Hidromorava

Mos iu tutni seksit, por urrejtjes

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Nga Imer Mushkolaj – Të debatosh për seksin dhe seksualizmin nuk është gjynah, as turp, as krim. Krim është të urresh dhe të bësh thirrje për linçimin e vrasjen e tjetrit, vetëm pse ka zgjedhur ta jetojë jetën si dëshiron.

Një përpjekje e revistës “Kosovo 2.0” për të sensibilizuar opinionin dhe për të hapur një diskutim publik për seksin dhe seksualizmin, ka hasur në kundërshtime të ashpra nga eksponentë të fesë ose të tjerë, të lidhur ngushtë me fenë.

Të premten, në xhami të Prishtinës është folur me urrejtje dhe janë shpërndarë mesazhe kërcënuese ndaj aktiviteteve që po organizoheshin me rastin e lansimit të numrit më të ri të revistës, që trajton temën e seksit, e cila vazhdon të mbetet tabu në Kosovë, pasi që nuk shtjellohet në diskursin publik.

Ndërkohë një organizatë studentore, e cila madje ka fjalën “paqe” në emërtimin e saj dhe e cila do të duhej të ishte marrë me probleme të studentëve dhe të Universitetit aspak për lavd të Prishtinës, ka zgjedhur të kundërshtojë publikisht “organizimin e turpshëm”, siç e ka quajtur ajo.

Me një gjuhë plot helm kjo organizatë, më tepër fetare sesa studentore, jep leksione se si shoqëria kosovare ka nevojë për organizime që i shërbejnë ngritjes morale dhe akademike, “e jo organizime të tilla çnjerëzore që i kontribuojnë së keqes dhe degradimit të kësaj shoqërie”.

Për anëtarët e kësaj organizate, studentë të UP’së, çnjerëzore është të debatosh për seksin dhe seksualizimin, të shikosh filma dhe shfaqje me temë seksin dhe seksualizmin dhe të marrësh pjesë në party’n e organizuar nga “Kosovo 2.0” me rastin e lansimit të numrit të ri të revistës.

Të enjten, në komentet e lexuesve në njërin nga portalet kosovare bëhej thirrje për linçimin e njerëzve që organizojnë ose kontribuojnë në organizimin e të tilla ngjarjeve, madje jepeshin edhe detaje personale se kush ishin ata njerëz dhe pse duhej të vriteshin. Po, po të vriteshin!

E të premten, me rastin e Namazit të Xhumanë, hoxhallarë nxitës të urrejtjes u morën me mallkimin e “orgjisë” që ishte paralajmëruar se do të organizohej, duke i mbushur besimtarët plot mllef ndaj atyre që guxojnë të flasin për seksin dhe që mund t’i shprehin haptas preferencat e tyre seksuale. Në mbrëmje, një grup njerëzish ndërhynë dhunshëm në Sallën e Kuqe, duke demoluar gjithçka që ishte bërë gati për aktivitetin.

Ata, të cilët do të duhej promovuar paqen dhe tolerancën ndërmjet njerëzve, zgjodhën të mbjellin urrejtje ndaj të tjerëve dhe të shfaqen të dhunshëm, vetëm pse ata janë “ndryshe” – vetëm pse ata kanë bërë zgjedhje të lirë se si duan ta jetojnë jetën e tyre.

Në vend që të gjitha aktivitetet t’i konsiderojnë si edukative, si përpjekje për të sensibilizuar opinionin dhe luftuar paragjykimet për një çështje me rëndësi, këta tipa, të cilët duket se e kanë keqkuptuar rolin e tyre, nuk ngurrojnë t’i anatemojnë, fyejnë e luftojnë të gjithë të tjerët që nuk mendojnë si ata, respektivisht që përpiqen të thyejnë tabu e paragjykime. Sepse, vetëm duke promovuar tabu dhe paragjykime për të tjerë njerëz e duke sulmuar gjëra “të turpshme”, ata mund të fuksionojnë të tillë çfarë janë. Hiç nuk mërziten se turpi ua mbyll sytë e ua turbullon mendjen.

UBT

Nuk është se këta “gardianë të moralit” e kanë keqkuptuar organizimin e “Kosovo 2.0” dhe nuk e dinë saktësisht për çfarë bëhet fjalë, por duan me qëllim ta kuptojnë ashtu siç ata kanë dëshirë dhe interes – në funksion të agjendave të tyre të rrezikshme dhe aspak tolerante për shoqërinë kosovare.

Propaganda negative e bërë nga ta dhe e pranuar, fatkeqësisht, nga të tjerë që nuk shohin më larg se hoxhën në xhami, është në vazhdën e përpjekjeve për t’i dhënë kahje tjetër islamit tradicional në Kosovë dhe, bashkë me të, edhe rregullimit dhe funksionimit shoqëror të vendit.

* * *

Të debatosh për seksin dhe seksualizmin nuk është gjynah, as turp, as krim. Siç nuk është turp e gjynah as nëse shkruan, shikon filma e shfaqje për të. Nuk është gjynah as turp të edukohesh për ta respektuar lirinë dhe të drejtat e tjetrit, zgjedhjen e lirë për jetë të gjithsecilit. Gjynah e krim është të bësh thirrje për linçimin dhe vrasjen e tjetrit, gjynah është të mos e lejosh tjetrin të jetojë qysh ai ka qejf, gjynah është të mos i mirëkuptosh njerëzit që të rrethojnë, i yshtur nga motive të ulëta.

Do të doja fort që këta tipa që përhapin pezëm e jotolerancë të flasin e debatojnë për probleme të tjera, me të cilat ballafaqohet shoqëria – të flasin si të luftohen hajnia, krimi, korrupsioni, si të përmirësohen shëndetësia e arsimi.

Të flasin si të kontribuojnë që fetë t’i bashkojnë, e mos t’i ndajnë njerëzit.

Të flasin si të edukojnë, e jo të helmojnë breza.

Dhe të mos kenë frikë të flasin për seksin, siç nuk kanë frikë kur e bëjnë atë.

Të kuptojnë se liria personale e secilit individ është shumë më e rëndësishme se misioni i kujtdoqoftë për ta rrezikuar atë.

Të kuptojnë se seksi nuk përçan, por bashkon. Urrejtja përçan.