Hidromorava

Mos e injoroni, por as ekzagjeroni radikalizmin fetar

/ 7 minuta lexim
FIDANISHTJA

Ambasadori britanik nuk iu beson shifrave që thonë se rreth 200 kosovarë janë pjesë e luftës në Siri dhe Irak, krahas organizatave terroriste në lindje. Ai, gjatë intervistës me Indeksonline, thotë se ka mundësi që agjencitë që po mbledhin të dhëna për këtë gjë po ngatërrojnë shqiptarët e Shqipërisë me banorët e Kosovës dhe ata të Maqedonisë.

Sidoqoftë, sado që të jetë numri, diplomati britanik vlerëson se fjala është për një “grup rëndësishëm që ndjehet i anashkaluar nga shoqëria këtu apo që nuk janë të punësuar dhe ndjehen të frustruar dhe ata e shohin këtë si mënyrë për tu marrë me problemet e tyre”.

Ian Cliff vlerëson se ky radikalizmi fetar nuk guxon të injorohet, por as të ekzagjerohet deri në pikën ku në përgjithësi myslimanët ndjehen të portretizuar si ekstremistë.
Gjatë intervistës me Indeksonline, ai e kujton edhe momentin kur rastësisht ishte në Ferizaj, në momentin kur merret vesh lajmi që një banor i këtij qyteti e ka hedhur vetën në erë në Irak, duke u bërë kamikazi i parë kosovar që vret shumë njerëz të pafajshëm.

Indeksonline: Të flasim pak për personat e arrestuar, kryesisht me dyshimin se e rrezikojnë rendin kushtetues të Kosovës…Cili është qëndrimi britanik për këto arrestime?
Cliff: Ne i kemi mirëpritur masat fillestare kur nëse nuk gabohem u arrestuan mbi 47 persona. Ne kemi thënë që është shumë mirë që autoritetet kosovare po merren me këtë problem, problem me të cilin përballet e gjithë Evropa. Në fakt, ne kemi problem shumë më të madh me njerëzit që po shkojnë apo mendojnë të shkojnë në Siri dhe Irak se sa që e ka Kosova. Pra, ne e përkrahim shumë këtë që po bëhet në Kosovë pasi vendi i juaj është së bashku me ne në këtë luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar. Të shohim se çfarë do të ndodhë me rastet individuale, natyrisht, askush nuk është fajtor derisa gjykata ta thotë këtë. Pra të shohim se çfarë do të ndodhë me rastet në gjykata. Ne në fakt do ta kishim mirëpritur shumë nëse parlamenti i kaluar ta miratonte ligjin i cili do e ndalonte që njerëzit të shkonin për të luftuar në luftëra të huaja. Fatkeqësisht kjo s’ishte e mundshme sepse parlamenti u shpërbë. Por, prap se prap ka ligje kundër gjuhës së urrejtjes, dhe ligje të tjera, plus Policia thotë se ka gjetur armatim etj. Pra, është një fenomen shqetësues në Kosovë, por nuk dua që ta ekzagjerojë dhe është mirë që autoritetet po merren me këtë çështje si duhet.
Indeksonline: Ndonëse kanë ndryshuar shpesh të dhënat për atë se sa kosovarë po luftojnë në Siri dhe Irak për Shtetin Islamik dhe Al Nusrën, mirëpo një mesatare duket që është rreth 200 persona. A mendoni se kjo shifër bind edhe skeptikët më të mëdhenj që radikalizmi fetar është problem në Kosovë?

ARKATANA

Cliff: Është e qartë se kjo është një problem, mirëpo shifra prej 200 kosovarëve më duket më e lartë se sa që është. Besoj se ka një problem me agjencitë që hartojnë statistika rreth asaj se sa është numri i vërtetë. Plus, ekziston tendenca që të përfshihen në një grup shqiptarët nga Shqipëria me ata nga Kosova dhe Maqedonia. Për këtë nuk jam i sigurt që shifra është aq e lartë pasi besoj që numri është më i vogël se sa aq. Sidoqoftë, ekziston një grup i vogël, por i rëndësishëm që ndjehet i anashkaluar nga shoqëria këtu apo që nuk janë të punësuar dhe ndjehen të frustruar dhe ata e shohin këtë si mënyrë për tu marrë me problemet e tyre. Ashtu siç thashë, ky është problem, por ne kemi problem të një niveli më të madh. Edhe Franca e ka problemin e njëjtë. Pra, nuk duhet ekzagjeruar, por as nuk duhet të sillemi sikur nuk ka problem në këtë drejtim. Është e qartë që ky është një problem me të cilin duhet të merremi dhe se ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me agjencitë relevante dhe qeverinë këtu.

