Fundamenti

Mos i shani!

/ 4 minuta lexim

Vërtet është për të ardhur keq që Shqipëria nuk i ka në radhët e veta pesë futbollistët shqiptarë, që sot janë shtylla kryesore e Zvicrës. Megjithatë, shqiptaria nuk i ka humbur përgjithmonë ata. Ekzistojnë mundësi reale që në një të ardhme, të paktën disa nga ta, t’i kthehen Kosovës.

E ardhmja e tyre varet shumë nga mënyra se si do të trajtohen nga tifozët shqiptarë të martën në Luzern. Me fishkëllima dhe sharje do t’i trembin edhe më shumë, kurse me duartrokitje do t’i ngrehim më afër atdheut të tyre.

Jemi në prag të ndeshjes kualifikuese për Botërorin ‘Brazili 2014’, Zvicër – Shqipëri. Kjo ngjarje sportive tash e një kohë të gjatë ka ngjallur reagime të shumta e të ndryshme jo vetëm në opinionin shqiptar dhe atë zviceran, por edhe më gjerë, për shkak se ngjyrat e helvetikëve do t’i mbrojnë pesë futbollistë shqiptarë – Valon Behrami, Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka, Admir Mehmedi e Blerim Xhemajli.

Tensionet para kësaj ndeshjeje po vërehen qartë, e bile ato nuk janë aspak pozitive.

Përveç komenteve online, shqetësuese ishin fyerjet banale e primitive që tifozët shqiptarë i plasuan në drejtim të Zvicrës, gjatë ndeshjes Shqipëri-Qipro, vetëm pse për shtetin helvetik po luajnë pesë shqiptarët, të cilët në fund të fundit ai vend vetë i ka rritur, duke i bërë lojtarë të klasit botëror.

Vërtet është për të ardhur keq që ata sot nuk luajnë për Shqipërinë, e cila ka nevojë të madhe për lojtarë të atillë, por kjo nuk ia jep askujt të drejtën për t’i quajtur ‘tradhtarë’, siç po konsiderohen nga shumëkush, sepse në fund të fundit ende kërkush nuk i di arsyet e vërteta që ata mbetën jashtë kampit kuqezi.

Mobi Casa

Fakti që do të luajnë ndaj Shqipërisë, ka bërë që pesë shqiptarët sot të jenë të zhytur nën presion të madh. Një masë e konsiderueshme e shqiptarëve i konsiderojnë si ‘tradhtarë’, kurse zviceranët nuk u besojnë fort. Nuk u besojnë vetëm pse ata me krenari pohojnë se janë shqiptarë, apo pse njëri nga ta në këpucët e tij krahas flamurit zviceran, i mban edhe flamujt e Shqipërisë e Kosovës, kurse tjetri nganjëherë e këndon himnin shqiptar.

Andaj, ata nuk e meritojnë të quhen ‘tradhtarë’ nga shqiptarët. Përkundrazi, me këto veprime që po nuk po u pëlqejnë zviceranëve, po tregohen ‘patriotë’! Sidoqoftë, të gjithë ata Shqipëria i ka humbur, dhe kthim prapa nuk ka. Por, shqiptaria nuk i ka humbur përgjithmonë.

Shteti tjetër shqiptar, Kosova është duke e pritur anëtarësimin në FIFA e UEFA, dhe atëherë të gjithë ata që kanë mbetur jashtë Shqipërisë, të shpërndarë nëpër Evropë, do të mund t’i kthehen shtetit të ri. Madje, vetë Shaqiri e Xhaka të dielën ‘çmendën’ Zvicrën kur thanë se do ta shqyrtojnë të ardhmen e tyre pas pranimit të Kosovës në FIFA e UEFA. E nëse ata kthehen, Kosova do të përfitojë shumë.

E për ta realizuar këtë, rolin më të rëndësishëm duhet ta luajnë pikërisht tifozët shqiptarë. Ata mund të jenë stimuluesit më të mëdhenj për ata lojtarë që t’i bashkohen Kosovës, sepse vendi ynë nuk ka mundësi të tjera për t’u ofruar asi luksi siç ka bërë Zvicra.

Por, nëse tifozët shqiptarë u fishkëllejnë atyre të martën në Zvicër, atëherë në njëfarë mënyre derën e Kosovës do t’ua mbyllin Shaqirit dhe shokëve të tij. Pra, do të dihet emri i fajtorit. Prandaj, tifozët shqiptarë duhet të qëndrojnë shumë të qetë në Zvicër. Ta përkrahin maksimalisht Shqipërinë. Por, të përshëndeten me duartrokitje edhe pesë shqiptarët e Zvicrës, të cilët po e bëjnë marketingun më të mirë për kombin shqiptar nëpër Evropë.

Me duartrokitje të falënderohet edhe Zvicra që i ndihmoi ata që të bëhen yje të futbollit evropian dhe për ndihmën e vazhdueshme që ua ka dhënë shqiptarëve në kohët më kritike për ta. Në Luzern do të jetë e përqendruar vëmendja e gjithë Evropës. Andaj, ju tifozë dëshmoni se shqiptarët janë popull civilizues si gjithë popujt e tjerë të Evropës.(express)