kanë shfaqur kompanitë në garë rreth burimeve të financimit.
“Këshilltari i transaksionit, i angazhuar në këtë proces, ka pranuar kërkesën e kompanive që Posta të futet në hipotekë. Por edhe në këtë version, procesi rrezikon të mbetet me vetëm dy kompani, për shkak të problemeve që kompanitë i kanë me financat”, thotë për “Express” një zyrtar i afërt me këto zhvillime.