Morina: “Hidromorava” kompani e suksesshme, sfidë mbetet pagesa e ujit të harxhuar

Gjilan – “Hidromorava” pret në të ardhmen që së bashku edhe me komunat Gjilan, Viti dhe Kamenicë të koordinojë hapat që kanë të bëjnë me rritjen e performancave e posaçërisht me rritjen e inkasimit dhe uljen e humbjeve të ujit në sistemin e ujësjellësit thotë për rajonipress Mumin Morina drejtor teknik.Sasia e ujit në liqenin e Perlepnicës është e mirë. Niveli i ujit në liqe aktualisht është 27 m, që do të thotë ka një rënie prej 3 m nga niveli maksimal, raporton rajonipress.
Edhe në burime të tjera të ujit që menaxhohen nga KRU “Hidromorava” situata është e mirë përjashtimisht sistemet rurale ku në këtë periudhë ndihet një përkeqësim i situatës me ujë si pasojë e mungesës së ujit në puse tha Mumin Morina drejtor teknik në “Hidromorava”.
Morina tha se probleme të tilla kohëve të fundit janë paraqitur sidomos në Malishevë ku pre shkak të mungesës së ujit ka pasur mungesë të ujit për këtë fshat. “Edhe në pika të larta të qytetit të Gjilanit ka mungesë të presionit të ujit kjo për shkak të shtimit të kërkesës për ujë dhe rritjes së keqpërdorimit në rritje për shkak edhe të rritjes së temperaturave”.
Morina tha se përkundër të gjitha këtyre problemeve KRU “Hidromorava” edhe gjatë kësaj vere arrin që të bëjë furnizimin me ujë pa probleme të mëdha dhe pa reduktime të rregullta si për Gjilanin ashtu edhe për dy komunat Viti e Kamenicë. “Ky fakt padyshim e radhit KRU “Hidromorava” si kompaninë më të suksesshme për sa i përket furnizimit me ujë brenda zonës së shërbimit. Sfidë tjetër për kompaninë është mungesa e gatishmërisë se konsumatorëve për të paguar për ujin e harxhuar”.
KRU pret në të ardhmen që së bashku edhe me komunat Gjilan, Viti dhe Kamenicë të koordinojë hapat që kanë të bëjnë me rritjen e performancave e posaçërisht me rritjen e inkasimit dhe uljen e humbjeve të ujit në sistemin e ujësjellësit. “Komuna e Gjilanit përmes kryetarit Haziri disa herë ka shprehur gatishmërinë që ta ndihmojë kompaninë me projekte të ndryshme e që kanë të bëjnë me rritjen e performances së përgjithshme të kompanisë. Ky zotim tani veç po bëhet realitet me projekte konkrete siç është rasti i ndërrimit të disa gypave të ujësjellësit dhe kanalizimit në disa rrugë të qytetit” tha Morina./rajonipress/