Indeksonline: Shumica e të arrestuarve nga grupi i dytë janë imam që punojnë për Bashkësinë Islame të Kosovës, a mundet BIK të jetë tërësisht e pafajshme nëse punonjësit e tyre shpallen fajtor?
Cliff: Një gjë që është e çuditshme në Kosovë është se askush nga grupet fetare nuk janë të njohura ligjërisht. Statusi i tyre është jashtëzakonisht ambivalent dhe ky është edhe një ligj që u humb për shkak të shpërbërjes së parlamentit të kaluar. Ai ligj do e definonte shumë mirë se çka është Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Ortodokse serbe apo Kisha Katolike Shqiptare dhe cilat janë obligimet e tyre, do iu jepte status ligjor dhe kjo do e bënte shumë më të lehtë që të mbikëqyr flukset e parave drejt këtyre organizatave. Nëse e shohim se si do të jetë për të ardhmen, për t’i tejkaluar disa prej këtyre problemeve, duhet të kemi një legjislacion më të drejtpërdrejt për organizatat kryesore fetare të këtij vendi dhe një mënyrë më transparente që të gjurmojë fondet. Nuk do të doja të nisja të kritikoja BIK-un. Unë njoh disa zyrtarë të Bashkësisë Islame të Kosovës shumë mirë dhe mendoj që edhe ata janë shokuar nga disa prej këtyre gjërave njejtë sikur ne.
Indeksonline: Çfarë doni të thoni me “të shokuar”, nuk e besonin se mund të bëheshin arrestime apo që situatën e shohin më ndryshe..?
Cliff: Në kohën kur një djalë i ri nga Ferizaj e hodhi vetën në erë në Irak, rastësisht unë isha për vizitë në Ferizaj dhe u takova me udhëheqësin e Bashkësisë Islame atje dhe ai ishte shumë i shokuar me atë që ndodhi. Njerëzit kryesor të BIK nuk e prisnin që një gjë e tillë të ndodhë. Për shumë njerëz kjo ka qenë befasi apo shokuese.

Indeksonline: Megjithatë Z. Ambasador, kjo gjë nuk ka ndodhur brenda natës. Ata mund të kenë ditur diçka që po ndodh në këtë drejtim, që ka njerëz që po punojnë shumë që të rinjtë e Kosovës të bëjnë gjëra të tilla? Kur ata thonë që janë të shokuar, a duhet ne patjetër t’i besojmë?
Cliff: E di që ka shumë njerëz që shqetësohen për këtë çështje që një kohë të gjatë dhe më kanë folur për këtë problem, njerëz brenda Bashkësisë Islame dhe pak më shumë njerëzit jashtë saj. Ata më kanë folur gjatë tri viteve të fundit. Pra, njerëzit kanë qenë të shqetësuar për këtë fenomen, pra radikalizmin e të rinjve. Por, kjo është një gjë e tjetër është kur një i ri kosovar shkon dhe e hedh vetën në erë në një sulm terrorist në Irak. Edhe ne e kemi këtë problem me grupet salafiste, por sërish shokohemi kur marrim vesh që britanikë janë përfshirë në sulme apo ekzekutime. Pra, edhe pas kësaj ju ende e keni të drejtën që të jeni të tmerruar. Ne duhet të gjejmë një balans në mes të asaj që ky është një problem i vërtetë dhe Kosova ka nevojë që të merret me të, por në të njëjtën kohë nuk duhet që secilin mysliman si ekstremist. Pra, duhet gjetur balansi i duhur.